Ka më shpresë, vallë?

Nëse do të mund të bëhej një krahasim mes gjendjes së Shqipërisë së vitit 2005, kur socialistët dorëzuan pushtetin dhe asaj së sotmes së udhëhequr nga demokratët, nuk mund të përkufizohej më saktë se me kalimin nga një sistem i hapërdarë kleptokratësh ku paraja e pushteti lëviznin mes shumë duarsh e informaliteti mbizotëronte sheshit, në regjimin fuqiplotë të një grupi të strukturuar kriminal, që e ka përqendruar krejt pushtetin në pak duar e kontrollon gjithçka në funksion të interesave të veta ngushtësisht kriminale.
Thënë kjo, Shqipëria e sotme kalon një fazë të dhimbshme, një kohë kur degët e së keqes po na gërryejnë porsi qelizat e kancerit zaptojnë organizmin e i pijnë gjakun dita-ditës. Pasojat e sëmundjes tonë vihen re në çdo segment të mundshëm të jetës, me rrënim vlerash e zvetënim të gjithanshëm të shoqërisë që s’po kursejnë as atë pak shpresë të mbetur.
Atë shpresë, që ndofta siç thuhet nuk lind hiç, a më keq akoma është e vdekur që në gjenezë. A ka kush shpresë sot se politika një ditë do të çlirohet nga duart e errëta që e kanë shtrënguar për fyti e po ia marrin frymën? Kush beson sot në Shqipëri se politikanët veprojnë në emër të interesit publik dhe të atyre që i kanë votuar? Ç’mbetet për të thënë kur pushteti shton dhjamin e zgërdhihet i kënaqur në llucën e korrupsionit sistemik?
Nuk mund të ekzistojë besimi drejt një grupimi që vret pa mëshirë 4 qytetarë në mes të bulevardit vetëm sepse janë kundër tij. Që territorin kombëtar e bën pjesë pazaresh të fëlliqura me marrjen e mbështetjes së huaj në këmbim. Që vjedh e shpërdoron pa kurrfarë droje dhe e përdor pushtetin si çifligun e vet të trashëguar, duke i kthyer institucionet e administratën në çerdhe klientelizmi e ku qytetarët janë të fundit për të cilët mendohet. Që diplomacinë e kanë shndërruar në një torbë qokash e punësimesh nepotike, ku mjafton të kujtohet dhëndërri i Jozefinës mes Parisit për t’u shprehur më qartë se me një mijë fjalë. Një grupim që hedh në erë në mes të ditës një fshat të tërë, duke lënë të vdekur 26 njerëz e jetimë dyerve të kalbura të gjykatave familjarët e tyre. E nga ana tjetër një grupim kinse opozitar që vetëm një muaj pas kësaj tragjedie bashkon votat për t’i bërë atentat kushtetutës (vetëm një muaj: 15 Mars – 21 Prill 2008!) Nga kjo politikë nuk buron kurrfarë shprese, partitë janë shëmbëlltyra e gjithçkaje të ndyrë e të pistë që është prodhuar në këto 20 vjet të tranzicionit shqiptar.
Ku ta gjesh vendin në një shoqëri ku militanti i rradhës me Master në njërin prej 58 universiteteve private bën karrierë e mund ta shohë veten në krye të administratës publike, ndërkohë që papunësia për popullsinë e aftë për punë ka marrë trajtat e një gangrene? Natyrshëm që në një sistem të tillë gëlon servilizmi, përulja ndaj pushtetit e të pushtetshmit, ku vlerat e aftësitë eklipsohen dhe si kontribute llogariten ato që janë dhënë ndër fushata e vjedhje votash. E habitshme se si servilët nuk vdesin kurrë, janë brumi i preferuar i çdo pushteti, të gatshëm për vetë-flijim humbasin dinjitetin e falë personalitetit të munguar lëpijnë e gëlltisin ç’t’u dalë për ca pará e një kolltuk a karrike të çfarëdoshme.
Nuk mund të ketë shpresë aty ku mjerimi kaplon edhe qelizën më të imët të jetës së shqiptarit të thjeshtë, ku zymtësia mbretëron e shtrirë gjithkund dhe ftohtësia e këtij sistemi të pamëshirshëm ka ngrirë çdo ëndërr. Në një vend ku 1-përqindëshi i shoqërisë skllavëron pjesën tjetër që varfërohet çdo ditë e më shumë, ku spitalet janë në gjendje të mjerueshme dhe ilaçe për të sëmurët nuk ka a janë të skaduara, ku çmimet rriten dhe faturat bëhen gjithnjë e më të rënda për familjet, në favor të çekëve të rradhës që vijnë e ikin me xhepat plotë. Një vend ku minatorët vdesin çdo ditë e britma e tyre humbet në lukuninë e pasunarëve të rinj që zhvasin edhe hekurat e fundit të ndyshkur që i kanë mbetur këtij vendi për skrap. Ku shpresa për drejtësi të vërtetë, të paanshme e të barabartë për të gjithë ka vdekur në dyert e gjykatave që qelben era korrupsion, që dënojnë të pambrojturit e të varfërit e i rrahin shpatullat të pushtetshmit a të pasurit të rradhës.
Në një vend ku njeriu shkatërron mjedisin, pyjet e hapësirën publike, ndot rrugët e parqet me mbeturinat e tij, nën shembullin e burrit të shtetit atje lart që firmos për ta shndërruar vendin në gropën e grumbullimit të jashtëqitjeve të importuara nga jashtë.
Nuk ngjizet shpresa aty ku rritet një qytetar i shtypur, i shkelur e indiferent në apatinë e tij asgjë-bërëse, që lëshohet në eksode biblike drejt një qendre tregtare - biznes i njerëzve pranë pushtetit - e ndërkohë që as i shkon ndërmend të çohet për të drejtat e veta dhe assesi të mendojë për lëvizje të indinjuarish si në botën e civilizuar.
Jetojmë një kohë kur, megjithëse të ndërgjegjshëm për vetë-shkatërrimin tonë që reflektohet qartazi në dështimet spektakolare në çdo drejtim, pa kurrfarë dashurie për këtë vend, nuk harrojmë t’i shtojmë tablosë as masturbimin nacionalist me flamuj rrugëve e në facebook, ndonëse një herë në vit me rastin e përvjetorit të pavarësisë.
Ndofta Shqipëria është i vetmi vend ku, pasi pushteti të ka hedhur shtëpitë në erë e të ka shfarosur bashkë-fshatarët, në ditën e zgjedhjeve votohet po i njëjti grupim. Ç’tjetër mbetet të të bëjnë? Nuk dihet më se ç’vlerë kanë zgjedhjet në këtë vend. Edhe ato janë vrarë, ashtu si shpresa.
Ky sistem nuk mund të projektojë në shpirtin e njeriut asgjë tjetër veç neverisë. Neveria është e vetmja gjë që ndjen se të ngjallet duke e jetuar këtë vend, në këto kohë.
E megjithatë natyrshëm pas leximit të këtyre rreshtave mund të thuhet se i dimë të gjitha këto. Të gjitha. Të gjithë i dimë. Asgjë e re. E është rizbulimi i tyre, nën thundrën e neverisë që na vret ngadalë. Pak e nga pak. Çdo ditë e më shumë.
Comments
Artikull i bukur, dhe
Artikull i bukur, dhe fatkeqsisht shume realist.
Sa shkrim i bukur, sa

Sa shkrim i bukur, sa romantik, te vjen ti marresh kembet ne qafe e te ikesh nga ky vend. Po dicka me shqeteson.

I dime te gjitha kto dhe ja kemi dhene diagnozen te semurit. Problemi eshte te caktojme kuren... Dikush tjeter ne nje kohe tjeter, ne nje vend tjeter si pergjigje te kesaj diagoze shkruajti nje liberth me titull "Ç'duhet bere?" (a diçka te tille). Rezultati i eksperimentit ishte me medyshje, ca thone nuk doli shume i bukur, ca thone i bukur doli. Vdiqen shume e vuajten shume por edhe shume jetuan me mire.

Romantiket jane te lezetshem ne letersi por ne punet publike romantika shpesh te con ne drejtime te gabuara.

PS: Me gezim shoh qe "respublica" eshte shume e gjalleruar. Bravo per punen e mire dhe per hapesiren qe keni krijuar.

Bashkefshatareve qe ju jane

Bashkefshatareve qe ju jane hedhur shtepite ne ere dhe 26 te tille,nuk i votojne vrasesit,por vota vidhet sheshit e blihet per nje thes miell,kur u vodh ne menyre trnsparente e EDI RAMES ,çfare mbetet tjeter,por 21 JANARI I PAZBARDHUR PO PRET,me dite eshte ,neveri por mendoj fajin e ka PUSHTETIMAFIOZ qe kush guxon e peson deri edhe si Skerdilajdi dhe fukarallaku.Ne Shqiperi po nuk qe i zoti te servilosesh ngelesh pa pune.

Parrulla e radhes mendoj

BEJE SHQIPERINE PER SHQIPTARET OSE VDIS.

Shume shkrim i bukur,

Shume shkrim i bukur, realitet therres qe po na vret cdo dite.

Pergezime!

Add new comment