Sindroma e esperantizimit të shqipes

Postuar në 04 Korrik, 2012 03:35
Dashnor Kokonozi

Nga fëmijëria ruaj në kujtesë një bisedë me prof. Çabejin. Qëlloi që ndërsa isha në dhomë me të birin e tij, Artanin, profesori erdhi të qëndrojë e bisedojë pak me ne. Ndërkohë, nga radioja e dhomës përtej nisi të dëgjohej një emision lajmesh, ku në gojën e folësit nuk mungonin edhe terma të tillë si ekstra, eveniment, por edhe mjaft të tjera që nuk i kujtoj, mbase nga që nuk i kuptoja. Dikur Artani tha se nuk e shihte gjëkundi interesin e përdorimit të atyre termave, lehtësisht të përkthyeshëm në shqip. Një gjë e tillë u bë shkas i një bisede tërheqëse rreth gjuhës, siç ndodhte shpesh midis tyre, në përfundim të së  cilës profesori kujtoi bisedën që kishte pasur me një dijetar të huaj, i cili kishte ardhur të vizitonte Shqipërinë menjëherë pas Luftës. Ishte dashamirës i vendit, por nuk e njihte shqipen. Gjatë asaj vizite, të dy ishin ndodhur në një zyrë në kohën kur Radio Tirana po transmetonte  lajmet. Vëmendja me të cilën miku i huaj po i ndiqte ato e kishte shtyrë profesorin ta pyesë nëse dëshironte t'i përkthente përse bëhej fjalë. Jo, i qe përgjigjur ai, i mora vesh të gjitha.  

Edhe pa një shembull të tillë, të gjithë jemi dëshmitarë se për arsye historike, gjuha shqipe duhet cilësuar si gjuhë e brishtë, që ka nevojë për tu mbrojtur institucionalisht nga përdoruesit e saj. Ta lësh shqipen pa një mbrojtje të tillë është njëlloj sikur një paraplegjiku t'i heqësh patericat e ta shtysh  në një rrugë me qarkullim të rënduar.  Duhet të kemi kurajë të pranojmë se gjuha shqipe, që në tekstin e Buzukut  i ngjante një esperantoje të kohës.

Dëgjoj të thuhet se Buzuku iu fut punës së tij për ta mbrojtur shqipen nga "presioni turk". Të paktën për atë fazë nuk më rezulton gjësendi e tillë. Përkundrazi, sot e kësaj dite është e vështirë të kuptohet se çfarë e ka shtyrë atin tonë gjuhësor të përdorë fjalën "fëdigohem" në vend të "lodhem". Është e ditur se nuk jemi mjaft të dhënë pas punës, por jo deri në atë farë feje sa askush të mos ishte lodhur ndonjëherë e në këtë mënyrë të pranojmë mosnjohjen e atij fenomeni fiziologjik e për pasojë edhe të termit përkatës për ta shprehur. Në mos Buzuku nuk duket fort i përligjur duke e ka huazuar atë nga italishtja. Edhe më i rëndë është rasti kur ai i ndërkall me dhunë shqipes trajtat foljore të pandryshuara të një gjuhe tjetër. Do të qe e kuptueshme në një farë mënyrë po të shkruante: lauduem clofte..., por jo, ai thotë: Laudi clofte... E pakta gjë që mund të thuhet është se Buzuku ngjan të mos ketë qenë njohësi më i mirë i shqipes së kohës së tij. Gjithsesi më mirë me të se sa pa të.

Shembuj të tillë tregojnë se në kohë të caktuara, për shkak të nivelit të rëndë të infeksionit gjuhës shqipe i është rrezikuar edhe vetë kodi i saj "gjenetik".  Njëqind vjetët e fundit sindroma e esperantizimit të saj është shfaqur më kërcënuese se kurrë.   

Në Shqipëri pushtetet politikë si dhe ata akademikë, nuk është se kanë munguar të shprehin shqetësimin për problemin e fuqizimit të saj. Por ndikimi i ideologjive të ndryshme e ka ulur cilësinë e praktikave që do të përcaktonin  kriteret e hyrjeve të reja në gjuhen shqipe, edhe pse, për mendimin tim, në fonetikë e në sintaksë dëmet janë mjaft më të mëdha por disi më të padukshme për lexuesin e thjeshtë. Personalisht kujtoj me nostalgji mësuesit e mi të gjuhës shqipe dhe fëmijëve ua kam ndaluar rreptësisht (me aq sa më ecën) të dëgjojnë disa radio e televizione shqiptare, ku mënyra e të folurit është larg ritmeve të brendshëm refleksivë të gjuhës shqipe.

Për fat këmbëngulja e individëve të shquar ka qenë më e shëndetshme. Në kohët moderne, në këtë fushë shkëlqen emri i Kristoforidhit, i një suksesi të jashtëzakonshëm paraqitet Naim Frashëri, i cili nganjëherë edhe në kurriz të cilësisë së vargjeve të tij, krijoi e futi në përdorim mjaft fjalë tê reja, më tej, në korrespondencën përkatëse  bie në sy përpjekja e A. Zogut për themelimin e një "zhargoni" administrativ me terma shqip, me vlerë të përhershme mbeten punimet e A. Xhuvanit e E. Çabejit etj..

Në nivele të tjera nuk mund të lihet në hije puna e komisionit të Terminologjisë së Institutit të Studimeve Shqiptare, që diku nga fillimi i viteve ’40 hartoi programin më të gjerë të njohur deri atëherë në neologji dhe propozoi një numër prej rreth 400 fjalësh të reja, nga të cilat na kanë mbetur hyrje të tilla si bujtinë etj., por edhe më të shumta janë ato që u harruan për shkak të një optike radikale që ishte përdorur. Pastaj duke folur shumë keq për punën e këtij Instituti një institut tjetër shqiptar, ai i Gjuhësisë, diku nga vitet ’60, ndonëse në mënyrë më namuzqare, përpiloi listën e tij të neologjizmave, që më fort kishte për qëllim sterilizimin e gjuhës shqipe. Kujtesa qytetare ka ruajtur si monumentet e Ishullit të Pashkëve neologjizma të tilla si Katërrotak vetëlëvizës, sajesë gjenetikisht e dalë doret, të cilës iu besua roli i kamikazit të asgjësojë fjalën automobil.  

Në të dy rastet duhet thënë se u punua me një lloj qëllimi të pashprehur përjashtues. Logjika e purizmit radikal veproi  si "krahu i armatosur" i punës për mirëmbajtjen e gjuhës.

Në të vërtetë, Prof. Çabej që në mesin e viteve '70 kishte kërkuar krijimin e një komisioni që të merrej me këtë problem. Ai u krijua, por kryetar u zgjodh një antar i Byrosë Politike, M. Myftiu, të cilit mbase nuk i mungonte dëshira, por kaq gjë nuk mjaftonte.

Në mendje më vijnë emrat e dy autoriteteve gjuhësorë si ai i E. Lafes dhe Xh. Lloshit. Ky i fundit tregohet më i hapur ndaj zhvillimeve të reja dhe më i gatshëm të rishikojë praktikat e dikurshme. Është ky që ka formuluar më pas idenë se:  Pastrimi i gjuhës është politikë gjuhësore, që ka të bëjë me kodin dhe me kodifikimin. Purizmi është thjesht politikë. Lafe nga ana e tij, në mënyrë të pakuptueshme, i merr gati si sulme personale shqetësimet që ngrihen në ditët tona dhe refuzon të shprehet. Kur e bën një gjë të tillë, ai e quan të arsyeshme të thotë se çdo gjë e mirë është bërë në të kaluarën. Nuk më takon mua t'i them se realitetet  gjuhësore  studiohen e nuk gjykohen, aq më pak paragjykohen.

Më tej, zhvillimet tronditëse historike të fillimit të viteve ’90 nuk mund të mos shkaktonin edhe një lloj “lëshimi freri” në këtë lëmë, por përsëri ka shenja që tregojnë se problemet e brendshme të gjuhës  po tërheqin vëmendjen që meritojnë. Prej specialistëve të gjuhësisë kohët e fundit bien në sy artikujt e A. Vehbiut, i cili i është kthyer disa herë problemit të neologjizmave në gjuhën shqipe.

Nëse e kam kuptuar mirë, duhen veçuar tre ide themelore në ndërhyrjet e tij; që shqipja për të përkthyer terminologjinë që i nevojitet, për hyrjet apo konceptet e reja duhet të operojë duke i formuluar ato me më shumë se një fjalë, që fjalët e vjetra apo “plakat” siç i cilëson ai, nuk janë domosdoshmërisht të mirëseardhura (se ndryshe nuk kishin pse të dilnin nga përdorimi ) dhe së fundi se nuk duhet pasur frikë nga përdorimi i fjalëve të huaja.

Këto ide më duken mjaft me interes për të zhbllokuar një sërë konceptesh që janë lidhur pisk e nuk po lënë të ecet me një logjikë të pranueshme nga të gjithë, por besoj se ka vend për të rishikuar rolin e ndonjë “plake” në të ardhmen. Kujtoj se pas viteve ’90 në gjuhën shqipe u rikthye me një përdorimi tepër intensiv (në fushën juridike) termi “tagër” (ngjan më fort të jetë një barbarizëm i birësuar me sukses nga shqipja). Në të vërtetë në legjislacionin e Monarkisë, ai term kishte vendin e vet në dokumentet juridike, por të gjithë kujtojnë se si u zhduk për gati gjysmë shekulli, për të na ardhur me një shkëlqim dhe formë të pazëvendësueshme në ditët tona. Jo pa interes është edhe rishfaqja e foljes mataroj (që pas vdekjes së gjyshes sime në fillim të viteve ’60 nuk e kisha dëgjuar më), për të zëvendësuar të  patretshmet  manazhoj, gjestionoj etj. Ka mundësi që edhe ai vetë të jetë huazim , por këtu dua të kujtoj një mendim të Çabejit që thoshte që në raste të tilla më fort duhet parapëlqyer huazimi më i vjetër.

Është e tepërt të thuhet se në epokën e globalizimit me të tilla probleme ndeshen pothuaj të gjitha vendet, por gjithsesi nuk duhet të ngushëllohemi nga një gjë e tillë dhe të ushqejmë shpresën naive se të gjithë rrezikohemi njëlloj. Nuk është e vërtetë. Gjuhë të tilla si shqipja pa traditë të gjatë shkrimore, e folur nga një shoqëri që nuk është  dalluar për rrahje mendimesh, pa qendra të vërteta universitare që të përpunojnë koncepte të reja, historikisht pa mendim filozofik e sociologjik,  ajo pra, gjuha shqipe rrezikon më shumë se të tjerat që në një të afërme jo fort të largët të mbetet si ato dialektet e anasve të Amerikës, me të cilat ata komunikojnë midis tyre, por me të dalë te dera e shtëpisë e kanë gati të pamundur ekzistencën pa përdorimin e spanjishtes apo anglishtes .

Pak muaj më parë në Gazetën Zyrtare të Republikës Franceze u bë i njohur vendimi i Komisionit të Përgjithshëm të Terminologjisë dhe Neologjisë për të emëruar me fjalët  “rrasë” ose “pllakë” (përkatësisht, tablette dhe ardoise) kompjuterin e sheshtë të firmës “Apple“, të njohur me emrin “Ipad”.

Ç'është e vërteta, sot pas kaq muajsh, jam dëshmitar i privilegjuar e mund të pohoj se ky propozim nuk ka ngjitur fare, por rastin e mësipërm e solla si shembull për mbrojtjen që i jepet edhe gjuhëve mjaft më të zhvilluara nga trysnitë e jashtme. Personalisht mendoj se më mirë të ketë një mbrojtje të tepruar se sa të mos ketë fare.

E vërteta është se mënyra se si lindin fjalët e reja, si bëhet përzgjedhja e atyre që u zgjatet jeta nëpërmjet riciklimit, mënyra si bëhet zgjerimi i bazës semantike (rasti i Ipad-it), mbetet një proces enigmatik dhe pa një shpjegim të vërtetë. Jeta e përditshme është plot shembuj me të vërtetë të habitshëm e pa asnjë rregullsi në lindjen e fjalëve të reja. Diku nga fillimi i viteve ’80 pyeta një profesorin tim të spanjishtes (spanjoll ai vetë) se çfarë mendimi kishte për gjuhën e emisioneve të spanjishtes që transmetonte Radio Tirana. Flitet albanjol, më tha. Për së jashtmi duket si një krijim spontan, por nuk kam bindjen se qe i tillë. As neologjizma e Berishës bllokqen, që, siç më kanë treguar, ai e lëshoi një ditë ndërsa po debatonte me disa deputetë opozitarë, nuk duhet të jetë aq i thjeshtë e spontan sa lë përshtypjen.

Të gjithë e kujtojnë se kur sapo filloi lëvizja për demokraci asaj nisën t’i kundërvihen  në mënyrën e tyre “Vullnetarët e Enverit” që u shfaqen qyteteve të vendit si procesione mesjetare me buste në krahë. Shumë shpejt u cilësuan si “shpellorë”, dhe jam i sigurt se ai që e përdori i pari këtë term as që e dinte se i kishte dhënë jetë një lloj neologjizmi semantik. Më tej, kur si vend i vetëm proteste për opozitën e majtë në fillim të viteve ’90 qeveria demokratike linte vetëm Bregun e Lumit atëherë sistemi i ri politik nisi të cilësohet prej saj (opozitës së majtë) si “demokraturë”. Por mund të ndodhë edhe që neologjizmi i djeshëm të shndërrohet në arkaizëm. Moshatarëve të mi u kujtohet mirë jo vetëm fjala tollon por edhe emocionet e natyrës  “ushqimore” që shkaktonte ajo. E pra, sot ajo është shndërruar në arkaizëm. Dhe shpresojmë të mbetet gjithnjë e tillë!

Nuk është e largët koha kur diskutohej edhe nëse në origjinë të krijimit të fjalëve ishte Zoti apo Njeriu. Te kreu i parë i Zanafillës thuhet se Zoti bëri dritën dhe e quajti Ditë, bëri errësirën dhe e quajti Natë. Vërtet pak i arbitrarisht, por jo mundim i humbur,them, se ashtu i quajmë edhe ne sot. Megjithatë as Ai nuk  ka dhënë shpjegime për metodën e tij. Çomsky më 1959 foli për hipotezën gjenetike të rrënjëve të gjuhës njerëzore,  Saussure, fort i bezdisur nga kjo zallahi shkoi e mori pjesë në hapjen e trupave të të vdekurve për të kuptuar nëse aparati folës te njeriu ishte i lindur apo rezultat i evolucionit, disa kërkime të viteve të fundit dhe veçanërisht veçimi i gjenit FOXP2 që luan rol në procesin e të folurit dhanë disa përgjigje, por megjithatë procesi dhe aftësia jonë për të krijuar fjalë, mbetet pa një shpjegim bindës.

Në këto kushte, me sa duket specialistët hoqën dorë nga përpjekjet për tu ngjitur (mundet edhe zbritur, po deshët) te rrënjët e këtij problemi dhe nisën të shohin më nga afër praktikën e përditshme dhe të përcaktonin një sërë trasesh që duheshin ndjekur.

Duke u kthyer te delet tona vërehet se mendimet e Vehbiut që cituam më sipër formulojnë pistat e dobishme të një praktike interesante. Më tej më pëlqen të veçoj André Martinet që përpunoi konceptin e “fjalëve gramatikore” që u përkasin “serive të mbyllura” dhe “fjalëve leksikore” që mbeten fusha e veprimit të neologjisë e që ndryshe cilësohen edhe si “seri të hapura”. Në rastin e parë, ai fut përemrat, lakimet apo pozicionet e ndryshme zgjedhore të cilët vështirë se mund të ndryshohen në një kohë të shkurtër.  Për ne interes kanë ato që quhen “seri  të hapura”. Aty gjendet fondi që krijohet  me burimet morfologjike të gjuhës, gjë që shpesh herë quhet edhe neologjia klasike apo formale. Pastaj kemi rastin tjetër kur fjalëve ekzistuese u japim kuptime të tjera plotësuese, gjë që njihet me emrin neologjia semantike dhe së fundi kemi pasurimin e gjuhës duke huazuar nga një dialekt apo gjuhë e huaj. Gjithsesi, në pikën e dytë, kur një fjale të vjetër i jepet kuptim i ri, duhet thënë se kufiri i neologjisë me atë të polisemisë, nuk është fort i qartë. Të paktën për mua.

E bëra këtë paraqitje për të vënë në dukje se një nga idetë e Vehbiut për të plotësuar nevojat e përkthimit dhe shpjegimit të termave të caktuara duke përdorur formulime më shumë se me një fjalë, del të jetë një ide që mund të sjellë rezultate interesante në përkthimin e disa teksteve veçanërisht të vështira. Me këtë rast kujtoj problemin e madh që i doli Avicenës kur iu desh të përkthente fjalën verë  të një teksti latin në arabisht. Ishte fjala për një pije që kultura islame nuk e njihte. Me këtë rast ai përdori disa fjalë.

I vetmi dyshim që kam në gatishmërinë afatgjatë të kësaj metode vjen nga ai që quhet parimi i ekonomisë gjuhësore, një ligjësi e brendshme e gjuhës që synon përdorimin e mekanizmave zvogëluese për unitetet leksikore tepër të gjata.  Megjithatë nuk besoj se ky ligj vepron në mënyrë arbitrare. Ka nga ata që i bien shkurt dhe janë të mendimit se nuk ka asgjë tronditëse po qe se djalin e tezes do ta quajmë tezak, por nuk besoj se do të arrihet deri atje sa çunin e dajës ta quajmë dajak! (I solla këto shembuj të gjetur në internet vetëm për të shpjeguar mekanizmin e parimit të ekonomisë gjuhësore)

Këtyre rrugëve do t’u shtoja edhe një tjetër nga xhepi im. Kuptimi i ri që marrin një numër fjalësh, ndërkohë që ai i vjetri u harrohet krejtësisht. Këtu dua të sjell fjalën “i çoroditur”, fjalë e cila, sipas gjuhëtarëve të vjetër kishte kuptimin “i bastarduar, i zvetënuar” dhe madje ata protestonin pse përdorej në një kuptim tjetër. Në të vërtetë Fjalori i 1980-ës jep kuptimin e parë i prishur, i zvetënuar, por shton edhe kuptimin e dytë, i trullosur, i hutuar, i çorientuar. Është e tepërt të them se unë nuk di që ndokush ta përdorë atë fjalë në kuptimin e parë, por në mungesë të një Fjalori Historik të gjuhës Shqipe, kësaj fjale i bashkëngjitet edhe një shpjegim tashmë i papërdorshëm (ai i Fjalorit të vitit 1954) si të qe pjesë e fondit veprues, gjë që nuk më rezulton e vërtetë.

Problemi i huazimeve ka qenë ai që ka ndezur më shumë polemika por shpesh motivet kanë qenë jashtë gjuhësore. Rilindësit përgjithësisht ishin fort alergjikë ndaj turqizmave, frankofonët dhe gjermanofonët kishin prirjet e tyre të kuptueshme gjuhësore, ndërkohë që koncepteve të tilla si ai i hozrashotit në ekonominë socialiste qe e vështirë t’u kaloje anash ndërkohë që edhe ekonomia e vendit udhëhiqej nga parimet e një libri të famshëm të Stalinit mbi ekonominë e BRSS-së, ku hozrashotit i besoheshin çudira ekonomike.

Por në këtë mes ka fort pak gjëra për të qortuar. Neologjia në parim është krejt e paanshme në çështjet e politikës gjuhësore. Ajo i përgjigjet një nevoje, thotë J. Pruvost, është utilitare.

Me tej, duke i hedhur një sy shtypit të përditshëm kupton se në të vërtetë, udhët e krijimit të neologjizmave u ngjajnë së tepërmi udhëve të Zotit: ato janë enigmatike dhe të panumërta!

Kur flasim për Selinë rozë dhe me një gjë të tillë nënkuptojnë PS, unë nuk e di mbi çfarë kriteri duhet të arsyetojmë për të thënë se nuk kemi një neologjizëm. Kështu, kur ndodhte që ndonjë shkrimtar si Kadareja prapashtesën e njohur të shqipes “najë” ia bashkëngjiste fjalës ”thashetheme” dhe krijonte   thashethemnajë, kjo me të vërtetë shënjonte fort shpirtrat e lexuesve të tij të shumtë, që nuk ngurronin ta përdornin në bisedat e përditshme, ndonëse fjala ngjan të jetë më fort e natyrës librore.

Dhe rastet e tilla janë me dhjetëra e dhjetëra.   

Aftësitë dhe mjetet e çdo gjuhe për të përkthyer a integruar fjalë të reja nuk janë të njëjta. Që më 1750 Volteri fliste për aftësinë dhe “përkulshmërinë e italishtes për të përkthyer gjithçka”. Madje ka nga ata flasin për “kompleksin e San Françeskos” me të cilin nënkuptojnë rëndësinë e madhe që marrin passhtesat zvogëluese a zmadhuese, sipas rastit. Gjermanishtja njihet për aftësitë e saj glutinuese që e merr një fjalë të huaj, e mbllaçit me mjetet e lëngjet e veta dhe e hedh në përdorim pa krijuar asnjë notë fallco për veshin e atij që e dëgjon. Shqiptarët kur ecin rrugëve të Nju Jorkut flasin për “billdingjet”, para kompjuterit “sejvojnë”, ndërkohë që gazetat flasin për “eurosongun” për  “vepra eternale”, “duble standartin” si dhe  sjellin në faqet e tyre qindra italianizma që shmangen me lehtësi. Këtu më shumë se  për aftësi të pakta integruese të shqipes duhet folur për ngathtësi intelektuale të atyre që e (keq) përdorin në këtë farë feje, sa i rëndojnë dukshëm shenjat klinike të sindromës së esperantizimit të saj.

Gjithsesi neologjia mbetet si një proces i brendshëm i çdo gjuhe me një ligjshmëri pa shumë lidhje me gjuhët e tjera. Kjo me sa duket është arsyeja pse nuk dëgjojmë ndonjëherë për ndonjë kongres ndërkombëtar të neologjisë. Megjithatë sa për të gjetur një “rregull botëror” po përmendim idenë se një gjuhë që nuk zhvillohet shpejt kthehet në një gjuhë të vdekur. Në këtë rast neologjia jo vetëm që reflekton progresin e një gjuhe dhe të shoqërisë së e flet, por në vetvete ajo shfaqet edhe si një mekanizëm mbijetese i vetë gjuhës, si rruga e shëlbimit të saj.

Së fundi do të desha të vë në dukje se nuk duhet harruar se në fondin gjuhësor vepron i njëjti ligj sikundër në botën e financës: Monedha e keqe e zbon monedhën e mirë. Një sërë nocionesh dhe termash të huaja, në kuptimin afatshkurtër, është më e lehtë të merren të gatshme nga një gjuhë tjetër, por me kohë kjo nxjerr jashtë loje potencialet dhe burimet e gjuhës së vendit. Nganjëherë një fjalë e re shqipe ngjan pak e çuditshme në fillim, por për këtë fenomen, që në kohën e tij Kristoforidhi thoshte se është i përkohshëm, me kohë veshi mësohet.

Kjo është arsyeja që pasurimi dhe evolucioni i gjuhës, një proces i natyrshëm ky, nuk i duhet lënë më rastësisë. Problemet me të cilat ndeshet sot një gjuhë nuk janë më ato të shekullit të kaluar. Gjuha shqipe duhet shoqëruar e mbështetur. Dhe këtu nuk kam parasysh dhe as ndikohem nga rasti francez, ku çështjet gjuhësore janë pothuaj çështje shtetërore, por do të desha të sjell rastin e frëngjishtes së Kebekut,  të cilën e shoh më afër shqipes. Në kushtet e një ndikimi dhe kontaminimi intensiv nga anglishtja që po rrezikonte së tepërmi ekzistencën e saj shkencëtarët dhe klasa politike iu përgjigj nëpërmjet atij që u quajt Revolucioni i qetë, që erdhi si pasojë e ligjit 101 të vitit 1977, ku neologjia mori një rol të dorës së parë. Gjuha shqipe nuk më duket se është larg këtij rasti.

Larg është ndjenja e përgjegjësisë së atyre që kanë tagër ta mbrojnë atë.

Marrë nga Milosao e GSH-së

Comments

Submitted by Milan77 (not verified) on

<p>Po i si i behet qe te hiqen nga perdorimi fjalet komplet pa lidhje qe perdoren neper televizione si performance, performoj, anunçoj, puntate e ku di une se cfare.&nbsp; Te degjosh lajme dhe spektakle televizive ne Shqiperi eshte nje bastardim i vertete i gjuhes.</p>

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Jeni te lezetshem ju te Respublikes. Ne nje jave botoni 3 artikuj per gjuhen edhe nje cerek artikulli per ekonomine. Merruni seriozisht me ekonomine, o shqipo, se vetem gjuhet e barkthareve zhduken.&nbsp;</p><p>&nbsp;</p><p>&nbsp;</p>

Submitted by Sulo G. (not verified) on

<p>Ke te drejte sh. Enver, ate te shohin, ekonomine, se te tjerat di &nbsp;Partia.</p>

Submitted by J.D. (not verified) on

<p>Të korrigjojë z. Kokonozi, me gjithë këtë mund që ka bërë, më duket pak e rëndë, por po e them. Unë e di se shqip thuhet &quot;tri ide&quot; dhe jo &quot;tre ide&quot;, sikurse e ka thënë z. Kokonozi. Sidoqoftë, unë vlerësoj se ia vlejti që e lexova. Falem nderit <em>Res Publica!</em></p>

Submitted by Gjuhetari (not verified) on

<p>Artikull i mbushur plot me gabime. Autori ben mire te merret me profesionin e tij e te mos behet ekspert atje ku e shumta mund te quhet diletant. Marrezirat dhe gabimet jane aq te shumta sa do te duheshin faqe te tera per t&#39;i shtjelluar. Po permend vetem njerin: Ne vitin 1959 kur shkruante Chomsky, Saussure-it i ishin tretur edhe eshtrat! Qenkesh ngritur nga varri per te hedhur poshte teorine e Chomsky-t!</p>

Submitted by Gjon (not verified) on

<p>Autori i artikullit shkruan :</p><p><em>&quot;Dëgjoj të thuhet se Buzuku iu fut punës së tij për ta mbrojtur shqipen nga &quot;presioni turk&quot;. Të paktën për atë fazë nuk më rezulton gjësendi e tillë. Përkundrazi, sot e kësaj dite është e vështirë të kuptohet se çfarë e ka shtyrë atin tonë gjuhësor të përdorë fjalën &quot;fëdigohem&quot; në vend të &quot;lodhem&quot;. Është e ditur se nuk jemi mjaft të dhënë pas punës, por jo deri në atë farë feje sa askush të mos ishte lodhur ndonjëherë e në këtë mënyrë të pranojmë mosnjohjen e atij fenomeni fiziologjik e për pasojë edhe të termit përkatës për ta shprehur. Në mos Buzuku nuk duket fort i përligjur duke e ka huazuar atë nga italishtja. Edhe më i rëndë është rasti kur ai i ndërkall me dhunë shqipes trajtat foljore të pandryshuara të një gjuhe tjetër. Do të qe e kuptueshme në një farë mënyrë po të shkruante: lauduem clofte..., por jo, ai thotë: Laudi clofte... E pakta gjë që mund të thuhet është se Buzuku ngjan të mos ketë qenë njohësi më i mirë i shqipes së kohës së tij. Gjithsesi më mirë me të se sa pa të.&quot;</em></p><p><em>Nje studiues i gjuhes apo nje filolog nuk mund te niset nga nje &quot;degjoj te thuhet&quot; per te formuluar nje opinion mbi vepren apo qellimet e Buzukut. Cilat jane faktet, dokumentet apo elemente te tjere bindes ne te cilet mbeshteten argumentet e Kokonozit?</em></p><p><em>Te shkruash qe perdorimi i &quot;fedigohem&quot; vjen si shkak i mosnjohjes se shqipes nga ana e Buzukut, me duket nje teze jo shume e qendrueshme, pasi ky term mund te ishte perdorur pikerisht per te komunikuar nje efekt me te forte nga ai qe trasmeton tek lexuesi termi&nbsp; shqip &quot;lodhem&quot;, biles, per mendimin tim fjala shqipe me pershtatshme do te ishte &quot;munduar&quot;. Pra,&nbsp;ka mundesi qe fjala e huaj ne kete rast eshte perdorur pikerisht per te terhequr vemendjen&nbsp;mbi&nbsp;punen &nbsp;e madhe te kryer nga&nbsp;Buzuku.</em></p><p><em>&nbsp;Gjithashtu edhe persa i perket rastit &quot;laudi clofte...&quot; ka mundesi qe te jete perdorur keshtu me vetedije, duke preferuar nje emer ne vend te nje folje pasi shpesh ne lutjet katolike mund te gjejme kete forme pa trajten e shkurter &quot;i&quot; : &quot;laudi (i ) clofte.</em></p><p><em>Te shkruash: &quot;Buzuku ngjan të mos ketë qenë njohësi më i mirë i shqipes së kohës së tij&quot; nuk ka asnje kuptim pasi Buzuku nuk eshte&nbsp;i famshen &nbsp;si njohesi me i mire i shqipes por si autori i dokumentit me te vjeter te shqipes se shkruar.</em></p><p>&nbsp;</p><p><em>Po e mbyll ketu, pasi artikulli ka edhe shume aspekte te tjera jo shume bindese qe mund te diskutohen.</em></p><p><em>Gjithsesi&nbsp;me mire me te(Kokonozin) sesa pa te , </em></p><p>&nbsp;</p>

Submitted by emiliano (not verified) on

<p>Duket se e ka shkruar shpejt, po ca gjera nuk me kishte shkuar mendje, &nbsp;ishin te leztshme.</p>

Submitted by Elias (not verified) on

<p>Ej gjuhetaro, i forte je, po nuk tregon se je ne fakt gjuetar. Kap nji date, bile nji rreshtim dhe del e shtin si kodra mbas bregut, pa na thone nji fjale si gjuetar. Po kushedi je edhe gjuhetar, se fale jush nuk po dime si te shkruajme sot.</p>

Submitted by gjergj (not verified) on

<p>Vetem mos na shkruani se eksperte ketu! Thoni qe ne fillim se jemi amatore, sic une e theksoj qe tani e askush nuk do ju marre inat. Po marr vetem nje verejtje te autorit te shkrimit: &quot;Laudi&quot; eshte nje fjale, qe ne shqip do kete hyre me kohe para Buzukut dhe te akuzosh Buzukun per mosnjohes te shqipes eshte mjerim i madh intelektual. Buzuku aty LAUDI e ka per LAVDI, pasi ne mesjete ende perdorej nderkembimi V-U, dhe shqipja sot perdor nje cerdhe te tere me kete fjale si Lavdim, lavderate, lëvdate etj.&nbsp; Kini kujdes me Buzukun e madh se aty digjesh lehte.</p>

Submitted by A. Demalia (not verified) on

<p>&nbsp;</p><p>Gjergj mendoje edhe nje here kete pune para se ta nxjerresh Buzukun kaqol fare. &nbsp;Ku ke pare te thuhet: Lavdi qofte...! &nbsp;</p><p>Shih origjinalin qe te kuptosh se ai ka dashur te thote: I levduar qofte, ose Levduar qofte...,por ka perdorur nje trejte te pandryshuar te nje gjuhe qe nuk flitej ne Shqiperi. Ku e ke mesuar latinishten mesjetare?</p><p>&nbsp;</p>

Submitted by S. Isaku (not verified) on

<p>Merreni shtruar djema. Eshte e vertete se Buzuku nuk eshte Luter apo &nbsp;ndonje tjeter autor perkthimi te Bibles ne gjuhet kombetare, qe sot shihen edhe si baballare de themelues te atyre &nbsp;gjuheve. Shqipen askush nuk e ka mesuar nga Buzuku. Vlera e tij ne kete drejtim eshte e kufizuar (mbetet historike, kulturore,krahasimore etj.), biles ka nga ata qe thone se mbase nuk e ka mesuar shqipen ne Shqiperi por ne diaspore, gje qe shpjegon edhe barbarizmat e forta e te pajusifikuara, por atij nuk mund t&#39;i mohosh dashurine per ate gjuhe dhe per ate vend.</p><p>Por kam pershtypjen se ketu nuk po flitet per dashuri dhe patriotizem por per nje problem konkret &nbsp;dhe kercenues per gjuhen shqipe, me te cilin &nbsp;askush nuk po merret seriozisht. Cudia eshte se te gjithe kerkojne te gjejne gabime redaktimi e askush nuk shprehet se çfere mund te behet.</p>

Submitted by Bageti e Bujqesi (not verified) on

<p>Shembullin me Avicenen qe nuk perkthen dot nga latinishtja fjalen &#39;vere&#39;, sepse kultura islamike nuk e njihka kete fjale, e keni komplet gabim.</p><p>Avicena eshte perkthyer ne latinisht, dhe nuk ka perkthyer nga latinishtja (gjuhe qe as qe e ka ditur). Plus pastaj qe fjalen &#39;vere&#39; e permban edhe Kurani, po perpara Kuranit, gati cdo poezi arabe.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.