Kufiri detar shqiptaro-grek nuk është zhvendosur asnjë milimetër

Këto ditë është rikthyer sërish si objekt debatesh, çështja shumë e përfolur e kufirit detar shqiptaro-grek. Nga njëra anë vijnë lajmet se pala greke ka konkretizuar vendimet përkatëse për fillimin e kërkimeve për naftë dhe hidrokarbure në zonat e veta detare, përfshirë dhe zonën në afërsi të kufijve shqiptaro-grekë, duke licencuar kompaninë norvegjeze “Petrolium-Geo-Services”, e cila prej së hënës ka nisur kërkimet me anijen “Nordic Explorer”. Nga ana tjetër, kryetari i opozitës, z. Edi Rama, në një dalje të tij në publik pardje, duke e konsideruar marrëveshje, madje zonë të minuar për marrëdhëniet mes dy vendeve, një akt që në fakt nuk është aspak marrëveshje, i kërkoi qeverisë shqiptare që të marrë përsipër përgjegjësinë për qorrsokakun që ka vizatuar në hartë dhe të ulet menjëherë, pa humbur asnjë ditë, me fqinjët për të gjetur rrugën e arsyes.
“Rishikimi i hartës, tha ai, dhe vendosja e vijës së kufirit aty ku i jepet fund kësaj gjendjeje të pezullt, me potencial konflikti, është një domosdoshmëri historike”. Më tej shtoi se “100-vjetori i shtetit po e gjen Shqipërinë të cunguar territorialisht. Ashtu siç është detyrim ekskluziv i kësaj qeverie që kufiri i vendosur qorrazi prej saj në dëm të interesit tonë kombëtar, të spostohet në vendin e vet dhe çdo pëllëmbë deti i Shqipërisë të mbetet det i Shqipërisë”.
Për sa i përket nisjes së operacioneve kërkimore nga qeveria greke për zbulimin e hidrokarbureve në det, për të cilat, çuditërisht, nuk thuhet asgjë në deklarimet e mësipërme për kufirin e spostuar, në fakt të pa-spostuar, se qeveria shqiptare e ka detyrë kushtetuese të interesohet pranë palës greke, për të mësuar të vërtetën e asaj që thuhet në media dhe t’ia bëjë të ditur shqiptarëve. Është gjithashtu detyrë kushtetuese e saj që, pavarësisht përgjigjes që do të marrë ose që mund të ketë marrë nga pala greke, të ngarkojë shërbimet e veta kompetente, duke angazhuar edhe specialistët më të mirë të vendit, që të hetojnë konkretisht në vend se si qëndrojnë çështjet në fjalë. Mbi këtë bazë, nëse rezulton që anijet kërkuese në shërbim të palës greke, do të hyjnë edhe në ujërat detare shqiptare, t’i kërkojë me vendosmëri Greqisë që ta shmangë menjëherë një veprim të tillë, i cili në gjuhën juridiko-ndërkombëtare quhet thjesht cenim i sovranitetit territorial të Shqipërisë. Dhe në rast se pas kësaj ndërhyrjeje pala greke do të vazhdojë, qeveria shqiptare duhet të aktivizojë të gjithë instrumentet e vëna në dispozicion nga e drejta ndërkombëtare për ta ndaluar cenimin e sovranitetit territorial shqiptar dhe krijimin e një vatre potencialisht të rrezikshme.
Përsa i përket çështjes së dytë, e cila është konceptuar dhe është shtruar në mënyrë të gabuar, është e domosdoshme të mbahet parasysh vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili citohet, por jo në kontekstin e përshtatshëm. Prej tij del qartë se nuk ka marrëveshje në kuptimin e legjislacionit të brendshëm të Shqipërisë dhe të Greqisë, apo edhe në kuptimin juridiko-ndërkombëtar të fjalës që të krijojë detyrime për ndonjë prej tyre. Ka thjesht vetëm letra, projekte, studime, lista koordinatash etj., që, edhe pse në disa prej tyre ka firma zyrtarësh shqiptarë e grekë, nuk janë e nuk mund të jenë dot marrëveshje. Gjithçka që thuhet nga pala greke apo nga zëdhënësit e saj në politikën shqiptare, se marrëveshja është e vlefshme në vështrim të së drejtës ndërkombëtare është një mashtrim, një alibi që kërkon të fshehë të vërtetën. E drejta ndërkombëtare i konsideron marrëveshjet dhe traktatet ndërkombëtare pjesë të legjislacionit të brendshëm të shteteve, për rrjedhojë akte të detyrueshme për zbatim, vetëm kur ato janë miratuar dhe kur kanë hyrë në fuqi. E ashtuquajtura marrëveshje nuk u bë dot pjesë e së drejtës ndërkombëtare dhe as pjesë e legjislacionit shqiptar dhe grek.
Ajo që përfaqësuesit e qeverisë shqiptare dhe të qeverisë greke firmosën në Tiranë, më 27 prill 2009, mbeti një kujtim i keq për shqiptarët e shpërfillur nga qeveria e tyre dhe një zhgënjim i hidhur për ngazëllimin e parakohshëm të politikanëve grekë. Procedurat e shndërrimit të saj në marrëveshje nuk plotësuan ciklin e nevojshëm juridik. Ajo nuk mundi të ratifikohej nga asnjëra prej palëve, dhe si e tillë nuk u regjistrua as në Sekretariatin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, siç parashikohet nga neni 102 i Kartës së OKB.
Në këto rrethana është gabim dhe nuk duhet thënë në asnjë lloj konteksti që kufiri të spostohet në vendin e vet, ose që Shqipëria është cunguar territorialisht. Juridikisht asgjë e tillë nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë. Kufiri ka mbetur atje ku ishte deri para 27 prillit 2009 dhe nuk është zhvendosur as një milimetër, kurse territorit shqiptar nuk i është hequr asnjë milimetër kub tokë, ujë apo ajër. Ai duhet të shqyrtohet e të përshtatet me realitetet bashkëkohore dhe me parimet dhe normat e së drejtës aktuale të detit nëpërmjet bisedimeve, mbështetur në parimet e barazisë dhe të interesit të ndërsjellë të palëve, duke respektuar tërësinë territoriale dhe sovranitetin kombëtar të tyre, duke përjashtuar mashtrimin, imponimin e kushteve, presionet apo kërcënimet.
Duke u rikthyer në ato që dëgjuam këto ditë, kjo çështje kaq madhore dhe kaq shumë e vështirë nga të gjitha pikëpamjet, veçanërisht nga pikëpamja juridiko-ndërkombëtare, nuk mund të trajtohet e të zgjidhet brenda një kohe të shkurtër, siç kërkohet. Ajo do kohën e vet të domosdoshme. Përndryshe do të kemi sërish të njëjtin rezultat që është kritikuar me të drejtë. Çështjen nuk mund ta zgjidhë vetëm pala shqiptare, siç kërkoi kreu i opozitës. Ajo ç’kishte për të bërë e bëri dhe, siç rezultoi, e bëri shumë keq. Ishte një institucion i pavarur, që fatmirësisht në
atë rast u tregua me të vërtetë i pavarur, Gjykata Kushtetuese, që ndaloi vazhdimin e procedurave.
Ç’kuptim ka që të kërkohet vetëm nga pala shqiptare korrigjimi i “gabimit” të bërë, kur Greqia e ka thënë qartë se është në pritje të zbatimit të Marrëveshjes dhe jo të fillimit të bisedimeve?
Çështje të tilla në marrëdhëniet e shteteve të tjera, me karakteristika të afërta apo të ngjashme me ato që ekzistojnë në bregdetin shqiptaro-grek, kanë zgjatur me vite e me dekada. Konfiguracioni i bregdeteve shqiptar e grek është tepër specifik dhe në literaturën juridiko-ndërkombëtare trajtohet si precedent i vështirësisë së lartë për caktimin e kufirit detar. Po t’i shtojmë këtij faktori edhe atmosferën politike aktualisht të papërshtatshme në marrëdhëniet midis dy vendeve, kuptohet lehtë që asgjë e mirë as për shqiptarët, por as edhe për grekët nuk mund të pritet nga një punë e bërë me ngut, për hir të apelit të së ardhmes, e cila në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye nuk mund të cenohet. Apeli për të ardhmen i duhet bërë në radhë të parë palës greke, e cila duhet ta shohë realisht të ardhmen me qëllim që të mos i rikthehet më të shkuarës së “Megali Idesë”.
Qeveri greke, edhe pse e di shumë mirë që marrëveshja nuk ekziston, shprehet në çdolloj tribune politike brenda e jashtë Greqisë, se ajo duhet zbatuar. Me sa duket, e inkurajuar nga marrja e firmës tre vjet më parë, me mashtrim e me presion, në të ashtuquajturën marrëveshje, e inkurajuar edhe nga heshtja e pakuptimtë e qeverisë shqiptare, shpreson se me të njëjtat mënyra mund ta imponojë atë. Vetëm kështu mund të shpjegohet kuraja që tregohet nga anijet e flotës luftarake greke që, siç thuhet, herë pas here ndalojnë peshkatarët sarandjotë të peshkojnë në ujërat detare shqiptare.
Të gjitha këto tregojnë se grekët nuk i pengon aspak mosekzistenca e marrëveshjes për të vepruar në ujërat detare sipas interesave të tyre, duke shpërfillur ato të palës shqiptare. Qëndrimet e ngurtësuara dhe ekstremisht të ndrojtura të kësaj të fundit, e cila nuk rezulton të ketë reaguar me seriozitetin e duhur janë marrë për dobësi nga pala greke dhe, siç duket, kanë inkurajuar sjelljet e vazhdueshme ekcesive të saj. Ajo nuk ka nguruar që në jo pak raste të ndërmarrë veprime që përbëjnë ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë dhe cenim të sovranitetit të saj territorial. Qëndrueshmëria e marrëdhënieve dhe miqësia e sinqertë ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve imponojnë respektimin rigoroz nga ana e qeverive të tyre, të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë mënyrë këta dy popuj miq, do të ecin drejt të ardhmes së tyre europiane të çliruar nga pengjet e një të kaluare që duhet harruar.
Mapo
Comments
Respekt te plote per profesor
<p>Respekt te plote per profesor Ksenofonin, njeri i ditur dhe me integritet!Atdheu nuk mund te shitet. Ata qe nenshkruan marreveshjen e turpit me Greqine do te denohen nga historia si tradhtare.</p>
eshte e trishtueshme por e
<p>eshte e trishtueshme por e vertete historia e qeverise tone, ne rasporte midis armiqve qe na rrethojne, sepse miq nuk mund te quhen as greqia e aq me pak serbia e mali i zi.</p>
Add new comment