Më të mirat ndonjëherë

Postuar në 23 Korrik, 2013 07:28
Alqi Koçiko

Zgjedhjet që sapo lamë pas, nuk kanë munguar të marrin lëvdata menjëherë pasi përfunduan, edhe pse çertifikimi i tyre është ende në proces. Të parët ishin ambasadorët e huaj dhe pastaj faktorë ndërkombëtarë që përshëndetën së largu. Pas një heshtjeje të kuptueshme për të përtypur humbjen, edhe qeveria në largim i njohu vetes ca kredite; dhe kjo është logjike. Nëse për zgjedhje të këqija faji bie mbi të si organizatore e procesit, pse të mos e lëvdojë veten kur gjithçka (ose pothuajse) shkon mirë e bukur?

Duhet thënë, gjithashtu, se surpriza pozitive e mbarëvajtjes së këtyre zgjedhjeve, merr efekt të shumëfishuar edhe nga pritshmëritë e pakta që opinioni publik kishte përpara tyre: Një KQZ e cunguar, retorika të ashpra politike, meraqe e paralajmërime të shprehura të ndërkombëtarëve me vajtje-ardhje personazhesh të njohura etj. Dhe kur nisesh drejt ditës së zgjedhjeve me një atmosferë të mbarsur me tension (madje me një frikë të turbullt se pritet të bëhet nami), kuptohet që çlirimi i mëpasmë ndihet disafish më tepër.

Mirëpo, të gjithë vëzhguesit objektivë të procesit të 23 qershorit janë dakord se ishte diferenca spektakolare në rezultat, që u vu re që në orët e para të numërimit të votave, arsyeja pse këto zgjedhje vijuan dhe po përmbyllen relativisht pa pohë e bujë. Nëse numri i mandateve të deputetëve nga secili prej dy koalicioneve të mëdha do të dilte pranë e ngushtë njëri-tjetrit, historia e këtyre ditëve do të ishte krejt tjetër. Akuzat dhe sulmet nuk do të ishin periferike, si këto që po dëgjojmë tani, por kryefjalë e periudhës post-zgjedhore. Le të kujtojmë se që paraditen e parë të numërimit të votave, ish deputeti demokrat i Peqinit akuzoi komisionerët e vet, bashkë me të PS-së e PR-së, se kishin rënë të gjithë në ujdi kundër tij. Zëra kandidatësh të pakënaqur, gjithandej u ankuan dhe ngritën gishtin ndaj dikujt. Por një shije konkrete mbi cilësinë e këtyre zgjedhjeve, po e jep qarku i Lezhës: Fillimisht, nisur nga një numërim trashanik dhe dukshëm i gabuar, KQZ ja hoqi një mandat të majtës; tani së fundi, pas një investigimi të TCH rezulton se votues fiktivë, që s’kanë qenë fare në Shqipëri (dhe kjo vërtetohet nga sistemi TIMS), paskan votuar për të djathtën në shumicë, në Shpërdhet të Mamurrasit. Zbritja e këtyre rreth 100 votave, do t’ja kthente sërish mandatin të majtës. Të shohim ç’do të ndodhë. Po ashtu, në qarkun Shkodër janë aleatët republikanë ata që akuzojnë direkt PD-në se njerëzit e saj kanë vjedhur votat që do të nxirrnin deputet kandidatin e PR-së.

Atëherë, sa “të mira” ishin këto zgjedhje? Vërtet, 23 qershori mbetet historik në një aspekt: Në masë dërrmuese, shqiptarët i vunë një veto të fuqishme qeverisjes së mëtejshme të vendit nga Sali Berisha. Kampioni, mostra e kësaj vetoje doli kaq shpejt dhe kaq dukshëm në gjithë territorin, saqë edhe për kryeministrin në ikje mesazhi ishte i pagabueshëm. Por nga ana tjetër, a vendosën shqiptarët (institucionet para së gjithash) një standard kësaj here? Mendja ma do që jo. Nuk mund të shpresojmë që çdo palë zgjedhje, rezultati të jetë aq plebishitar sa pala humbëse të mbledhë mendjen se më mirë i leverdis të ruajë fytyrën sesa të trazojë ujrat. Dhe nëse për një aspekt këto zgjedhje do të mbeten historike dhe do të hapin një epokë të re për vendin, kjo do të varet se çfarë zgjedhjesh do të organizojë në të ardhmen Edi Rama, që këtej e tutje ka një peshë të rëndë në supe. Rezultati i ngushtë në 2009-ën, akuzat e tij për manipulime që nuk u faktuan dot për momentin, dhe protestat e mëpasme, duhet pranuar se i kushtuan jo pak vendit, pavarësisht se kush është kryeministër në diell e kush në hije. Katër vjet më pas, nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe në pjesën që varet nga shteti; por ndryshoi shumëçka në votën e zgjedhësve. Ndoshta jam gabim, por unë mesazhin e votës së 23 qershorit (pa diskutuar aspak keqqeverisjen, gjendjen ekonomike, disa momente kyçe si 21 janari  etj), e lexoj edhe kështu: S’na numëroni dot tek e tek? Po jua japim diferencën me qindshe e mijëshe në çdo qytet e fshat, që të bini rehat edhe ju, edhe ne!

Përfundimisht, lëvdata për këto zgjedhje (që s’kanë mbaruar ende, po e ritheksoj) mund të dëgjojmë edhe në të ardhmen. Por të gjithë e dimë se sa larg normalitetit demokratik jemi akoma. Ama, nëse flitet për hapje e mbyllje epokash, le të shërbejë 23 qershori si fillimi i një kthese që kujtuam se erdhi më 3 korrik 2005, por që na mbajti zvarrë edhe tetë vjet të tjera.

 

Revista Klan

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.