Merologjia nuk shpjegon dot më as veten

Në një nga pasazhet e zbardhura nga njoftimi i vendimit të sotshëm të Gjykatës Kushteuese, ndër të tjera thuhet se:
Në lidhje me pretendimet e kërkuesit, Gjykata i shqyrtoi ato në themel në kuadër të procesit të rregullt të lidhur me masën e shkarkimit, me përjashtim të pretendimit për prezumimin e pafajësisë për të cilin ajo vendosi rrëzimin. Në këtë pikë, Gjykata vlerësoi të theksojë se shqyrtimi dhe vlerësimi i çështjes ka të bëjë vetëm me procesin e shkarkimit të kërkuesit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë, pra jo me procesin penal të regjistruar në ngarkim të tij
Pse ka rëndësi kjo? Kjo ka rëndësi publike dhe juridike, pasi vë në dukje qartazi se shprehja e Gjykatës Kushtetuese sot, nuk interferon dhe as implikon procesin penal ndaj Erion Veliajt, pra as masën e sigurisë ndaj tij që është certifikuar me vendime të Gjykatës së Posaçme. Ky koment i bërë në funksion të sqarimit të opinionit publik dhe statusit gjyqësore të Veliajt, kundërvepron si semafor logjik dhe juridik ndaj interpretimeve të tilla si ky i botuesit të gazetës “Tema”, Mero Baze, bërë sot në një editorial të tij:
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që shpall të paligjshëm shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shpallur në një farë mënyre të paligjshëm edhe arrestimin e tij paraprak, i cili, i kombinuar me prapaskenat politike, i ngjan vërtet një rrëmbimi nga vendi i punës dhe jo një veprimi në interes të drejtësisë
Si mund të pajtohen dy çështje në një, këtë vetëm z. Baze mund ta dijë. Më tej akoma vazhdon tjetra:
Gjyqi ndaj Erion Veliajt për të gjykuar akuzën e ngritur nga SPAK duhet të vazhdojë, ndërsa ai duhet të vazhdojë punën si kryetar bashkie. Në kushtet e krijuara, Tirana nuk mund të rrijë dy vjet të tjera pa kryetar, për tekat e dy prokurorëve që nuk janë të motivuar aq shumë nga drejtësia sesa nga interesa jashtë saj, duke rikthyer në këtë rast edhe drejtësinë në normalitet
Me të njëjtin arsyetim, kryeministri Edi Rama udhëzoi shkarkimin e Veliajt, edhe pse z. Veliaj ka emëruar dy nënkryetarë, të cilët z. Rama i bëri katër. Pra Bashkia nuk është pa drejtim sipas ligjit në fuqi, ajo vijon të funksionojë, edhe pse kryetari është i pamundësuar fizikisht për të qenë në zyrë.
Inkoherenca në këtë rast është flagrante nëse mbajmë mend rastin Beleri. I cili ishte i zgjedhur nga votuesit dhe u mbajt në burg pa iu dhënë e drejta e betimit, pra për të qenë në detyrë. Kush foli asokohe për të drejtën? Askush, sidomos Baze që sot shkruan gjëra që nga rreshti në rresht bien ndesh me njëra-tjetrën. Sigurisht që vendimi i sotshëm i Gjykatës duhet thënë se nuk ndikon aspak në vijimin e merologjisë në trajtimin e çështjes “Veliaj”, fundja edhe sepse parimi: Webi është i imi, shkruaj ca më vjen për mbarë, nuk ka pse të kriminalizohet.
s.zaimi

Comments
Me duket se pak e kane
Me duket se pak e kane kuptuar çfare demi i ka bere Rama drejtesise dhe nemenyre te veçante konceptit te drejtesise me rastin Beleri.
Add new comment