Pushimet, ç’dëgjova dhe ç’pashë këtë verë në Shqipëri!?...

Postuar në 26 Gusht, 2013 04:44
Ilir Hashorva

Si çdo vit, edhe këtë herë u nisa nga Amerika e largët për të kaluar pushimet në Shqipëri, në vendin tim, në vendin ku kam të afërm e shokë, në vendin ku kam kujtime të bukura e të shëmtuara.

Nuk ka nevojë të interesohesh të marrësh vesh për ato që ndodhin, njerëzit t’i thonë që në takimet e para lajmet që qarkullojnë. Ata të flasin për politikën, për pronat, për krimet, për shëndetësinë, për gjakmarrjen, për qeverinë e re etj., etj.

Kabineti i ri ministror u shpall pikërisht ato ditë. Kishte prej atyre që e përkrahnin e që thoshin se po kalojmë nga e vjetra tek e reja, se kabineti me të rinj nuk e njeh korrupsionin, plagën më të madhe shqiptare, por kishte edhe nga ata që thoshin se nuk bëhet qeveria me çiliminj, se të rinjtë nuk janë më pak të infektuar nga korrupsioni se të vjetrit, se ata e kanë mësuar hilen që në klasën e parë të shkollës. Përveç kësaj, kishte edhe nga ata që krahasonin kabinetin e gjeorgjianit Shakashvili që, po ashtu, u krijua vetëm me të rinj, madje më të rinj të shkolluar në Amerikë dhe në Perëndim, dhe, megjithatë ai kabinet i hapi luftë Rusisë, luftë që edhe për pak e zhduku nga faqja e dheut atë kabinet dhe shtetin e tij dhe se për të qenë një politikan a shtetar i mirë nuk mjafton vetëm mosha e re dhe kultura.

Ishte koha kur po përgatitej kompensimi financiar i disa ish-pronarëve. Komentet për atë problem ishin unanime kundër ligjeve të shtetit. Unë u thashë se një shtet që i merr pronën X-it dhe ia jep Y-it dhe X-it i thotë se do ta kompensojë financiarisht me para nga ato që ua ka marrë në formë taksash shtetasve të vet, nuk është fare shtet dhe se kanë të drejtë disa të huaj që thonë se shqiptarët nuk dinë të vetëqeverisen. Pastaj, mënyra e zbatuar e kompensimit financiar, kur nga 1500 kërkesa të paraqitura, do të plotësoheshin disa dhjetëra, ishte mënyra më ideale për të nxitur korrupsionin dhe, nga ç’dëgjova, që të arrije të merrje njëfarë kompensimi, më parë duhej t’i paguaje ndonjë anëtari të Komisionit nga 20 – 40 për qind të shumës që do të merrje. M’u përgjigjën: “në të vërtetë, kompensimi financiar është një mënyrë jo për të kompensuar ish-pronarët, por për të shpërblyer militantët partiakë të Komisionit me ryshfetet që do të marrin, të cilët, nga ana e tyre, një pjesë ia kthejnë partisë në formë ndihmash.

Në pallatin ku unë kam një apartament, aty ku më parë ishte Kinema 17 Nëntori, në tre katet e para janë ndërtuar dyqane, sepse mendohej se ato do ta kthenin atë ndërtim  në një qendër tregtare, por sot shumica e tyre është kthyer në kafene, thuhet se janë 26 prej tyre. Nga mëngjesi herët e deri vonë në mbrëmje, kafenetë gumëzhinë nga lloj-lloj njerëzish. Më thanë se tashti frekuentimi i tyre ishte i pakët, por kur të fillojnë shkollat, kafenetë do t’i gjesh të mbushura me gjimnazistë, të cilët në to zhvillojnë jetën “moderne kulturore”. Në kafene bëhen takimet e shokëve, aty bëhen pazaret e pisllëqeve, aty bëhen pritjet dhe përcjelljet e miqve për çdo lloj sebepi. M’u kujtuan kohët e mëparshme, kohët kur nuk kishim shtëpi për të qenë, që të gjitha vizitat, për gëzime e për mortje, i bënim në shtëpi, kurse tashti që kemi shtëpi më të mira e më komode, vizitat i bëjmë në kafene! Nuk besoj të ketë tjetër vend në botë që të ketë më shumë kafene për frymë të popullsisë se vendi ynë.! Ndërsa kohë më parë paraardhësit tanë dilnin dhe vrisnin kohën te pragu i shtëpisë, duke pasur pranë një kupac gjize, një hudhër a një bisht qepe dhe mundësisht pak raki e, po të kalonte ndonjë vijë uji aty pranë, fusnin këmbët e freskoheshin në të, pasardhësit modernë e kalojnë kohën në kafene me cigaren në gojë, me telefonin në vesh e me filxhanin e kafesë përpara. Për mua kafeneja, të paktën ashtu siç shfrytëzohet në Shqipëri, është simboli i dembellëkut, parazitizmit dhe injorancës.

Tjetër temë bisede e atyre ditëve, ishte ajo e ndërtimeve pa leje. Për mua, problem po aq, në mos shumë më shumë, janë ndërtimet me leje. Shikoni me kujdes Tiranën apo plazhin e Durrësit dhe do të vëreni se sa pa sistem është ndërtuar gjithçka. Krahasoni Tiranën e sotme me atë të ndërtuar nga pushtuesit italianë para dhe gjatë luftës!   Po ashtu, flitej për zaptimin e Pallatit të Oficerëve nga PD-ja. Dikush tha se nga ajo parti mund të presësh gjithçka. Është çudi se si nuk i ra ndërmend Salës të bënte Kryeministrinë seli të PD-së, se ashtu nuk do t’i dorëzonte as zyrën Edit!

Pasi ndenja disa ditë në Tiranë, shkova për të kaluar pjesën tjetër të pushimeve në plazhin e Durrësit, në atë plazh ku kohë më parë, në atë periudhë, gjeje gjysmën e Tiranës, kurse tashti nuk shihje më të njohur. Snobizmi qesharak i kishte bërë shqiptarët të gjenin plazhe të tjera, ndonëse me kushte shumë më të këqija. Plazhi i bukur e i madh i Durrësit, ishte kthyer në një pyll gjigant e të kokolepsur pallatesh, shumica, natyrisht me leje, prej të cilave shfrytëzoheshin fare pak. Plaga e vjetër e atij plazhi prania e mushkonjave dhe mungesa e ujit të pijshëm vazhdonte të mërziste pushuesit. Perëndimi i mrekullueshëm i diellit shoqërohej gjithnjë me sulmet agresive e kolektive të mushkonjave. Uji i pijshëm i rrjedhshëm mungonte, siç na thanë banorët e pallatit ku kishim një apartament, që prej një muaji nuk kishte ardhur asnjë pikë uji në asnjë orë të ditës. Disa vite më parë ishte nxjerrë një si biçim ligji që ndalonte muzikën pas orës 11 të mbrëmjes. Tashti muzika, dhe mund të them muzika tepër vulgarë, vazhdonte me të gjithë forcën edhe pas orës 3 të mëngjesit. Një gjë që binte në sy për shumë keq, ishte prania e kudondodhur e lypsarëve: si në plazh, ashtu dhe në shëtitoren buzë rrugës automobilistike. Në atë shëtitore, me trotuare të ngushta, të ngushtuara edhe më shumë nga tezgat e dyqanet e tregtarëve që shisnin lloje-lloje xhinglash e nga shtyllat elektrike që nuk di përse ai që i kishte projektuar i kishte vendosur me një hark brenda trotuarit që i ngushtonte edhe më shumë ato trotuare, mund të hasje nga fillimi në fund qindra lypsa, që nga foshnje që flinin mbi zhele e deri në të moshuar e në të gjymtuar që ekspozonin gjymtimet e tyre.  Duhej të ishe tepër i kujdesshëm kur shëtitje natën se mund të shkelje ndonjë prej tyre.

Në fund, u riktheva në Tiranë. Puna e parë që do të bëja, ishte të shkoja  në varreza. Çdo vit që vij në Shqipëri do të shkoj të çmallem me prindërit dhe të afërmit e mi që nuk jetojnë më. Edhe varrezat pasqyronin rrëmujën që karakterizonte qytetin. Nuk kishte më punonjës që të paguheshin nga shteti për mirëmbajtjen e tyre, nuk kishte më vend për të varrosur të vdekurit. Dikur, në kohën e komunizmit, u tha se për të siguruar toka të reja për të mbjellë patate, që sipas Enver Hoxhës ishin edhe bukë edhe gjellë, njerëzit do ti varrosnin në këmbë që të zinin më pak vend. Tashti ajo kohë erdhi, por varrimi nuk bëhet në këmbë, por një mbi një. Të gjitha rrugicat e varrezave ishin prishur dhe ishin përdorur për varre të reja, varret e vjetra gati nuk gjendeshin më, shenjat ishin prishur. Në qoftë se qeveria e re nuk do të bëjë fare pak gjë për të vdekurit, me siguri nuk do të bëjë gjë as për të gjallët.

Ditën e parafundit doja të fotografoja disa pamje nga Tirana, për t’u mburrur me to edhe në Amerikë. E nisa nga Bulevardi i Madh. Duhet të them paraprakisht se të ecësh në rrugët e Tiranës, duhet të jesh shumë i vëmendshëm nga qarkullimi shumë i çrregullt i makinave, nga drejtues mjetesh krejt të papërgjegjshëm e arrogantë që nuk zbatojnë asnjë rregull qarkullimi, sidomos në kryqëzime. Kudo në botë, përparësinë në kalimin në vija të bardha me semafor të ndezur për këmbësorët e kanë këmbësorët. Dhe, a e dini sepse? Sepse kudo në botë i dobëti (këmbësori) ka përparësi ndaj të fortit (shoferit me gjithë makinë). Në Shqipëri ndodh ndryshe!

Së pari m’u desh të kaloja nga ministritë. Në hyrje të tyre pashë roje, me uniforma të çrregullta që pinin cigare dhe bisedonin me britma në lloj-lloj dialektesh me persona të tjerë diku larg. Pas tyre, gjatë rrugës, i pari më doli Hotel Dajti, dikur hoteli i famshëm, nga më të mirët në Ballkan, i ndërtuar në kohë lufte nga pushtuesit dhe i vandalizuar në kohë paqeje nga vendasit. Prapa llamarinave të shtrembra të cilat e kishin rrethuar, strukej ai hotel dikur madhështor e tashmë i kthyer në gërmadhë. Atë që nuk ia bëri dot lufta, ia bëri paqja. Është metodë e njohur më tha dikush: “më parë e prishin dhe pastaj e blejnë fare lirë. Kështu kanë bërë edhe me objekte të tjera me vlerë”.

Pas Hotel Dajtit, kalova nga piramida. Për të nuk do të flas se është folur gjatë: një tjetër kryevepër arkitektonike e vandalizuar mizorisht! Pas saj kalova nga Stadiumi Kombëtar. Hyrja madhështore e atij stadiumi, gjithë dritë e hapësirë, e ndërtuar edhe ajo nga italianët pushtues, ishte rrethuar me llamarina. Dukej se dikush do të ngrinte një pallat! Çfarë guximi paturpësie!

Më pas m’u desh të fotografoja godinën e Universitetit, të atij universiteti ku studiova për pesë vjet e nga ku kam kujtime të bukura të rinisë. U ngjita shkallëve të tij për të fotografuar nga njëfarë lartësie Bulevardin e Madh, kur befas, në një cep të humbur të  sheshpushimit të shkallëve, më kapën sytë një statujë. U afrova, pashë pamjen e një plake fshatare që dukej sikur po trembte pulat: ishte Nënë Tereza. E vendosur aq keq, mbi një piedestal të ulët betoni, pa asnjë mbishkrim të gdhendur, qëndronte e vetmuar dhe e rrethuar nga plehra gjithfarëshe: nga shishe plastike, nga xhama të thyera nga shishe qelqi, nga qese plastike, nga rrecka të grisura, nga ushqime të prishura. Dhe pastaj, m’u kujtuan fjalimet patetike të udhëheqësve tanë që me rastin e 100 Vjetorit të Lindjes së saj tre vjet më parë, u betuan se do të bënin për nder të saj këtë e atë, madje premtuan se do të ndërtonin edhe një rrugë për të, “Rrugën e Paqes”, rrugë që nuk u ndërtua kurrë. Ai vend, vendi ku qe vendosur Nënë Tereza, jam i bindur se qe pastruar për herë të fundit në qershor, pra, një muaj më parë, kur u bënë mitingjet e koncertet festive të zgjedhjeve. Injorancë dhe turp! Pa le pastaj që Berishës i hipi në kokë të sillte nga India edhe trupin e saj! I lini shqiptarët e mëdhenj të prehen aty ku kanë vdekur, Shqipëria nuk është ende gati për t’i futur ata në gjirin e saj. Kur sheshet mbajnë emrin e një figure, monumenti i asaj figure vendoset ose në mes të sheshit, ose në krye të tij, asnjëherë nuk vendoset në skutën më të padukshme të sheshit, siç qe vendosur Nënë Tereza.

Duke u kthyer mbrapsht, kalova nga një memorial i ndërtuar për të kujtuar tmerret e komunizmit në hyrje të ish-Bllokut që u përurua në mars të këtij viti me pompë të madhe nga Sali Berisha e shpura e tij si një detyrim ndaj ish të persekutuarve të regjimit komunist, ndaj atyre që i bëri t’i vinin flakën vetes në kohën e tij. Memorial më absurd nuk kamë parë. Përbëhej nga disa kolona betoni, që thuhej se përfaqësonin galeritë e minierave ku punonin të burgosurit, nga një copë betoni në formën e një fragmenti muri, që simbolizonte Murin e Berlinit dhe nga një bunker. Një njeri që nuk e dinte se përse bëhej fjalë, nuk kuptonte gjë nga ai i ashtuquajtur memorial.

Më pas kalova nga Monumenti i Pavarësisë. Vandalët kishin hequr katër pllaka bronzi prej saj për t’i shitur. Dhe, kur vandalizmin dhe vjedhjen e bëjnë shtetarët në përmasa shumë më të mëdha, përse të mos e bëjnë ata që ndofta nuk kanë as bukë për fëmijët? Dhe, pastaj, ky shtet që mburret e krahasohet me Gjermaninë, nuk ka aq fuqi sa t’i zëvendësojë ato pllaka? Përsëri turp dhe turp!

Këto dëgjova dhe pashë gjatë pushimeve të këtij viti në Shqipëri. E, megjithatë, edhe pushimet e vitit tjetër, ndonëse shumë të kushtueshme për shkak të largësisë e shumë të trishtueshme për ato që do të dëgjoj e do të shoh, do t’i kaloj prapë në Shqipëri.

Comments

Submitted by Leonardo (not verified) on

<p>Keni më se të drejtë një përshkim i vërtet dhe fotografia e tregonë më se të qartë</p>

Submitted by Daj Ceni (not verified) on

<p>Dikur kete pune e benin gazetaret e huaj......</p>

Submitted by Permeti (not verified) on

Pleher je ti qe e ke truin e mbushur me plehra qe nuk te lene te shohesh.

Submitted by Iliam Zhuka (not verified) on

<p>&nbsp;</p><p>Ate qe sheh autori i shkrimit nuk di ta interoretoje. Sa kohe do te jemi te politizuar deri ne qelize, nuk do te kuptojme se keto jane probleme te te gjitheve, pasoje e te shkuares se pa qyteterur dhe zgjidhen me pjesmarrjen dhe angazhimin e te gjitheve.</p><p>Ne vend te shohe ne kete drejtim autori hipen vete si gjeli maje plehut dhe kakaris kunder njerit a tjetrit, sepse nuk e ka kulturen e duhur per te kuptuar ate qe sheh vet.&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.