Përmbytje, përmbytje!

E thënë… Nuk i mungon asgjë e megjithatë, ndjehet që kyeministri i ngjirur i Shqipërisë vuan që në këtë fushatë nuk i ka ai gurët që ka në dorë Opozita. Oh, çfarë do t’i bënte ai qeverisjes!..
Për arsimin e lartë, fjala vjen… Për ata nja dyqind universiteteve private që kanë mbirë si këpurdhat në tërë territorin e vendit. Që me një llogari jo shumë korrekte mund t’i binte një universitet për cdo 123 fshatarë! Mbase, dy a tre universitete do t’I kursente, se është mëkatë të godasësh në tërësi, por ama shumicën… Ja, do të mjaftonte universiteti Kristal, me atë rastin e famshëm të italianit Renzo Bossi.
Historia: biri i politikanit italian Umberto Bossi, i kamur si tërë fëmijët e politikanëve të përjetshëm, vendosi të mbaronte studimet universitare, ngaqë pas një jave ia desh nevoja ta kish arsimin e lartë aty ku synonte të ngulej. Por për të mbaruar studimet e larta duheshin pesë vjet dhe qindra provime të rënda. E meqë pesë vjetët, sado të palosen e ngjishen, shtatë ditët nuk i nxënë dot, Renzoja kërkoi ta blinte diplomën. Në Itali kjo ishte e pamundur, por Mesdheu për kësi punësh ka vende të tjera veç Italisë. Është një vend, Shqipëria e Sali Berishës, parajsa e Mesdheut, ku gjallojnë universitete që për një dorë të mirë parash, e merr diplomën tak-fak: pa blerë as çantë shpine as kompiuter, pa dalë nga shtëpia, pa asnjë ngjitje shkallësh, pa asnjë provim, pa emocione. I vetmi mundim është firma e një çeku.
Renzo Bossi e mori diplomën e universitetit Kristal, pa shkelur asnjë sekondë në vendin e shqiponjave. Diplomën dhe dëshmitë e notave i mori me kënaqësi në duar dhe, bile, iu lut një emigranti shqiptar t’ia lexonte se ç’thuhej në to. Të parën gjë që i lexoi emigranti ish ajo, që Renzo Bossi edhe në gjuhë shqipe nga katedra e Universitetit Kristal kish notën dhjetë!
Në mediat italiane ky skandal shkaktoi tërmet, por as edhe një qerpik nuk u drodh në Shqipërinë e kësaj qeverie. Dhe ky lëshimi i diplomave me para nuk ishte një faj I thjeshtë. Ishte një nga krimet më të rëndë shtetërorë. Këtu do të ishte rasti të dëgjohej klithma korale e atyre mijëra e mijëra të dipllomuarve jashtë dhe brenda vendit, në kohën e Zogut, të Enverit a të djallit vetë, përpara se ky tufan korrupsioni i neveritshëm të fillonte të frynte kaq ashpër. Kjo gjëmë madhore i hedh pështymërat mbi stërmundimet e gjeneratave të tëra studentësh të përkushtuar të viseve arbërorë, përfshi dhe ato të autorit të këtij shkrimi. Ky fenomen poshtëronte tërë shënjtërinë e studimit, netët pa gjumë, kullimin e syve mbi manuale, stërlodhjen me termat e huaja, vrapimet nëpër shi duke mbajtur nën këmishë pranë zemrës për të mos lagur, dispensat, fjalorët. Ky fenomen sillte padrejtësisht në konkurim për vende pune të administratës shtetërore, që kërkonin zotër të vërtetë dhe jo nëpunës të fallsifikuar, të cilët zakonisht fitojnë edhe këto gara.
Ky atentat historik me përmasa të frikëshme kaloi pa u ndjerë, siç i bën të kalojnë një drejtësi e infektuar nga një qeveri kriminale antikombëtare. Jo-jo, ndëshkime nuk u panë, por dhe zhurma u fashit, se qeveria shqiptare përdor një silenciator allasoj në të tëra bëmat e saj. Ajo fabrikon një zhurmë të dytë për të mbytur të parën. Vepron njësoj si ca mjekë popullorë, që kur u kërkon shërim për dhimbjen e kokës, të kafshojnë veshin dhe ti nuk ke më probleme me dhimbjen e kokës, se i ke me veshin pastaj!
Nxjerrja e diplomave me paratë e italianëve shfaqte qartë dukurinë mbi një mori diplomash universitare që u jepeshin injorantëve të sapopasuruar shqiptarë. Kjo ngritje e nivelit arsimor me para në dorë, nuk ish veçse një lloj përmbytje e re berishiane, si të tëra përmbytjet që u panë në këto njëzet e ca vjet.
Do të më shkonte më mirë fjala inflacion, por përmbytja është më e afërta me dëmin që u shkakton ajo bukurive të vendit. Përmbytja në kuptimin e drejtpërdrejtë është një masë uji si imazh i fundit të botës, një shkretëtirë ujore. që i mbulon e i fsheh të tëra ujërat e tjera të bukura të pejzazheve: lumenjtë, përrenjtë, burimet, shatërvanët, kanalet e sistemuar, sopet, kodrat e gjithëçka që formojnë pejzazhet e bukur natyrorë. Përmbytja nuk le të ngritura dhe ultësira, se i bën të tëra njësoj. Si përmbytjet e veriut, psh, që thuhej se ndodhin një herë në njëqind vjet dhe që në këto tetë vjet ndodhën njëqind herë!
Përmbytja në Shqipëri shihet në shumë fusha paralele. Në tabllonë e persekutimit komunist, si shëmbull tjetër. Ishin të shumtë ata që u pushkatuan, ata që vuajtën burgjeve dhe fushave të internimit. Por me dëshmitë e dhëna me dorë të lirë nga ca të përndjekur kuislingë që i kanë të lidhur telefonat vetëm me pushtetin e ish hetuesve të tyre, i tërë vendi dhe bota tej kufijve, u përmbyt me dëshmi përsekutimi e me të përndjekur që u nxirrnin gjuhën atyre që patën dalë pas dhjetra vitesh nga honet e ferrit.
Përmbytjen e betontë e sheh në ndërtime banesash, përmbytjet mashtruese i sheh në botime, në gazetari… E sheh në këpurdhimin e atyre televizioneve që ngjasin si binjakë, ngaqë çelen sapo blejnë katër kulltukët, mbi të cilët, ulen pas orës tetë të mbrëmjeve katër njerëz që grinden me njëri tjetrin për vlerat e burrave që mbajnë qeverinë dhe të burrave që duan ta përmbysin. Aq sa edhe po të kalosh para vetrinave të një shitore, ku ekspozohen mobila për dhoma pritjesh, të bëhet se matanë xhamit, ja-ja, do të dalë një moderator me kokë të rruar dhe katër debatuesit. E kokërruari duke u drejtuar gishtin e duke u zmbrapsur, do t’u japë falën të katërve që ka thirrur atje…
E pa dashur të listoj tëra përmbytjet dua të them se asnjëra nga këto nuk mund të krahasohet me pasojat rrënuese të asaj të arsimit universitar,
ku nivelet e përmbytjes kanë arritur lartësi të llahtarshme, duke lagur gjërësisht parlamentin, po-se-po, por edhe më lart, ku pjatalarës të suksesshëm, skafistë dhe doganierë me diploma të blera po kërcënojnë edhe qarqet akademike që nga pritet shpëtimi i vendit.
Për dijeninë e lexuesit, universiteti Kristal fillimisht u dënua që të mos pranonte studentë në vitin e ardhshëm shkollor. Pra iu kërkua që të pushonte për një vit sulmet që përmendëm më sipër. Pastaj dhe ky ndëshkim u arrit të mënjanohej dhe Kristali me universitetet të tjerë që, për nga numri, në ca qytete janë edhe më të shumtë nga gjimnazet, nuk kanë asnjë pengesë në veprimtarinë e tyre të ndërgjegjshme kriminale.
Për këtë katrahurë kryepolitikani që në tërë këta vite të gjatë ka qenë në krye të punëve do të kish atë dëshirën e marrë të kërkonte llogari dhe jo të përgjigjej. - DITA
Add new comment