Një diskutim për "identitetin ballkanik"

Në një punim të vitit të kaluar në revistën e Akademisë Serbe të Shkencave, “Balcanica”, autori Slobodan G. Markoviç shtron një pyetje me rëndësi dhe gjerësisht të injoruar nga ideologjia e historiofrafisë shqiptare: A ka një kulturë të përbashkët Ballkanike?
Duke bërë një kalim të shpejtë mbi nismat institucionale për studimet ballkanike, ndërmarrë në periudhën mes dy luftrave botërore, nisur me katër konferenca për Ballkanin në vitet 1930-1933, Markoviç shënon si datë të shfaqjes së Ballkanologjisë themelimin më 1934 të Revistës Ndërkombëtare të Studimeve Ballkanike në Beograd. Ngjashëm në Rumani u krijua tre vjet më vonë një Institut Kërkimesh, në Munih u krijua më 1930 Instituti për Studimet e Europës Juglindore. Kjo përpjekje vazhdoi më vonë me afirmimin e studimeve ballkanike në vitet ’60 të shekullit të 20-të nën regjimet komuniste në Rumani, Bullgari dhe më vonë ish-Jugosllavi.
Një qasje e parë mbi të Përbashkëtën apo Identitetin ballkanik nëse një të tillë ka, ishte ajo e akademikut të mirënjohur serb, Johan Cvijic që mendohet se ka qenë ndër të parë studiues që prezantoi në Europë edhe termin: Mentalitet. Monografia e tij e vitit 1918 merrej me identifikimin e një njësi kulturore ballkanike nën veprimin historik të kulturave të tjera. Duke vlerësuar mungesën e vijueshmërisë së së ndikimeve qytetërimore në Ballkan, Cvijiç identifikonte dy zona kryesore mes kristianëve ballkanikë: Zona e Ballkanit të Vjetër, apo Qytetërimit Bizantin dhe Zona e Regjimit Patriarkal.
Sipas tij pellgu bizantin njësohej me qytetërimin ballkanik par excellence, me Ballkanizmin “në kuptimin e vërtetë të fjalës”, gjendur mes grekëve, rumunëve romanë dhe arumunëve. Ai ndikoi sllavët e jugut në Mesjetë, por pati një ndikim më të madhe në shtetin bullgar sesa atë serb.
Zona Patriarkale lidhet me regjimin e Zadrugave, term ky që u prezantua relativisht vonë dhe popullarizuar mes studiuesve më tepër sesa njerëzve të thjeshtë.
Bizanti e unifikoi rajonin nën një kurorë për më shumë se një 125 vjet dhe vetëm në tri momente: 538-602; 1018-1070; 1172-1180 por ndikimi efektiv i tij konkkurohet në historiografi nga aureola mijëvjeçare e ekzistencës, aq sa Dimitri Obolensky foli për një Komonuelth Orthodhoks. Propozimi më provokues në çdo aspekt u bë megjithatë në vitin 1967 nga Traian Stoianoviç me sugjerimin e tezës së Qytetërimit Ballkanik, një vepër e shumë-analizuar edhe nga studiues perëndimorë. Stoianoviç foli për pesë struktura që ndërvepronin dhe pasonin njëra-tjetërn në mënyrë krijuese të Qytetërimit Ballkanik. Brenda çdo strukture ai dallonte “një sistem të veçantë koherencash” duke nisur që nga Neoliti, elementë të të cilit depërtojnë dhe transhendojnë individualitetet. Stoianoviç vuri ndoshta më mirë në dukje nevojën për ta parë identitin ballkanik përtej emëruesit politik dhe kulturor.
Vepra e tij erdhi në vështrim kritik pasi ajo nuk ndan mirë nëse evidenton një qytetërim të mëvetshëm ballkanik, apo përshkruan një histori të botës në këtë rajon. Tema e njësisë ballkanike si e mëvetshme dhe qartësisht e përkufzueshme mbeti pezull.
Një kontribut për të kuptuar të ashtuquajturin mentalitet ballkanik u dha nga Paschalis Kitromilides, një ekspert i njohur i Iluminizimit Helenofon. Ai hulumtoi “identitetin ballkanik” përpara periudhës së shteteve- komb duke konstatuar lehtësinë me të cilin “njerëzit kapërcenin kufijtë gjuhësorë të rajonit dhe natyrën e ndryshueshme të identiteteve gjuhësorë”. Ai iu referua shkrimtarëve të vjetër kristianë si Dapontes, Sofron i Vratsës dhe Prota Nenadoviç, për të nxjerrë në pah të përbashkëta të tilla si: një sens i kohës i përklufizuar nga kalendari ekleziastik; prania e mbinatyrores, “e integruar në përvojën e përditshme përmes kërkimit të vazhdueshëm të ndërhyrjes mrekullibërëse”; organizimi i jetës individuale përqark jetës së shenjtë të Kishës.
Shekullarizmi i shekullit të 19-të dhe mandej nacionalizmi, i dha një goditje të thellë këtij “orthodhoksizmi të përbashkët”.
Në vija të përgjithshme trajtesa e Markoviç është kronologjike dhe nuk sugjeron diçka të re. Ajo nuk ka as pretendimin e një eseje zhvilluese të temës në fjalë, që megjithatë mbetet interesante dhe e rëndësishme.
Debati mbi ballkanizmin, studimet ballkanologjike dhe identitetin ballkanik në rrafsh historik vjen i huaj në Shqipëri, ku qëndron e pasfiduar teza gati e absolutizuar e një autoktonie lineare, zhvilluar në rivalitet dhe antagonizëm absurd me të gjithë fqinjët, të cilët shihen si postum në historinë e vjetër të rajonit. Kjo pavarësisht faktit të provuar shkencërisht të ndikimit të ndërsjellë gjuhësor mes sllavëve dhe shqiptarëve.
Me të njëjtin ostracizëm shihet edhe periudha osmane që u injouar gjatë si “kohë pushtimi” si mish i huaj në identitetin frigoferik të shqiptarëve dhe si një epokë e errët devijimi nga “kursi i duhur historik”.
Megjithatë ballkanizmi i shqiptarëve si aspekt i ndërveprimit të tyre, nuk mund t’i shpëtojë shqytimit historiografik. Ai ka gjasa të jetë kontribues dhe shpjegues i shumë elementëve të tij, për aq sa ky term qëndron jo në vetvete, por në krahasim me qytetërimet që kanë vepruar në rajon. Edhe Markoviç pranon se ballkanologjia në vetvete është disiplinë komparative, çka nënkupton vështirësinë në identifikimin e një kuadri historik dhe kulturor që vepron në mëyrë koherente dhe përfshirëse mbi të gjithë rajonin, aq sa shoqëritë e tij të identifikohen me të.
Të trajtosh historinë e një shoqërie të veçuar nga konteksti rajonal, apo në antagonizëm kulturor me të është zgjedhje politike dhe jo përfundim shkencor. Nga kjo pikëpamje, mohimi i studimeve ballkanologjike në favor të një albanologjie ekskluzive dhe përjashtuese gati nuk i përgjigjet ndonjë të vërtete. Ajo thjesht sa e provincializon perceptimin tonë për veten.
-skerdilajd zaimi-
Add new comment