Politika e të bërit pis çdo gjë dhe këdo
Kryeministri Edi Rama ka dëshmuar edhe njëherë se ambiguiteti është e vetmja politikë e tij publike kur vjen puna për të njohur përgjegjësi. Në një mesazh të sotshëm në rrjetin “X”, z. Rama ka komentuar vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese për çështjen Velia, duke lënë të kuptohet shumëçka, pa thënë ndonjë gjë, veç vitktimizimit.
E para z. Rama e cilëson vendimin pronë se ai nuk ka kapur të tëra pushtetet, me ç’rast nuk na mbetet veçse ta falenderojmë për indulgjencën e tij demokratike.
E dyta, z. Rama i bën këtë interpretim politik vendimit të Gjykatës:
Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo.
Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo?
Apeli publik i kryeministri rezonon si presion ndaj Gjykatës për shqyrtimin e saj të kushtetueshmërisë së burgosjes së Veliajt, vendim që është formalizuar me vendim të Gjykatës së Posaçme. Dhe e vendos këtë presion si pjesë të një logjike që duhet ta kenë njerëzit normalë, të cilët janë të dënuar të kenë vetëm dy kënde për ta parë vendimin: ose qëndrim i verbër kundër qeverisë, ose si premisë që gjykimi i djeshëm të aplikohet njësoj në favor të Veliajt edhe në rastin e dytë.
Tani, sado hipokrit të jetë z. Rama në këtë që shkruan, në pozicionin e kryeministrit, ky qëndrim reduktohet në një pikë të vetme në kuptim të përgjegjshmërisë së personit, e që mund të përmblidhet në fjalën: z. Rama kaq di. Kaq i nxë ena. Këtë optikë ka për politikën dhe publiken. Bëj pis, hamendëso, aludo, tërhiqu, hesht, kundërvepro, merr flamuj, shantazho dhe në fund, plusko! Plusko sa të mundësh mbi llurbën që e gjeneron vetë.
Sepse çdo njeri normal që dëshiron të ushtrojë edhe përgjegjësinë e qytetarit, pra të informohet para se të flasë, e di se Gjykatat nuk çmojnë synimet e palëve, as kontekstin politik në vendosjen e prioritetit në dhënien e vendimeve, por ligjin dhe Kushtetutën. Kur Kushtetuesja thotë se Këshilli i Ministrave duhet të argumemtojë shkeljen e Kushtetutës kur shkarkon një kryetar bashkie, nuk ka asnjë detyrim të llogarisë sesa ditë zgjedhësit kanë mbetur pa kryetar, por të intepretojë Kushtetutën.
Ka një ide se me sugjerimin “për parimësinë” z. Rama në të vërtetë po këmben nxjerrjen nga burgu të z. Veliaj me dorëhqjen e tij postum. Por si ta vendosësh këtë në tagrin vendimmarrës të Gjykatës pa u quajtur ky një shantazh?
Në çdo aspekt sjellja e një kryeministri në këtë mënyrë çon në përfundimin se kultura shtetërore e z. Rama është zero. Në mos negative. Me kulturë duhet të kemi parasysh jo faktin nëse kupton apo jo pasojat z. Rama për ato që bën, por sa kuptimi që ai ka për to, është udhëzues në vendimmarrje. Ka histori ky individ për këtë lloj çështjeje. Kush e ka ndjekur politikën e kujton se z. Rama hyri në lojën e madhe politike me kërkesën e tij këmbëngulëse që çoi deri në shtyrje të zgjedhjeve lokale të vitit 2007, për heqjen e certifikatave si dokument identifikimi. Në mënyrën më absurde dhe antishtetërore, dokumenti bazë i identifikimit u skualifikua si i pabesueshëm për frikën e një njeriu të vetëm.
Në vitin 2009, legjendarja “hap kutitë ose largohu”, përfaqësonte një aspekt tjetër antishtet për faktin se z. Rama nuk konsideroi në asnjë çast mundësinë e kërkimit në gjykatë. Nuk po përmendim 21 janarin dhe puçin e tij në Partinë Socialiste të cilën e alienoi deri sa e solli në fizionominë e një të sëmuri në koma që është veshur e pispillosur për të kaluar bukur në botën tjetër, por mjafton të vëmë në dukje se për rastin konkret qëndrimi i z. Rama, do të ishte heshtja. Pasi çdo fjalë e tij tashmë bën pis.
s.zaimi

Comments
E sakte!
Eshte shume i sakte konstatimi qe Shqiperia ka ne krye te shtetit nje njeri (a eshte valle njeri?) qe nuk ia ka idene se cfare eshte nje shtet demokratik, perkundrazi di shume mire si mund te behet i forti i lagjes midis shokeve te vet.
Add new comment