Tenxherja 701

Postuar në 08 Shkurt, 2026 14:22
Skerdilajd Zaimi

 

Në Shqipëri ka aktualisht një idiot të veshur me pushtet gjithfarësh: ekzekutiv, ekonomik, publik dhe parlamentar. Quhet Edi Rama dhe punon si kryeministër, ndërkohë që lehaqenien e ka pasionin e vet natyral.

Një njeri që luan teatër të nivelit të ulët me role origjinale të karakterit të vet: hipokrit, dredharak, i dështuar, lëpirës, zhurmues, fshihet pas gishtit, jeton për fasadën, nuk di të bëjë asgjë mirë veç të bëjë pis gjithë njerëzinë, një amballazh i përjetshëm i vetes të cilën e shpik përherë për nevoja të çastit dhe çasteve. Kuisës zanatçi në opozitë dhe në nevojë, gjëmues vocal në ditët e mira.

Ky individ sot drejton Tenxheren 701 në Shqipëri, prej nga ku llap e llap e llap pa u ndalur. Ka një ngasje perverse - vuan mbase - dhe të sëmurë për të ngacmuar çdo gjë që nuk kalon nga udha e tij, që i bën hije, që e sfidon dhe sidomos që nuk e begenis shumë.

Dikush mund të thotë po si mund të flasësh me këtë gjuhë për kryeministrin? Janë opinione siç do shprehej vetë z. Rama. Nuk janë akuza. Janë opinione. Është idiot sepse duke patur tashmë në kontroll dhe në dorë të gjitha pushtetet, ose për ta korrigjuar: duke patur shumë më shumë pushtet sesa ka patur vite më parë, ky sorollop që vjen vërdallë prej vitesh, nuk arrin dot të vërë rend as për tendat e lokaleve, as për niptet e fermerëve dhe një Agjenci të Ushqimit, edhe pse bubullin se do na çojë satelitë në hapësirë, të cilët me gjasë erdhën vërdallë nëpër orbitë si Sali Berisha dikur kur thyente rekorde qëndrimi në ujë në Dhërmi.

Një idiot të cilit i hëngrën fruta-perimet pa kuptuar gjë. Apo jo?

Ky farë sendi i animuar në politikë, i dha mendje botës për paqen dhe strategjinë – legjitime kjo në fakt pasi të gjithë si shqiptarë e kemi këtë huq – por nuk ia del dot që pas katër mandatesh, pesë, gjashtë? Po ç’a rëndësie ka! Pra pas një përjetësie nuk arrin dot që të sqarohet me shqiptarët për çështje elementare. Si uji në rubineta, mbetjet e inceneratorëve inekzistentë.

Ky lojtar i strategjive, sjell Kushner dhe Ivankën në takime të përqafimeve prej gagareli, u premeton Sazanin, ishullin komplet, por e tërheq Kadastrën e Vlorës në Tiranë.

Do bëjë portin e jahteve, luksozin e lukseve, por sepse iu përmbyt Durrësi për ca puseta a hidrovorë.

I ofroi Italisë zgjidhje strategjike për imigracionin, i erdhën vetëm personeli dhe nja 8 imigrantë që bënë xhrio në Adriatik. Duket gati si novelë, aq të pamundura dhe groteske janë të vërtetat e tenxheres me imunitet, nr.701. Dhe del ky sërish në podcastin e vet çdo të dielë: del e shfryn nga Tenxherja 701, shfryn e shfryn për të sqaruar atë numër shqiptarësh që e kanë të tyrin. Pjesa tjetër ka mbetur si një masë inerte që detyrohet të shohë Grogun në shfaqjen e tij permanente.

I vrerosur për drejtësinë pa drejtësi dhe vendimin pa vendim të Gjykatës Kushtetuese, kundërthënie retorike këto që i ka shumë qejf ky, z. Rama sot njoftoi se do të vazhdojë betejën për të riafirmuar pavarësinë ekzekutive të Parlamentit. Çfarë fjalie! Çfarë përshkrimi! Të kujton ato vitet kur i vogël dëgjoje dikë të fliste për ndonjë formulë apo nocion që tingëllonte si i kontrabanduar nga një botë tjetër.

Sqarimin e kësaj fraze e ka marrë përsipër kapaku i Tenxheres, gazeta “Tema”, që thotë se sipas ekspertëve do të ndërhyhet në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale që flet për pezullimin. Por a nuk thoshte këtë edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuesen në opinionin e vet: pra që garancitë për imunitetin i takojnë ligjvënësit?

Pra se nuk ndërhyhet në pavarësinë ekzekutive të Parlamentit? Nuk është Rul ky në këto idiotizma, është Dajë tashmë. I mbani mend zgjedhjet 2011: fletët e votimit të kontestuara. E fitoi Basha, ky thjesht mori mundësinë për të larë fytyrën me një “humbje në tavolinë”. Mandej fletët e votimit të kontestuara ishin propozim i PS-së(mjeshtrit Damian thonë) për në Kodin e ri Zgjedhor.

Po kur kërkoi falje për ndryshimin e Kushtetutës?! Vazhdon të mos e korrigjojë atë që bëri, tregues i qartë i çorbës së prishur që zien në tenxhere.

Po dekretimin e Gent Cakës? Presidenti vetëm firmos-, thoshte ky veneciani. Ka firmë pa përgjegjësi? Nuk ka nga ta dijë idioti në fjalë, sepse prej kohësh edhe mbledhjet i delegon gjetiu. Pasi e bënë me zor ministër të Jashtëm, propozonte që betimi të bëhej te noteri. Mundet të jetë duke menduar që ta bëjë Diella!

Gjithë kjo zhurmë për një çështje që shfaq sëkëlldinë e dikujt që kujtohet se mund të hash Noc Rrokun aty ku nuk ta pret mendja. Gjithë kjo zhurmë që tenxherja nr.701 të ketë vëmendjen e përjavshme, të flasë, duket, dëgjohet e begeniset si autoriteti i fundëm në një vend që nuk qeveriset. Por bastiset dhe rrëgjohet. Jo nga lufta hibride, as nga ndikimet malinje, por nga idiotizmi dhe ligësia, vogëlsia e shpirtit dhe menuja e veseve të njeriut të Ri që ka vetëm shqisa dhe ekziston vetëm brenda gastrogonisë.

Comments

Submitted by john (not verified) on

Mqs ke shkruar:

Presidenti vetëm firmos-, thoshte ky veneciani.

Ke te drejte per kete dhe te keshilloj mqs kemi kuotuar dhe italine ne mes, te shohesh La Grazia nje film i maturuar politik i Sorrentinos.
Aty do kuptosh se sa e rende eshte firma e presidentit, dhe ate qe duhej te ndodhte brenda tij. Do kuptosh standartin, e nje republike te vjeter sa bota e civilizuar humane, doreheqjen kur duhet pa ta kerkuar, o perlyer me korrupsion. Jemi shume po shume larg nga ato standarte humane ne radhe te pare, lere qeveriberese pastaj.
Ne kemi president nje zhgaravine, helbete vazhdon tradita, qe sikush qe ze karrigen i bie fyellit te tij apo ate qe i japin, dhe qe mendimet i kalojne nga bytha si gastroenterolog qe eshte.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.