Gjykata Kushtetuese Popullore

Postuar në 07 Shkurt, 2026 16:33
Skerdilajd Zaimi

 

Dikur ka patur dy prokurori: Publike dhe Popullore. Sot populli shqiptar ka dy gjykata kushtetuese. Njëra që paguhet nga buxheti dhe tjetra në rrjetet sociale, e përbërë nga jurisë, konstitucionalistë freelance që paguhen nga fryma e shenjtë dhe dëshira e mirë për mëmëdhenë. Le ta quajmë zotin Ylli Manjani kryetarin e Gjykatës Kushtetuese 2.0 për shkak të prononcimeve të tij të vazhdueshme për çështje juridike ku spikat sidomos vlerësimi si provë i mesazheve telefonike të dekriptuara nga shërbimet policore. 

Paraprakisht po theksojmë se z. Manjani hyn ndër ata shqiptarë të pakët që e dinë se çfarë thonë. Dhe ka dëshmuar kapacitetin intelektual dhe profesional për të gjykuar çështjet publike që kanë të bëjnë sidomos me ligjet dhe gjykatat. Nuk po vëmë notë, po shprehim konsideratë. Thënë kjo, gjykimi i tij i sotshëm që qarkullohet nga gazeta kushtetueso-penaliste(që nga shkurti i vitit të kaluar) “Tema” për vendimin e gjykatës kushtetuese është një polemikë me natyrë nihilizuese që gjen shprehjen e vet kulmore te fjalia:

Reforma nr.1 tani duhet të jetë ndërtimi i gjykatave të paanshme.

Si realizohet kjo? Ka një formulë, një metodë z. Manjani për ta sugjeruar, pasi në postimin e tij, ai merret jo me tekstin e “vendimit pa vendim” të Gjykatës Kushtetuese, por me arsyet personale të sjelljes së anëtarëve të Gjykatës në çështjen “Balluku”. Por kjo nuk e ndihmon diskutimin publik, e kontaminon atë me një tjetër “njëanshmëri”. Sepse ne jemi një vend me mjedis publik ku çdo kauzë krijon berihanë e vet. Mesa duket edhe drejtësia kushtetues ka berihanë përkatëse. Ndihmuese do të ishte një koment për tekstin e vendimit.

Reforma nr.1 për gjykatë të paanshme është një sugjerim i rrezikshëm që i ngjan “tërmetit reformues” për të cilin fliste z. Rama në vitin 2014 të cilin z. Manjani e kritikoi ashpër. Nuk mund të ketë terapi shoku për sistemin e drejtësisë, që me përkufizim e ka premisë funksionale kontuinitetin.

Ne mbërritëm këtu, jo për faj të gjykatës, apo gjykatave, por për faj të politikë dhe mungesës së politikave. Kaq z. Manjani e di shumë mirë, por roli I kritikut është komod deri në lidhje të pashkëputshme varësie.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Reagime si keto te Manjanit, Bollinos, Bazes tregojne qarte se keta i kane lidhur fort fijet e interesave me Veliajn. Edhe pse perpiqen te fshihen pas disa "parimeve" dalin zbuluar keq e shpejt sepse bien ne retorika qe i nxjerrin zbuluarne qellimet e verteta te reagimeve te tyre. Ne fund te fundit ne katundin tone te vogel jane pikerisht interesat e ngushta me pushtetin ato qe ndikojne personazhe te tille.

Submitted by anonim (not verified) on

Dhe me e bukura, pordhe si keto te Manjanit nuk i degjon njeri. Ketu fillon dhe mbaron historia e ketij deshtaku.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.