Droga ime, droga jote...

Ja që edhe droga paska ngjyrim politik, madje partiak! Pas disa javësh, kur kanabisi është kthyer me dhunë në një debat kombëtar, tashmë e gjithë çeshtja po përqëndrohet, se cilës periudhë kohore i përkasin fluturimet e avionëve privatë në Shqipëri, se kur janë mbjellë parcelat me kanabis, si dhe ku ndodhen ato më me shumicë, në zona të majta apo të djathta. Duket sikur klasa politike ka marrë flamujt dhe po i ngul ato në ngastra bimësh narkotike, nga Veriu në Jug. Një garë për t’i dhënë një fenomeni social të dhimbshëm shumëvjeçar , një valencë të sforcuar politike.
Natyrisht që trafiqet kanë të bëjnë me politikat dhe qeverisjet. Vullneti për t’i toleruar apo lejuar ato, apo në të kundërt, dëshira për t’i luftuar ato me forcë, ndan politikanët e angazhuar nga ata të paaftë apo hileqarë. Por në rastin shqiptar ne kemi një histori kultivmi të drogës, e cila ka ardhur duke u rritur e konsoliduar, e pashqetësuar nga rotacionet e pushteteve, qeveritë dhe shumicat parlamentare të Tiranës. Fenomeni i Lazaratit, që sot në fakt është kthyer në një “sport kombëtar”, ka ardhur duke u rënduar nga viti në vit, ndërkohë që në kryeqytet janë marrë me çdo gjë, përveçse me kufizimin e tij.
Si i tillë, problemi social i kultivimit të drogës nuk mund të shihet vetëm si një çeshtje rreshtimesh partiake, por edhe si një plagë sociale që kërkon vëmendjen e të gjithë faktorëve me peshë, të shoqërisë shqiptare. Përballë përmasave që kjo dukuri ka marrë në vendin tonë, asnjëra nga forcat politike nuk mund të reklamojë se është e pastër. Përgjegjësia politike e institucionale u takon të gjithëve, konform me kohën e qëndrimit në pushtet.
Ajo që po shohim më së shumti këto ditë, është se opozita po përpiqet të mbajë ndezur një debat politik rreth drogës, më shumë si një pikë të axhendës së saj opozitare, sesa si reflektim të implikimit real të qeverisë në këtë aferë. Reagimi i dobët i opinionit publik ndaj kësaj nisme tashmë disajavore të PD, e vendos vetë nismën në fjalë në kontekstin real. Shqiptarët janë shumë të qartë rreth për përmasave dhe përgjegjësive përkatëse, në fenomenin e kultivimit të drogës. Ata nuk mund të manipulohen për hir të axhendave të ditës, të cilat kanë dëshmuar edhe në të shkuarën, se kalojnë pa lënë ndonjë gjurmë apo rezultat të prekshëm. Me drogën është vështirë të bëhet politikë, pasi vetë politika, e gjithë klasa politike, është deri në fyt me përgjegjësi për këtë që ka ndodhur dhe po ndodh. T’i ndash parcelat e kanabisit në “droga ime, droga jote”, është sa qesharake, që edhe e sforcuar e artificiale.
revista Java
Add new comment