U fshinë, s’u fshinë

Postuar në 28 Janar, 2014 11:44
Alqi Koçiko

Në një epokë tjetër, ose thënë ndryshe vetëm ca vite më parë, ajo që thuhet se ka ndodhur me serverat e tatimeve do të ishte e barabartë me zbrazjen e rafteve e dhomave të tëra me dosje e dokumente, futjen e tyre nëpër thasë dhe daljen serbes nga drejtoria e përgjithshme e Tatimeve. Në erën e lume të informacionit elektronik, kjo sasi informacioni depozitohet në hard disqe, jo në thasë. Por sado trendy të ripërmasohet ky episod që ende nuk e dimë se çfarë është, ngjarja megjithë mjegullën që e mbështjell, mbetet dramatike. Akuzat janë të dyanshme në aspektin politik, dhe siç ndodh rëndom në këto raste, sa më shumë të ashpërsohen tonet, sa më apokaliptike të bëhen paralajmërimet, aq më pak gjasa ka që të zbardhet ndonjë gjë, ndonjëherë.

Çfarë ka ndodhur me të dhënat shumëvjeçare të biznesit? Le të përmbledhim atë që dimë. Ish drejtori i Teknologjisë së Informacionit në drejtorinë e Tatimeve, siç shihet rëndom shefi i IT-së, është denoncuar në fund të nëntorit të kaluar nga drejtoresha e Përgjithshme se ka ndërhyrë ilegalisht në bazën e të dhënave. Për të, gjykata vendosi detyrim paraqitje ndërsa çështja është nën hetim. Ish IT-ja deklaron të kundërtën: Ai ka tentuar pikërisht të pengojë ndërhyrjen antiligjore tek këto të dhëna, nga një grup auditi që kishte ardhur pa mandat të shkruar, të përbërë nga këshilltarë të ministrit të Financave dhe kryeministrit, dhe të lejuar nga drejtoresha Shehaj për të vepruar si në mall të shkjaut. “Sillni letrat, më tregoni firmat, pastaj ndërhyni”, kish kërkuar ai.

Por mjaftoi fakti që pas arrestimit (dhe lirimit) IT-ja të dilte në konferencë shtypi përkrah ish kryeministrit Berisha, që çështja të merrte konotacion të pashmangshëm politik. Duhet thënë se Berisha dhe IT-të paskan një simbiozë të çuditshme, edhe pse dy rastet më flagrante janë të anasjellta: IT-ja i kryeministrisë u mor në mbrojtje pas akuzës se e fshiu serverin e 21 janarit (u pafajësua dhe filloi punë tek ILDKP-ja e Zana Xhukës), ndërsa IT-ja i tatimeve u përkrah sepse tentoi t’i mbrojë miliona të dhënat e biznesit (dhe filloi punë në bashkinë e Tiranës).

Akoma më shumë politizohet çështja, kur rezulton se prokuroria nuk ka pamje nga kamerat e sigurisë së institucionit, por këto pamje bien në dorë të televizionit News 24, që për mazhorancën cilësohet si ekran i së djathtës. Dhe pamjet tregojnë ato ditë nëntori, veç të tjerash edhe praninë e deputetit të LSI-së nga lista e PS-së, Spartak Braho në mjediset e drejtorisë, njëherësh kryetar i komisionit parlamentar të sigurisë. Dhe këtu vijmë në “klimaksin” e kësaj drame. Opozita akuzon se gjithë ky operacion me të dhënat tatimore, kish për qëllim fshirjen e gjobave që u ishin vënë bizneseve të ndryshme, si shpërblim për kontributin që kishin dhënë për të majtën gjatë fushatës. Në vend të gjobës ligjore, thotë opozita, “dyshja Meta-Rama do merrte në këmbim një llokmë për vete”.

E majta, me gojën e deputetit Braho akuzon për të kundërtën. Ai pranon se ka qenë tek tatimet, në cilësinë e kreut të komisionit të sigurisë, që ka leje për të hyrë kudo ku cënohet siguria e vendit. Dhe sipas tij, “kam konstatuar se Sali Berisha është ideatori i një komploti financiar, që i ka kushtuar rëndë shtetit. Në ditët në vijim unë do t’ia hap petët këtij byreku ku ka kullotur banda financiare e Saliut. Gjithsesi, e gjithë kjo aferë financiare është denoncuar dhe po hetohet nga prokuroria”. E djathta menjëherë i ka rrëzuar këto rreshta, duke kujtuar madje edhe historinë e çantës së zezë të Brahos në kohën e skandalit Meta-Prifti, e cila nuk u mor vesh kurrë se ç’përmbante. E duke deklaruar gojën e zëvendësit të Brahos në komisionin e Sigurisë, Flamur Noka, se deputeti nuk kish asnjë “mision sigurie” për të kryer tek tatimet.

Dhe kësisoj mbetemi tek të dhënat tatimore dhe dy qëndrimet. Nëse besojmë drejtoreshën e Tatimeve, të dhënat janë rikuperuar dhe biznesi të vazhdojë punën i qetë. Nëse besojmë opozitën, krejt operacioni është bërë për të rregulluar hesapet e fushatës. Nëse besojmë deputetin Braho, një masakër financiare ka ndodhur në heshtje nga ish qeveria Berisha, që do të zbulohet “petë-petë” nga prokuroria. Po ç’të jetë ky komplot financiar? Gjëma më e madhe që të shkon në mendje, lidhet me akuzën e ministrit të Financave Cani, se paraardhësi i tij Bode me izmën e kryeministrit të kaluar, ka fshehur një gropë borxhi prej 500 (herë tjetër e ka thënë 700) milionë eurosh në buxhet. Vetëm kjo akuzë nuk është sqaruar, që kur u artikulua nga ministri dy muaj më parë. Por dhe po të jetë ky strumbullari i historisë, a mund të jenë këshilltarë ministrash e kryeministrash, anëtarë të grupit të auditit?

Nga cilido këndvështrim ta shohësh këtë mister, episodi në fjalë mbetet i rëndë dhe serioz. Një arsye e mjaftueshme, do të shtonte ndonjë skeptik këtejpari, që mos të marrim kurrë vesh se çfarë ka ndodhur.

Revista Klan nr.854

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

Shefi IT si cdo njeri i thjeshte i ketij vendi i ka llindur nevoja te mbrohet madje edhe politikisht! Te rrish 2 dite ne burg eshte traume per nje njeri me kete zanat kur thjesht ke mbrojtur punen tende 8 ore ne dite qe i bie si shtepi e dyte. Ana tjeter eshte Spartak Brah0, nje njeri tashme me pushtet qe me "çante te zeze" shantazhon dhe kurre nuk e dorezon!
Çeshtja do te harrohet pa te denuar e pa te demtuar, por canten e zeze prokuroria nuk do e shohe kurre! Duke pare ligesi te pamate kunder njerezve te ndershem  te majte a te djathte , parandjej qe ky sojsez do i dredhe kembet para Saliut

Submitted by Anti-indiferenti (not verified) on

Z. Gazetar, na vdiqet me keto shkrimet e bere nga bar-restorantet duke pare TV-ne. Si shkrim i bere tu pi birra nuk ka dale i keq, por nuk mjaton qe te na e shesesh si nje shkrim serioz. Hulumtove gje, takove njeri, na solle ndonje fakt te ri ?!?!  Jane bere gjithe artikujt si BYPASS SHOW te Vizion+.

Ne skeptiket ketejpari jemi shume te qarte se cfare ka ndodhur.

1. Ish-IT i tatimeve per vete rendesine qe ka gjithe informacioni financiar, ka qene dhe do mbetet vegel qorre e Berishes, nje lloj Flamur Noke ne versionin teper intelektual. Kjo i thote te gjitha (per ata qe kane sy dhe veshe).

2. Ish-IT i tatimeve eshte kapur ne shkelje te rende te ligjit dhe ai bashke me mentorin e vet (Berishen) po ndjekin strategjine mbrojta me e mire eshte sulmi.

3. Spartak Braho si peshkaqen i vjeter qe turret sa here ndjen ere gjaku eshte turrur qe te mbledhi material per canten e tij te zeze (me e zeze eshte nga brenda) si canta e shantazhit e Espinozes.  Kjo i dha dhurate nje arme shume te forte Berishes per te skemen e sulmit qe po ndertonte.

Per mua e vetmja gje e rendesishme eshte qe si IT i tatimeve dhe ai i Kryeministrise duhet te perfundojne ne burg, qe gjithe IT-te dhe juristat qe vijne mbrapa ti therrasin mendjes dhe te mos behen zagara per nje kocke te politikes.

Gjeneralit hiqi ushtaret dhe nuk vlen me as sa nje ushtar.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.