Shqipëria e "xhaxhi Edit nga Tirana"

Postuar në 28 Shtator, 2025 16:43

Radio Evropa e Lirë publikon sot një lloj reportazhi politik me titullin: Transformimi i Shqipërisë dhe mësimet që mund t'i nxjerrë Kosova. Autorja Valona Tela, që e prezanton materialin edhe si video, rreket të sqarojë për të gjithë një sukses të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke ia sugjeruar këtë si rrugë edhe Kosovës.

Transformimi si term rimerr një klishe që është bërë e padurueshme: Shqipëria komuniste dhe e izoluar është shndërruar në një vend që ka hapur 28 kapituj të anëtarësimit nga 35 të tillë. Kjo ka sjellë optimizëm në Bruksel dhe tani edhe në Ballkan e dinë që optimizmi është një mall që shitet kudo, sidomos në Byrokraturën e Brukselit.

Shënimi është i mbushur me klishe tipike:

Shqipëria, me ritëm gjithnjë e më të qëndrueshëm nisi të lëvizte qysh në fillim të viteve ‘90, kur diktatura komuniste që kishte mbajtur vendin të izoluar hermetikisht për 45 vjet, u rrëzua mes trysnisë popullore për ndryshim.

Ose:

Demokracia ishte ëndrra e madhe e shqiptarëve të asaj kohe, por realiteti solli përballje edhe me pasiguri të thella ekonomike dhe shoqërore.

Këtë ritëm artificial të kinematografisë mediatike e mbajnë gjallë edhe prononcime si ato të një lektoreje nga Tirana, Klodian Beshku, sipas të cilës “E Duam Shqipërinë si gjithë Europa” u bë një udhërrëfyes për shoqërinë shqiptare. Udhërrëfyes ky që për Beshkun arrin majën me qeverinë aktuale:

Për hir të së vërtetës, Rama është jashtëzakonisht i dedikuar ndaj kësaj çështjeje

thotë ajo.

Reforma në drejtësi është çelësi për të përgjithësuar mandej një Shqipëri të reformave në Bruksel, ndërkohë që diplomacia e jashtme siç e quan autorja, është çelësi tjetër, të cilin në dorë e mban “xhaxhi Edi nga Tirana”. Kjo është nofka e Edi Ramës në Bruksel, ku e vlerësojnë sepse ai ka frymë pozitive, ecën me parimin “mund ta bëjmë” dhe nuk ankohet si të tjerët.

Edi Rama është shumë i pëlqyer në Bruksel. Do të thosha, madje, se e duan shumica - qoftë për shkak të karizmës, qoftë për shkak të pozitivitetit. E gjithë prezenca e tij publike është në kontrast të thellë me shumë udhëheqës të tjerë, sidomos nga Ballkani Perëndimor, të cilët vijnë në Bruksel dhe ankohen për këtë, për atë, dhe për njëri-tjetrin

shprehet një redator i REL.

Çfarë mund të komentosh apo konkludosh nga një shkrim si ky! Që teksa evidenton elementë të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Brukselit rend te termi “transformim” që në të vërtetë ka në vetvete pavërtetësi të madhe. Sepse duke nënrenditur problemet strukturore dhe kapilare që ka vendi nën “sukseset publicitare” nuk bëhet asgjë tjetër veçse mbulohet dielli me shoshë. Korrupsioni është në rritje jo vetëm me kulturën rrushfetit dhe abuzimit me prokurimet, por edhe me vetë mënyrën sesi qeveria e merr vendimet. Ikja e njerëzve nuk është një simptomë e lokalizuar që të mund të kalohet kaq lehtë poshtë cipës së suksesit të qëndrueshëm të supozuar. Është refleks dhe pasojë imediate e një politike të strukturar që ka thelluar pabarazinë dhe vrarë përfaqësimin.

Krimi nuk është një objektiv për t’u adresuar, por një ekonomi për t’u menaxhuar që ka aksionet e veta në stabilitetin e rremë të Shqpërisë.

Absolutizimi i reformës në drejtësi që ka passjellë probleme të rënda kushtetuese nuk mund të shërbejë si kartëvizitë për të gjitha notat pozitive që i “jepen Shqipërisë së xhaxhi Edit nga Tirana”. Pasi një qeveri që ka 12 vjet në pushtet dhe mandej shqep dhe riqep reformat që ka propozar vetë, dhe i ka propozuar si epokale, nuk mund të besohet se ka me të vërtetë qasje të qartë dhe të shëndetshme.

Këto të gjitha janë në thelb një depozitë krize të thellë që do të mbetet në derën e çdo qeverie që do vijë. Sado fjalë të mira të flasin sot përfaqësues të REL dhe Brukselit. Janë këto qëndrime që na kujtojnë të gjithëve se çfarë toksinash politike dhe çfarë helmi shpërndante në mënyrë uniforme establishment “liberal” para Donald Trump që nuk donte të shihte për asjnë çast sesi problemet mahiseshin e mahisen ende. Jo më kot, në shkrim përmendet edhe fakti banal, por domethënës për kujtesën, se “edhe Anthony Blinken e quajti Edi në Tiranë”.

Do të ishte mirë të kishim të bënim me optimizëm real, por nuk është ashtu dhe as duket. Mbrojtja ndaj njerëzve si ky xhaxhi Edi është investim për një drejtim pushteti dhe asgjë më shumë. Edhe me koston e rrënimit. Kush ka pak memorie e mban mend gjestin simbolik të ish-kryeministrittë Greqisë, Simitis, që me një monedhë euro në dorë njoftoi si sukses hyrjen e Greqisë në Eurozonë.

Nuk kaloi shumë kohë që vendi të zhytej në një krizë të thellë financiare  që ishte edhe krizë e mashtrimeve zyrtare. Sigurisht ne nuk kemi kaq fat sa Greqia sepse ne Ikim. Për të lënë këtu buzëqeshjet profesioniste të Shakxhinjve të Përparimit.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.