Do të votojë Shkodra për PD-në?

Postuar në 22 Janar, 2013 02:55
Senad Nikshiqi

Shkodra, u bë pikënisja e Partisë Demokratike për të çelur fushatën elektorale, edhe pse ndonëse jo zyrtarisht kishte marrë udhë disa kohë më përpara. Kryeqendra e veriut, ky bastion i të djathtës në vend ( i tundur zgjedhjet e fundit) nuk u zgjodh pa arsye nga kryedemokrati Sali Berisha. Me justifikimin e festimit të 22-vjetorit të krijimit të Partisë Demokratike në Shkodër dhe po ashtu festimit të rënies së bustit të Stalinit në atë qytet, Berisha bashkë me ushtrinë e vet hapën betejën për zgjedhjet e 23 qershorit. Në fakt ai tubim a miting ngjan me një meny të varfër ku parashtrohen disa fakte ku as vetë Berisha me veton e tij nuk mundi t’i shmangë, gjë të cilën nuk e ka bërë as ndër vite.

Në atë miting, grupimet e Shkodrës brenda PD-së shihen shumë qartë edhe në mënyrën e vendosjes së tyre gjatë atij aktiviteti. Jozefina Topalli bashkë me Lorenc Lukën e të tjerë pozicionohen pranë njëri-tjetrit, ndërsa Astrit Bushati dhe miqtë e tij deputetë janë sëbashku duke u kujdesur që të mos jenë edhe aq pranë në atë hapësirë të vogël sa lejonte mjedisi i pallatit të sportit. Fytyrat e deputetëve jo në çdo çast ishin të gëzuara sepse ndonjë ndoshta nuk do jetë më në listë si kandidat për Parlamentin që do të krijohet pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

Para shkodranëve, në vend që të ishin të lirë, të çliruar, deputetët ngjajnë si makineri ku kryejnë atë proces që iu jepet. Kështu, një prej më të rëndësishmëve, që gjithnjë zë vendin e dytë në listën e Shkodrës, Astrit Bushati, akoma paraqitet para elektoratit me një letër përpara. Nuk bën më shumë teksa lexon çfarë i është shkruar duke mos patur një vizion të tijin. Edhe në Parlament ai flet shumë rrallë. Nuk duam të besojmë se ai nuk di të flasë, se nuk ka ide apo mendime, por për të na hedhur poshtë dyshimet ai duhet të na vërtetojë të kundërtën. Le ta nisë nga mospërdorimi i një ligjërate të parapërgaditur, por një komunikim të lirshëm, sa më pranë njerëzve.

Aty nuk ishin vetëm demokratët e Shkodrës e zonave përreth saj. Dikur socialistë, sot demokratë që më përpara edhe brenda strukturave të PS-së kishin ndasi e përplasje të heshtura, ne mitingun e PD-së u shfaqën si "të dashuruar", krah për krah e të gëzuar, madje. Të dhjamosur, me vitet e moshës që dukeshin sikur iu zvogëlonin e të shndritur nën kostumet e shtrenjta, shfaqeshin me gjoksin para, burrërorë. Madje edhe ne rreshtat e parë në përkrahje të atij që jo shumë larg në kohë e atenemonin pa reshtur, sa herë kishin mundësi ta bënin.

Partia Demokratike në Shkodër ashtu si edhe në qytetet e tjera ka Forumin e saj Rinor. Në këtë forum që përbëhet nga djemtë e vajzat e atyre që janë në lidershipin e PD-së në Shkodër apo familjarë, kushërinj e miq të tyre, ka edhe nga ata që edhe pse kanë kapur te 40-tat, me dëshirën për t’i çuar vitet pas, e cilësojnë veten si pjesë të këtij Forumi. Të dështuar ndoshta për të kapur ndonjë vend diku më lart në Parti, enden akoma aty me shpresën se një ditë do ta realizojnë ëndrrën, sepse mendojnë se kanë vepruar vërtetë si "ushtarë" të mirë e besnikë.

Edhe kësaj here nuk munguan as të huajt. Ata që na kanë në "gishtat e dorës" e sa herë iu teket bëjnë me ne sjelljet që duan. Nga këto rrotullime, jo rrallë herë jemi turbulluar pa arritur destinacionin. Këtë radhë në Shkodër qëlloi një qytetar i Austrisë që duket se është dashuruar me Shqipërinë e Shkodrën - dashuri që i buron nga tenderat e punërat që fiton ai apo miqtë e tij kudo në vend, sidomos në Shkodër. Ky austriak i mençur, qeshte, gëzonte e brohoriste më shumë se vetë militantët e PD-së Shkodër me shpresën se do jetë sërish fitues i ndonjë tenderi, tashmë jo vetëm për ujësjellësin.

Po të vëresh me kujdes lëvizjet e kamerave, sheh qartë se atje gjëndeshin "PD-istë" që nuk e kanë haberin se çfarë thuhet e çfarë po ndodh por vetëm sigurojnë të nxjerrin kokën në ndonjë foto të rastit bashkë me Berishën apo Topallin (të tjerët nuk vlejnë si foto "pasaporte", maksimumi me ta bëhet ndonjë foto "çertefikate"). Këto fotografi veç tjerash iu vlejnë pse jo edhe për ndonjë vend pune, të lëvizin kudo në qytet me makinë por pa lejen e qarkullimit apo pjesën tjeter të dokumentacionit. Me ato lloj fotosh mund të futen pa radhë, duke përfituar në shërbimet publike e të tjera si këto.

Hallin më të madh e kanë ata që shkojnë pa dëshirën e tyre. Ashtu si peticioni në adresë të Edi Ramës që u firmos nga Administrata Publike, edhe në mitingun e zhvilluar në Shkodër nga PD-ja sheh shumë punonjës administrate. Në vend që të ishin në shtëpitë e tyre pranë familjeve janë të detyruar për të pritur të parin e Qeverisë sepse në të kundërt e dinë përfundimin. E nesërmja nuk i gjen në punë, por duke mallkuar veten se ashtu si kolektivi pse nuk ishin aty sa për numër. Mes këtyre dy zgjedhjeve, të parën e kanë me leverdi dhe normalisht janë të shfajësuar sepse buka e gojës nuk pyet.

Eventi kishte për qëllim festimin e 22-vjetorit të krijimit të PD-së e po ashtu rrëzimin e bustit të Stalinit. Në fakt të dyja këto ngjarje kishin për protagonistë disa persona, shkodranë që në ato vite të vështira, nuk hezituan. Rrezikuan jetët e tyre por nuk u ndalën, arritën që ta rrëzojnë bustin e Stalinit e po ashtu arritën që edhe të krijojnë e të themelojnë PD-në. Një pjesë e atyre personave nuk ishin në këtë miting. Të painformuar, të paftuar apo pa dëshirën e tyre për të qenë ata nuk qenë prezentë, por të tjerë PD-istë që teseren e Partisë e kanë marrë vonë shfaqeshin si për të thënë: "shikoni se meritat i kemi ne".

Berisha, që e quan Shkodrën akoma "Rozafa e demokracisë në Shqipëri", siç e tha në fjalimin e tij para qytetarëve të Shkodrës, harroi ose ka bërë gjoja se ne zgjedhjet e fundit Parlamentare, Partia Socialiste, pikërisht në zemrekun e të djathtëve arriti të marrë 4 Deputetë, si kurrë më parë, duke surprizuar këdo, përveç socialistëve ndoshta. Për mos ta lënë me kaq, në zgjedhjet lokale të 2011-ës socialistët u rikonfirmuan se tashmë në Shkodër po marrin terren teksa arritën të fitojnë në Komuna të rëndësishme siç janë: Bërdica, Velipoja, Rrethina apo Ana e Malit. Shkodranët vazhdojnë të kenë qytetin me papunësinë më të madhe në vend e ndoshta një ditë (siç ka nisur) mund të revoltohen e t’i thonë "STOP" besimit të verbër ndaj PD-së.

E megjithë menynë e varfër që ofroi ky miting i PD-së, e gjithë kjo panoramë me ngjyra të zbehta nuk kishte si të mungonte në faqen zyrtare të Sali Berishës në Facebook. Padyshim, e publikuar sipas metodës "Berishiane"!

Comments

Submitted by ILIRET (not verified) on

Pikerisht, fale ketij besimi te verber, Shkodra sot renditet nder qytetet me te ardhura me te pakta per fryme. Kenaqja me nje cap buke thate, me duket se do te vazhdoje edhe ne keto zgjedhje, per shkodranet. Perse valle kaq te ideologjizuar dhe te indroktinuar shkodranet. Ku eshte zgjuarsia natyrale e tyre. Duhet te ishte shkodra qe ka qene ne shekuj. Qyteti ma i madh i Shqiprise, ku edhe mireqenia ishte me e larte.

Submitted by astrit (not verified) on

Shkodra eshte celesi i Shqiperise. Eshte qyteti me i njohur e me me tradita nga ku ka filluar thuajse cdo levizje e rendesishme ne Shqiperi keto dy shekujt e fundit.

Nje problem eshte besimi i verber i shume (por absolutisht jo shumices) se qytetareve shkodrane per PD. Por nje problem i madh tradicionalisht ka qene fakti se Shkodra eshte socialisht dhe kulturalisht e izoluar prej pjeses tjeter te vendit. Jugu i Shqiperise eshte pergjithesisht me lart nga ana ekonomike dhe kulturore se Veriu pergithesisht rural dhe kulturalisht Shqiperia eshte dominuar prej Toskeve. Kam pershtypjen se qytetaret shkodrane ndihen te kercenuar dhe te pasigurte ne kete realitet.

Personalisht nuk jam fare dakord me kete, Mendoj se Shkodra ka nje sub-kulture shume kompetitive jo thjesht per ti mbijetuar unifikimit me kulturen Toske por edhe per ti ofruar shume kultures se perbashket kombetare Jug+Veri.

Por politikisht mendoj se leader-at partiake shqiptare, fshatarake por arrogante, rondokope me mentalitetin e hajdutit te xhepave por me kostume te shtrenjta (qe ne shumicen e rasteve i zgjedhin dhe kombinojne pa shije) shihen me perbuzje prej votuesit mesatar shkodran, i cili midis nje zgjedhjeje te pamundur midis politikansh te papranueshem gjen komfort ne tribializem. Nuk besoj se ka qytetare shkodrane qe jane te kenaqur me paraden karnavale te PD dhe eksponenteve te tyre veriore ne qytetin e tyre. Ata thjeshte nuk jane te lumtur ti zevendesojne paliacciot e tyre veriore me clown-a jugore te cileve as ua kuptojne mire aksentin... Kalimi nga Topalli tek Brace apo Veliaj, nuk eshte detyrimisht ndonje perspektive e lumtur per qytetarin pergjithesisht te sofistikuar shkodran.

Diten qe nje force politike e votueshme do te shfaqet ne Shqiperi, shpresoj qe do te perqafohet masivisht nga Shkodra dhe Shkodranet.

Submitted by Dritan (not verified) on

Shkodra me breke nder shale e ujin deri tek beli, e prape do votoje Berishen.

Shkodra ishte njehere e zgjuar, me ardhjen e demokracise u kthy nga injoranca.

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

Po, pse alà ka prep shkodrane ne Shkoder?!?

Mue m'kan thane se shkodrant kan ike ose ne Tirane ose jashte shtetit.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.