Shqiptarët që nuk besojnë tek liria

Historiani izraelit Ilan Pape tha në një intervistë këto ditë se Izraeli ka zgjedhur të jetë një ‘vend racist aparteidi’ me ndihmën e ShBA-së. Të gjitha arsyet e deklaruara nga qeveria izraelite për këtë sulm më të fundit mbi Gazën janë demaskuar nga vetë qeveritarët izraelitë. Kryeministri izraelit Netanyahu deklaroi se Hamasi rrëmbeu dhe vrau tre adoleshentë izraelitë dhe për këtë duhej të paguante. Zyrtarët e policisë izraelite kanë deklaruar së fundmi se – sic dinin prej kohësh – tre adoleshentët izraelitë, në fakt, nuk ishin rrëmbyer e vrarë nga Hamasi. Gaza nuk është entitet i huaj, por territor i pushtuar nga Izraeli e si i tillë, sipas ligjit ndërkombëtar, Izraeli ka përgjegjsinë të ofrojë siguri e mbrojtje për popullsinë e atjeshme. I njëjti ligj ndërkombëtar i njeh palestinezve, si popullsi e pushtuar, të rrezistojnë okupimin. Ndërkohë, edhe zyrtarët ushtarakë izrelitë deklarojnë se periudha qysh nga marëveshja e fundit me Hamasin, periudha përpara këtij sulmi ndaj Gazës ka qenë periudha me më pak sulme drejt Izraelit krahasuar me këdo periudhë më parë.
Duke analizuar arsyet mbrapa këtij sulmi mbi Gazën, Catherine Shakdan, shkruan për Middle East Monitor, se qysh nga viti 2000, British Gas Company, ka raportuar se në bazë të studimeve të saj, Gaza qëndron mbi rezerva gazi natyror me vlerën 4 miliardë dollarë. Në vitin 2007, e njëjta kompani deklaroi që rezervat e gazit janë shumë më të larta dhe bëjnë që Gaza të jetë më e pasur se Kuvajti. Hamasi, që qeverisë Gazën pas fitores së zgjedhjeve në territoret palestineze, ka rrefuzuar të lejojë përdorimin e gazit nga shteti izraelit apo një marëveshje me të. Izraeli kërkon të mposhtë Hamasin në mënyrë që të vendosë që qeveri palestineze me të cilën mund të arrijë ujdi në lidhje me gazin natyral. E përditshmja izraelite Haaretz ka shkruar prej kohësh se Izraeli po përballet me krizë energjitike. Si rjedhim, kjo luftë kundra Gazës është mirëfilli një luftë koloniale që kërkon të vjedhë burimet natyrale të popullsisë vendase palestineze.
Këto ditë, nuk kanë munguar shqiptarët në politikë dhe në media që kanë deklaruar se shqiptarët nuk duhet të mbështesin Gazën, por duhet të jenë në anën e miqve të tyre si ShBA. Këta politikanë shohin pavarësinë e Kosovës si rezultat klientelizmi politik dhe jo si e drejtë e patjetërsueshme e popujve për të jetuar të lirë e për të vendosur fatin e tyre. Sigurisht që nuk është vështirë të shohësh paralelet e qëndrimeve nacionaliste serbe qysh nga deklarimi i Kosovës si Jeruzalimin e Serbisë tek përpjekjet për të sjellë vazhdimisht kolonë serbë. E megjithatë politikanët kosovarë zgjedhin të mbështesin një rregjim kolonial më brutal se ai serb, dhe jo një popull të shtypur si ishte populli kosovar.
Disa analistë izraelitë kanë shprehur këto ditë shqetësimin se teksa gjer më sot kanë gëzuar mbështetjen e publikut amerikan, rjetet sociale dhe përhapja e lajmeve përtej korporatave mediatike mund të sjellë ndryshimin e opinionit publik amerikan e kjo do krijojë presion mbi politikanët amerikanë. Disa nga figurat më të njohura të hebrenjëve amerikanë këto ditë janë distancuar nga shteti izraelit, sic ishte parashikuar në fakt vite më parë nga Hannah Arendt. Kur ky ndryshim të ndodhe, atëherë ndoshta dhe qëndrimi i politikanëve shqiptarë do ndryshojë, por jo si besim tek vlera e lirisë, por si pasojë konjukturale.
Këto qëndrime shqiptare nuk i sjellin dëm palestinezve, por një popull që beson se duhet të përqafojë oportunizmin në vend të principeve apo të mbështesë kolonializmin në vend të rezistencës, tregon që nuk ka mësuar asnjë vlerë universale nga eksperienca e vet historike e se nuk beson tek liria. Ky qëndrim është ogur i keq për shqiptarët, më shumë se për palestinezët.
Revista "Shenja"(http://shenja.mk/index.php/opinion-analize/12990-shqiptaret-...)
Add new comment