Kiss

Postuar në 19 Maj, 2012 05:42
Dalina Buzi

Tragjeditë dhe komeditë më të mira shqiptare asnjëherë s’kanë qenë të shkruara në letër. Ato kanë ndodhur dhe shpesh janë ndërtuar në mënyrë aq të përsosur – që nga hyrja, zhvillimi, pika kulmore dhe zgjidhja – saqë çuditem si nuk doli asnjë dramaturg “kodosh” ta hidhte në letër historinë mot e mot! Kaq do t’i mjaftonte që ta bënte të suksesshme e ta shiste në botë. Por ja që edhe kur e ke aty pulën, ha sorrën gjithsesi, se të duket më avangard si koncept, e kështu shpesh përfundojmë me ca vënie në skenë apo me filma që as vetë ata që i bëjnë, s’i kuptojnë.

Kështu vendosa që në mungesë të diçkaje të thjeshtë frymëzuar nga realiteti ynë, të krijoja  një komedi  duke u bazuar në një festival të rëndësishëm, që i paraprin evenimentit më të madh sportiv, Lojërave Olimpike, në pritje për t’u organizuar në Londër. Festivali “Globe to Globe”, pjesë e “World Shakespeare Theater”, sjell vepra të Shekspirit sipas konceptit dhe në gjuhën amtare të 37 vendeve. Një ndër të përzgjedhurit ishte edhe Teatri Kombëtar, që do të paraqitej me pjesën e dytë të trilogjisë “Henry VI”.

Shenja e parë që tregonte se do të kishte një zhvillim interesant të komedisë, ishte fakti që një pjesë e aktorëve gëzonin se do të shkonin të shihnin Londrën për herë të parë. Dhe këtë fjali nuk mund ta ndërtosh kurrë aq mirë sa në Shqipëri, kur ende vazhdojmë të jemi të kufizuar financiarisht, por, në rastin e Londrës, edhe nga ana e vizave për të udhëtuar. Shtoji kësaj edhe diskutimin e madh që u bë për dietat e kastit të aktorëve. I vërtetë apo jo thashethemi se disa aktorë ishin të pakënaqur me pabarazinë në përcaktimin e dietave, fakti që po diskutohej, tregon se në fund të ditës, me stomakun bosh, ne shqiptarët e kemi të vështirë të shesim 100% seriozitet në art.

Një tjetër konflikt në nisje ishte edhe mënyra e përzgjedhjes së regjisorit. Sipas disa aktorëve të njohur, kjo shfaqje kaq e rëndësishme kishte nevojë për një audicion, si për aktorë, ashtu edhe për regjisorë. Me qindra burra e gra kanë dalë në “sheshin e betejës” për t’u përballur me kryeplakun e dramaturgjisë botërore, por jo të gjithë kanë arritur ta kuptojnë e ta përvetësojnë siç duhet atë. Kjo absolutisht nuk do të thotë se një regjisor është i paaftë apo më pak inteligjent se ai që e vë në skenë me sukses një vepër të Shekspirit. Në botë Shekspiri studiohet edhe si degë më vete dhe deshifrimi i tij është një eksperiencë shumëvjeçare. Ai, një mjeshtër i poezisë në të folur dhe i kuptimeve të dyfishta, nuk mundet kurrsesi të jetë i mërzitshëm në skenë, sepse përndryshe ke dështuar. Aktorët e mëdhenj të Hollivudit nuk ndihen aktorë të plotësuar nëse nuk marrin një herë pjesë në “Shakespeare in the Park”; Laurence Olivier-i u diferencua nga të tjerët e kohës së tij, sepse ishte Otelloja dhe Hamleti i përkryer, madje u cilësua si interpretuesi më i mirë i Shekspirit në shekullin XX dhe rrjedhimisht aktori më i madh në botën anglishtfolëse të kësaj epoke. Regjisori Kenneth Branagh është i pakonkurrueshëm në Angli për mënyrën se si e solli Shakspeare-in në kohërat moderne. Personalisht, mendoj se, nëse nuk ke përkthim të mirë, as mos u lodh t’u edukosh të rinjve Shekspirin në shkollë, sepse është fatkeqësi që të keqkuptohet e të trajtohet si një dramaturg i zakonshëm.

Nejse… po lë mënjanë emocionet e mia ndaj një dramaturgu, të cilin e kam shijuar falë përkthimeve të Fan Nolit, dhe po vazhdoj të diskutoj zhvillimin e komedisë. Sepse komedia ndodh atëherë kur gjërat merren më seriozisht seç duhen. Siç ishte edhe vula “Nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit, prof. dr. Sali Berisha”, që iu bashkëngjit shfaqjes “Henry VI” të trupës sonë. Nëse nuk e dini, kjo është stampa “Giorgio Armani” për shumë evenimente kulturore të vendit tonë. “Kujdesi i tij i veçantë” ka kthyer shumë evente në “firmato”, që nga 100-vjetori i lindjes së Nënë Terezës e deri te konkursi i dansit sportiv “Open Latin”. Me gjithë respektin për njohuritë e tij në të gjitha fushat e mundshme, që nga mbjellja e agrumeve e deri tek impiantet bërthamore, në komedinë për të cilën po shkruajmë, natyrisht, një personazh do të hidhej të thoshte: “Ah vërtet! Jemi nën kujdesin e tij? Sa mirë! Më kujtohet sesi gra të bëshme të byrosë, të rritura me agrikulturë e me kostume si uniformë oficeri, rrudhnin ballin sikur kuptonin se ç’kishte vënë në skenë baletmaestri Panajot Kanaçi, vetëm sepse ato kishin kompetencë për ta ndaluar një vepër nëse donin”. Dhe meqenëse Kryeministri ka fuqinë e plotë për ta mbrojtur një shfaqje e për ta financuar deri në fund, atëherë këtu nuk ka shumë vend për diskutime. Shfaqja është serioze, është marrë seriozisht dhe me atë seriozitet do të shkojë deri në Londër.

Por nga vula e Kryeministrit deri në Londër, na duhet një kapërcim dhe, për këtë, më mirë se kushdo, do të na hyjë në ndihmë pasioni shekspirian i konstatuar në interpretimin gjenial të një prej aktorëve të “Henry VI”, Bujar Asqeriu, në studion e “Pasdite në Top Channel” disa ditë përpara nisjes. Ai interpretim ishte një “urë” e suksesshme drejt pikës kulmore. Aq me patos “bërtiti” për shfaqjen, sa edhe indiferenti më i madh shqiptar ndaj teatrit nuk mundi të mos fiksohej pas ekranit, i hutuar, duke pyetur veten nëse Stanislavski kishte zaptuar shpirtin e Asqeriut apo aktori kishte ardhur i pirë. Gjithsesi, ajo urë ishte ideale. Ja sesi e parapriu suksesin e madh në Londër dhe, siç zbërthehet komedia në tavolinën e provave, do ta zbërthejmë edhe patosin e tij në studio.

“Në pamje të parë duket një pjesëmarrje e rëndomtë, por jo! (Vini re! Kur të lexoni këto fjali, theksoni pjesën e dytë të saj!). Jo të gjitha trupat teatrore kanë nderin të marrin pjesë në Teatrin Globus (këtu tonaliteti i zërit pëson një kreshendo) dhe ne po marrim pjesë me Shekspirin. (Theksoni: “Shekspirin”!) Shekspiri ka eksploruar njeriun në të gjithë qelizat e tij. (Jeni të lirë të çoheni nga karrigia kur po lexoni këtë fjali e të ngrini zërin dhe të lëvizni duart në mënyrë pompoze. Ju falet edhe nëse nxirrni stërkala pështyme prej pasionit). E gjithë puna jonë do të jetë shumë serioze (këtu ngrini lart gishtin tregues e hidhni një vështrim dyshues alla-Kadri Roshi rrotull dhomës apo kafes ku jeni!) në Teatrin Globus në Londër”.

Uluni tani, merrni frymë thellë dhe përgatituni për vazhdimin. Nga konferencat e shtypit dhe daljet në ekrane të aktorëve dhe regjisorëve e deri në finalen e Londrës, nuk ka asnjë zhvillim. Mund të pritej që dikush të jepte një mendim mbi shfaqjen, t’i paraprinte festivalit me ndonjë kritikë konstruktive, por askush nuk e bëri dhe e vërteta është që shumë rrallë bëhet. Ata që duhet të flasin me kompetencë, ose nuk jetojnë më ose nuk duan të humbin ata miq që u kanë ngelur, në vend të parave e statusit që do të mund të kishin marrë, si vlerësim për kritikën e tyre. Publiku, nga ana tjetër, kur lavdëron, është publiku “i mrekullueshëm, i nderuar, frymëzuesi” dhe kur kritikon në rrjetet sociale, “është veçse një shqiptar injorant, që s’ngrihet për ujë e drita e tani ka marrë përsipër të flasë për artin”. Kjo heshtje lejon që çdo shfaqje mediokre apo gjeniale të kalojë në media me të njëjtin intensitet mbulimi apo heshtjeje. Vlerësohet më shumë në varësi të promocionit të mirë apo emrave të aktorëve, sesa në varësi të cilësisë.

Rikthehemi te shfaqja. Të parët që interpretuan, ishin aktorë të Teatrit Kombëtar të Beogradit, më pas trupa jonë dhe në fund, me pjesën e tretë të “Henry VI”, trupa e Teatrit Kombëtar të Bitolës, Maqedoni. Dhe vazhdimi është histori. Po citoj shkurt, sepse detajet janë shfaqur në të gjitha gazetat kombëtare: “Produksion i ngadaltë dhe pa ritëm”; “Shqipëria ngatërron festivalin e Shekspirit me Eurovizionin”; “Kostume të tepruara me motive kombëtare”; “Një ‘Henry VI’ i dobët dhe pa jetë”; “Yllka Mujo me një interpretim më dramatik seç duhet”; “Një shfaqje që nuk shprehte asgjë”; “Nuk kuptohej nëse duhet të qeshnim apo të talleshim me karakteret me aftësi të kufizuara fizike”; “Ndërrimi i skenave – amatore, perfekt për një shfaqje gjimnazi”; “Edhe pse në gjuhën shqipe, nuk ishte marrë mundimi që të bëhej i kuptueshëm për audiencën e huaj”; “Elemente të pashpjegueshme në skenar apo devijime nga historia” etj. Në këto kritika u zbulua edhe e vërteta e “interpretimit” në studion e “Pasdites” të aktorit Bujar Asqeriu. Ai, mesa duket, ishte futur në rol dhe kishte vazhduar kështu deri në mbyllje të shfaqjes, por me një ndryshim: Atje u vlerësua si një aktorët më të mirë të shfaqjes, por, siç shkruante një kritik: “fatkeqësisht nuk kishte mbështetjen e kastit të tij”.

Këtu s’ka asgjë për të qeshur! Dhe nëse do të bazoheshim tek serioziteti aq i pompuar në media i trupës sonë, do të rrezikonim të kishim një dramë, me gjithë këto kritika të bëra nga pena të famshme dhe gazeta autoritare si “The Guardian”. Por pikërisht atëherë kur një e vërtetë del në shesh, ne bëjmë të pamundurën, me të gjitha mënyrat, ta injorojmë, aq sa kthehemi shpesh në qesharakë. Apo më keq! Kemi adaptuar disa shprehje shabllon të tipit: “Rëndësi ka që flasin” apo “Çdo publicitet i keq është publicitet”, pa e ditur se vetë personat që i kanë thënë këto shprehje, të paktën e kanë provuar njëherë të rrëzohen e të ngrihen e më pas kanë arritur të hyjnë në historinë botërore për veprat e tyre, përderisa edhe një shprehje që mund ta kenë menduar duke urinuar, si çdo mëngjes në tualet, është bërë moto për miliona të tjerë (dhe shpesh justifikim i padrejtë për një ushtri mediokrish, që refuzojnë t’i bëjnë një analizë punës së tyre).

Qëndrojmë te komedia që pasoi kritikat. Siç u dëshmua, të huajt nuk e pritën mirë shfaqjen tonë. Por ç’bëmë ne? Si fillim, kërcyem në rrugët e Londrës dhe pimë birra, madje videoja në Youtube e trupës sonë të gëzuar, jam e sigurt se ka marrë më shumë “likes” seç ka marrë trupa duartrokitje të sinqerta në sallë. Na ndodh një fenomen i çuditshëm, që do ta quaja fenomeni i “Fazanit Mashkull”. Si një vend që e kemi ende shfaqje të huaj, fenomenin e fjalëve magjike, si: “Më fal”; “Gabimi im”; “Bëj autokritikë” (madje kësaj të fundit edhe i frigohemi, jo për fajin tonë, por për presionin e madh që ushtrohej dikur në komunizëm mbi njeriun që gabonte), ne, kur përballemi me të vërtetën e hidhur, nisim të fryhemi njësoj si fazani. Hapim krahët e lëvizim nëpër terren pa asnjë drejtim, duke cicëruar sa më lart e duke shtriqur krahët sa më gjerë, për të mbytur zhurmën e të vërtetës. Përdorim çdo ngjyrë të mundshme nga pendët tona për të anashkaluar autokritikën. Si fazani, trupa jonë mbërriti e qeshur në Shqipëri, madje me buzë në gaz; flisnin me gazetarët sikur të mos kishte ndodhur gjë. Por nuk kanë faj! Se fazanët dinë se ku dhe kur të fryhen nëse ka njerëz rrotull që i ushqejnë. Doli që një prej kritikëve më të ashpër të shfaqjes, meqenëse kishte mbiemër sllav (ai vetë e pranoi në shkrim se ishte brez i dytë serbo-kroat), ishte paragjykues ndaj shqiptarëve. Nuk u diskutua as fakti që ai shkruante për një nga revistat më prestigjioze, “The Economist”, ku gazetarët nuk kanë emra, sepse të gjithë janë “creme de la creme” të gazetarisë botërore; as që ai kishte vlerësuar dikur një tenor shqiptar (Saimir Pirgun në një operë); as se ai e ka ndërtuar emrin e tij me përgjegjësinë më të madhe, sepse, ndryshe nga Shqipëria, të shkruash për “The Economist”, “Times”, “The Guardian”, duhet të kesh vite pune e korrektesë mbi shpatulla, pasi një vlerësim i yti rrezikon një produksion qindra-mijëra eurosh. Ky gazetar serb, siç kritikon trupën shqiptare, ka marrë guximin të thotë edhe se Ingmar Bergman-i ka realizuar ndër të tjera disa filma të dobët apo se Woody Allen rrezikon dështimin me vënien në skenë të një opere në Los Anxhelos. Por ne nuk i kuptojmë këto, sepse jemi mësuar me vlerësime absolutiste. Ose je një “div”; “i mrekullueshëm”; “një magjistar i skenës”; “vdesim ne, të ekzistosh ti”, ose je “tërësisht i paaftë”, por në rastin e fundit, arsyetimet e vërteta pas kësaj janë gjithmonë personale ose politike. Kështu që ishte shumë e pritshme që të gjithë të nervozuarit, me shkrimin e kritikut serb, të ishin shqiptarë, që me të njëjtin pasion siç kryqëzuan dikur të vërtetat e tmerrshme të A. A. Gill-it, të shkruanin: “Ti mbron serbët, se je serb.” Dhe si qershia mbi tortë, gazeta “Republika”, që rastësisht më doli në internet gjatë kërkimeve,  në përgjigje të kritikës, shkruan: “Teatri Kombëtar ka dhënë leksionin e tij më historik në Londër”. E kuptuat? Po jua thjeshtëzoj. Është si të thuash: “Bleona Qereti i jep një leksion historik Hollivudit”. Më thoni pra, a s’po bëhet gjithmonë e më tërheqëse kjo komedi?

Sepse nuk ishte qesharake vetëm kjo gazetë që vegjeton kioskave të Tiranës, por e gjithë skena që vijoi kritikat, ishte komike.

Fazanëria jonë legjitimohet në momentin kur nuk ekziston penalizimi. Asgjë nuk ndodh kur ata kthehen në Shqipëri, asgjë nuk ndodh kur një film është i keq: regjisori e përsërit prapë dështimin e tij. Asgjë nuk ndodh kur një festival është i keq: ai vazhdon me vite të tëra. Unë nuk po them që është gabim të bësh gabime, se fundja edhe maestroja i kinemasë Al Pacino u vlerësua me Razzie Awards, si aktori më i keq në një rol mbështetës në filmin “Jack and Jill”. Por, të mos njohësh problemet, këtu është tragjedia! Dhe se si përballesh me tragjiken, të bën ose hero dramatik ose palaço komik! Për të vazhduar komedinë tonë, Oscar Wilde-i e cilido anglez tjetër i etur për ato mbylljet tragjikomike, do të dëshironte një thënie si ajo e aktorit Sokol Angjeli për “Vizion Plus”-in, i cili, në mbrojtje të shfaqjes “Henry VI”, tha: “Nuk është e vërtetë që neve na pritën keq. Dje na takoi Berisha dhe tha që keni dalë shkëlqyeshëm. Ai i referohej burimeve të tij zyrtare”. Qeshni! Se është për të qeshur! Ja, po të vihej kjo shfaqje dhe jo “Henry VI”, anglezët do të kishin mbajtur barkun me dorë. Ç’rëndësi ka autokritika?! Kush pyet për analiza post-shfaqje?! E tha Berisha! Kryeministri ynë, që vulosi shfaqjen, tani i vuri edhe firmën. Ai, i konsultuar me burimet e tij kozmike, aprovoi autenticitetin dhe cilësinë e shfaqjes. Dhe, ndërsa qeshni, kujtoni ndërkohë që gjëja më e tmerrshme në gjithë këtë situatë qëndron në faktin që artistët tanë, të dhunuar psikologjikisht nga censura e Byrosë Politike të Enver Hoxhës dhe vlerësimet pa kriter të disa njerëzve tërësisht injorantë të caktuar nga Partia, ndaj artit, zgjedhin të marrin sërish në konsideratë byronë e sotme. Kryeministri ynë mund të jetë një Fan Nol i dytë në raport me Shekspirin, por dyshoj (dhe këtë e di mirë edhe trupa e teatrit) se ai, mes pakënaqësive të BE-së dhe zgjedhjes për President, të jetë marrë ekskluzivisht me shfaqjen tonë në Londër e ta ketë diskutuar me orë të tëra me kritikë e kompetentë të fushës performancën e trupës shqiptare.

 

Por komedia që krijuam së bashku (E shikoni sa e thjeshtë?!), që të jetë perfekte, ka nevojë për atë zërin kundër rrymës. Për atë zërin që nxjerr në pah ilaritetin e gjithë ngjarjes. Duhet të kemi si personazh një koleg, një specialist, një anti-hero, një karakter që lufton dhe ngre zërin kundër asaj çfarë po ndodh me teatrin tonë. Por këtu na duhet të shtojmë pak “fiction”, duhet ta sajojmë, duhet t’i japim ne një emër e mbiemër. Ai ekziston, është kudo, në trupën e teatrit duke shfryrë në heshtje, në radhën e aktorëve që nuk iu dha mundësia për të bërë një audicion, te ndonjë regjisor që shpresonte të paktën të kishte një shans për të treguar idenë e tij, tek ai kritiku i vetëm që ka ngelur e tund kokën në heshtje në librarinë e shtëpisë së tij, te ndonjë aktor i madh që psherëtin. Ai ekziston dhe të gjithë këta që përmenda më sipër kanë emra dhe mbiemra. Unë i njoh. Kemi biseduar me ta për t’i ftuar në “Pasdite në Top Channel”, që të komentonin shfaqjen e trupës së Teatrit Kombëtar në Londër. Të gjithë thanë ekzaktësisht çfarë është shkruar në këtë shkrim, por asnjë nuk pranoi të dalë për “arsye personale” apo “konflikte interesi”, përveç “kokëkrisurit” Hervin Çuli, ndaj të cilit nuk dua të shtoj asnjë koment pozitiv, sepse do të keqkuptohej. Thjesht e falënderoj!

E kështu, e frymëzuar, vendosa të flas edhe unë. Po kush jam unë, një herë?! S’e mbaj veten për kritike arti dhe po e them që shfaqjen nuk e kam parë. Nuk jam me origjinë serbe dhe as kam ndonjë dëshirë të fshehtë “të poshtëroj” artistët e vendit tim. Jam thjesht e acaruar me faktin që ne e kemi kaq të vështirë të pranojmë kritika, por të parët për t’u vetëftuar në emisione ku diskutohet mungesa e kritikës në art. Ja për shembull, fakti që unë s’kam lidhje të vazhdueshme me teatrin dhe s’e kam parë shfaqjen, më bën automatikisht një zë “të pavlefshëm” për ata që duan të mbrojnë punën e tyre. Por, të paktën, përpos pavlefshmërisë sime në CV, merreni këtë shkrim si një ide për një komedi. Nëse, të dashur regjisorë e aktorë, ngatërroheni me këmbët tuaja e bëheni qesharakë për botën duke sajuar lloj-lloj filmash e shfaqjesh që edhe Bunueli e Joneskoja do të lodheshin për t’u gjetur simbolikën, pse s’mendoni të riktheheni në bazë?! Te gjërat e thjeshta, tek ato kryevepra komike e tragjike që na kalojnë përpara syve çdo ditë. Dhe meqë po flisnim për një dramë të shfaqur në Angli, do ta mbyll këtë komedi në mënyrë angleze: KISS (Keep it simple, Stupid!).

Marrë nga Shqip

Comments

Submitted by Iluministi (not verified) on

<p>Dalina, ne kutin tim te vleresimit te gjerave, kish kohe qe nuk arrija ta perfundoja nje shkrim. Ose me lodhte stili, ose me lodhnin gabimet logjike ose me thjesht, nuk kish arsye ta shpenzoja kohen. Sot u ndjeva ndryshe, madje pertej informimit elokuent dhe te kendshem, provova se nuk ishte faji im qe nuk arrija t&#39;u shkoja shume shkrimeve (pergjithesisht, do thosha) deri ne fund.</p><p>Me informuat per sa ka ndodhur - qofte ne planin organizativ, ne ate artistik dhe per mecenin e shfaqjes. Nuk shtova gje ne arkiv sa i takon idese tuaj per kritiken, por u argetova me shtjellimin tuaj pse na mungon kritika.&nbsp;</p><p>E meqe te dy duket se ndajme te njeten pikepamje rreth kritikes, po i lejoj vete nje te tille, paçka se nuk i di mire ato punet tuaja te artit. A nuk ju duket se shpenzoni kot kohe duke marre per artiste, disa individe qe kenaqesine qe sjell magjia e artit e kane zevendesuar me kenaqesi &nbsp;qe sjell magjia e firmes ne liste pagesen mujore? Druaj se nuk gaboj ketu: A nuk e provon kete nje aktor qe pranon me zell rolin e drejtorit te teatrit, madje lufton me force neper zyrat partiake per kete? A nuk e provon kete mungesa e konkurrimit ne treg e trupave tona artistike - Madje edhe Sinani tregoi se vlen me shume se te diplomuarit ne Akademinë e artit! Gjithsesi, edhe ju edhe une, me duket se shpenzojme kohe kot. Te kish mend SB per t&#39;i hapur rruge zhvillimit - edhe ne art - tani do te thoshnim fjale te tjera, me siguri.&nbsp;</p>

Submitted by Nikolin (not verified) on

<p>Shkrim i fort shume. Pak i gjate por me shume te verteta per rrenimin e artit tone, teatrit te Naim Frasherit e Agim Qirjaqit. Eshte per te vene duart ne koke por patjeter perderisa firmos Berisha. Me pelqen stili i kesaj zonje</p>

Submitted by Erind (not verified) on

<p>Shkrimi ishte mese i vertet, informues. Vecse menyra e te shkruarit ishte sikur po rrije tek bordurat para hotel Dajtit dhe degjoje nje fjalor te rrugesh te rendomte te dy gjimnazisteve qe nuk kane arritur akoma te lexojne me shume se 4 libra ne jeten e tyre.</p><p>Kur merr persiper te shkruash per nje ngjarje te tille, te pakten perbahu formes se gazetarise, qe kerkon ose hiqesh sikur perfaqeson.</p><p>Dalina, te thuash apo te pershkruash nje te vertet eshte nje gje - por te dish te pozicionohesh ne ambientin intelektual dhe gazetaresk si nje profesioniste e shkrimit kjo eshte komplet dicka tjeter.</p><p>Do te ishte mire qe Znj. Dalina ti kthehej te pakten shkolles se gazetarise dhe ta mbaronte ate - te mesonte si shkruhet ne Gjuhen Shqipe para se te vazhdoj ti ofroj publikut nji nivel banal diskutimi.</p>

Submitted by Inida (not verified) on

O ti Erind shablloni!Perpara se t'I japesh tjetres leksione stilistike dhe gjuhesore,mundohu ta formulosh argumentin tend sakte dhe pa gabime trashanike.Ne cdo fjali ke minimumi tre gabime gramatikore.Persa I perket stilit,mendoj se "komedia" qe Dalina ka ndertuar eshte shume e goditur dhe flet sa 1000 libra qe mediokrit mund te kene lexuar.Ti kur I shan gjuhen e thjeshte,duhet te kesh patur parasysh hartimet e tua te 8-vjecares me metafora e fjale te medha. A pikaa edhe japin mend tani!

Submitted by Erind (not verified) on

<p>Ej pash zotin shko lexo nja dy libra edhe ti me Dalinen - se keni ngel vetem me &quot;Cufo dhe Bubi kacurrel&quot; !</p><p>&nbsp;</p>

Submitted by Koz (not verified) on

Shkrim shume I mire, po kujt I shkruan Dalina... Kafsheve orientale e provinciale qe nuk Kane aftesine te kuptojne dhe reflektojne. Nuk mund te presesh me shume nga zyrtare (Drejtore) qe Jane Meerut thjesht ne saje te orientimit politik dhe regjizore, e actors qe nuk Kane kapacitetin intelektual e kulturor te kuptojne shekspirin (qofte edhe nga izolimi thelle qe ka zaptuar kulturor shqiptare ne keto 20 vjet). Ne duhet te ndihemi shume here me te turperuar me kete nivel te turpshem te troupes se teatrit Kombetar sesa me kargjozlleqet e politikaneve tane anadollak e injorant.

Submitted by Drenusha (not verified) on

<p>E pergezoj autoren per realizmin e ketij shkrimi, gje qe mungon ne faqet e shtypit te shkruar apo dhe ekranet tona mediatike.&nbsp; Nuk e diskutoj vertetesine e asaj qe shkruhet, edhe pa pasur infomacion arrin te kuptosh se fenomeni eshte i markes &quot;Made in Albania/ post &#39;90&quot;.&nbsp; E dhimshme sa me s&#39;ka per te githe ne &quot;te dashuruarit&quot; pas artit!</p><p>Dy gjera doja te vija ne dukje:</p><p>Se pari: Gjatesia e shkrimit i zbeh paksa efektin &quot;godites &quot; te tij!</p><p>Se dyti: Mungesa e insitucionit te &quot;KRITIKES&quot;&nbsp; se artit dhe letersise, qe duhet te fliste me ZE TE LARTE per cdo prodhimtri letraro- artistike.&nbsp;</p><p>Dhe se fundi, do te deshiroja t&#39;a pyesja autoren, perse nuk e trajton nje teme te tille ne emisionin e saj ne TCH?&nbsp; Nuk mendon qe ka ardhur koha te flitet me fort me ze per keto fenomene??</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.