Ukrainasit proevropianë mund të zhgënjehen me BE-në

Populli i Ukrainës është ndeshur me një sfidë të re për sovranitetin e shtetit të tyre, për sigurinë e vendit dhe për zhvillimin e demokracisë. Nën shantazhin e Rusisë në momentin e fundit, pas një procesi katërvjeçar, qeveria e këtij shteti relativisht të madh, ka hequr dorë nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Asociimit me Bashkimin Evropian. Qeveria ka vlerësuar se më mirë është të mos acarohet Moska, të sigurohet vazhdimi i furnizimit me gaz sipas çmimeve të favorshme, sesa të nënshkruhet Marrëveshja e Asociimit me Bashkimin Evropian. Duket se qeverisë së sotme në Kiev nuk i ka ardhur shumë rëndë që të marrë një vendim të tillë. Edhe ashtu kjo qeveri e Viktor Yanukoviqit është pro ruse dhe ka mbështetjen më të madhe në pjesët e Ukrainës të banuar kryesisht me rusë etnikë, apo siç i quajnë “Ukrainës rusfolës“. Për të, Rusia është më e afërt edhe për stilin e pushtetit sesa Bashkimi Evropian me vlerat e veta demokratike. Ky president i Ukrainës e ka ndalur procesin e afrimit të Ukrainës me NATO-n. NATO-ja këtë e ka kuptuar, sepse në Ukrainë nuk ka pasur mbështetje të madhe për t’u anëtarësuar në NATO dhe prandaj nuk është hapur as procesi i Planit të veprimit për anëtarësim MAP. Në BE dhe NATO ka shumë shtete të cilat edhe pse kanë simpati ndaj popullit të Ukrainës, nuk duan që të acarohet Rusia. Por reagimi i ukrainasve ka qenë i ashpër. Me qindra e mija njerëz kanë dalë në rrugë në këtë kohë shumë të ftohtë dimri. Madje në disa ditë thuhet të ketë pasur me miliona njerëz në protesta. Policia ka reaguar ashpër. Populli nuk do që vendi i tyre të kthehet nga e kaluara. Edhe pse nuk kanë asgjë kundër raporteve të mira me Rusinë nuk duan që Ukraina të bëhet vegël e Rusisë. Nuk duan që oligarkët rusë të lidhur me pushtetin në Moskë në një union tregtar në të ardhmen të gëlltisin edhe industrinë e Ukrainës dhe t’i hanë, si peshq të vegjël, bizneset e sotme ukrainase. Mbi të gjitha duan që vendi i tyre të jetë i pavarur, sovran për të vendosur vetë kah e sheh të ardhmen, të respektojë lirinë e shprehjes, lirinë e tubimit, ligjet e tregut, lirinë e lëvizjes dhe vlerat tjera të cilat edhe populli i Ukrainës i sheh në lidhje më të forta me Bashkimin Evropian. Krahas kësaj marrëveshja në fjalë, e para e këtij lloji e Ukrainës me BE-në, do të hapte një mundësi për një zhvillim të ri të ekonomisë dhe shanse të reja për shoqërinë. Kështu qytetarët e Ukrainës kanë vendosur të protestojnë në atë mënyrë duke nisur një lloj revolucioni të ri. Por BE-ja nuk ka ditur të reagojë, gjë që nuk është ndonjë e papritur duke pasur parasysh se sa e plogësht është politika e jashtme e përbashkët e BE-së. Ne në Kosovë e kemi parë se si reflekton ajo në terren, sepse për gjashtë vjet në BE nuk po arrijnë të pajtohen as rreth asaj se çfarë është Kosova, është apo nuk është shtet. BE-ja madje nuk ka as ambicie të tejkalojë këto ndasi rreth Kosovës dhe vetëm kërkon zgjidhje momentale për disa pengesa duke mos menduar për rrugën afatgjatë dhe qëllimin përfundimtar të integrimit në BE. Në rastin e Ukrainës, kur qeveria nuk e dëgjon popullin, kur dërgon policinë për t’i goditur protestuesit, BE-ja dërgon parullat e saj tashmë të njohura dhe në parim pozitive: “Ftojmë që problemet të zgjidhen me dialog“, “Qeveria duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve“ dhe se “Palët duhet të përmbahen nga dhuna“. Me kalimin e kohës BE-ja dërgon edhe zyrtarë të saj në Kiev. Ishte atje dhe baronesha Catherine Ashton, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Para nisjes së saj atje në Bruksel u tha se “ajo po shkon për të dërguar mesazhin se e ardhmja e Ukrainës është në lidhje më të forta me BE-në“. Por këtë porosi nuk ka nevojë ta dërgojë në Kiev. Protestuesit po protestojnë me flamuj të BE-së dhe ata vetë po e thonë këtë porosi. Vetë ata protestues duan më shumë lidhje me BE-në. Problemi madje është në anën tjetër, sepse as Brukseli nuk po e dëgjon sa duhet thirrjen e tyre. Nëse ata ukrainas të cilët sot në të ftohtë protestojnë me flamuj të BE-së në Kiev për afrim me Perëndimin dhe evitim të hyrjes së re nën patronazhin e Rusisë shpresojnë se Bashkimi Evropian do t’u ndihmojë dhe do t’u hapë rrugën për perspektivë të anëtarësimit mund të zhgënjehen rëndë. BE-ja po e ka të vështirë të garantojë integrimin në BE edhe për vendet e vogla të Ballkanit, është shumë e ndarë rreth Turqisë, ndërsa për më shumë zgjerim nuk dëshiron të dëgjojë. BE-ja edhe në rastin e Ukrainës ka insistuar që teksti i draftit të marrëveshjes të mos kuptohet si hapje e mundësisë për aplikimin e Ukrainës për anëtarësim në BE. Për dallim nga marrëveshjet e stabilizim-asociimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor (duhet pasur këtu kujdes tek fjala “shtet“, sepse nuk dihet nëse një klauzolë e tillë do të jetë qartë e përfshirë edhe në MSA-në me Kosovën), të cilat edhe në tekst përmbajnë klauzolat se ato janë rrugë drejt anëtarësimit të plotë në BE, në rastin e Ukrainës vendet e BE-së kanë dashur që të bëhet e qartë se, së paku për momentin, një perspektivë e tillë për Ukrainën nuk po hapet. Në anën tjetër edhe në reagimet pas protestave BE-ja ka dalë në defensivë. Më parë ishte BE-ja ajo që caktonte kushte për Ukrainën, që të lirojë ish-kryeministren Julija Timoshenko për të shkuar në shërim, tash pushteti i Ukrainës parashtron kushte duke kërkuar miliarda euro nga BE-ja. Edhe rreth kuptimit të Ukrainës në BE shtetet janë të ndara. Më së miri popullin e këtij vendi dhe qytetarët që protestojnë kuptohen nga shtetet e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore, si vendet baltike dhe Polonia. Ato e dinë se si kanë qenë në të kaluarën komuniste në bllokun e Rusisë dhe sa janë zhvilluar sot si anëtare të BE-së dhe NATO-s. Dhe shembullin e tyre e kanë parë ukrainasit, prandaj për vete aspirojnë të njëjtën gjë. Dhe ata, siç duket, janë të vendosur të vazhdojnë të protestojnë për aspiratat e tyre, pa marrë parasysh se a po i kupton sa duhet në këtë moment apo jo Bashkimi Evropian.
Nga "Koha Ditore"
Comments
Artikull interesant. Me
<p>Artikull interesant. Me kujtoi ate shprehjen popullore "plac moj bythe e plasur, c'halle paske pasur".</p>
Add new comment