Ciprasi kryeministër do të jetë ndryshe nga Ciprasi i deritanishëm

Postuar në 27 Janar, 2015 17:25
Mustafa Nano

Të nesërmen e fitores në zgjedhje, nga membranat e altoparlantëve në një shesh të Athinës, ku ishin mbledhur shumë grekë për të festuar këtë ngjarje, u dëgjua të këndohej “Bella Ciao”, një këngë italiane që është krijuar në vitet e fundit të Luftës II Botërore. Në shesh ishin të shumtë ata që iu bashkuan zërit që dilte nga altoparlanti, e që ia bënin “una mattina mi son svegliato / e ho trovato l’invasor” … (Kur gjumi më doli në të gdhirë / vendi kish rënë nën pushtuesin” ….). Siç shihet, teksti nuk ka lidhje me kontekstin, por kjo këngë tanimë ka hyrë në histori si kolona zanore e aksionit politik të një pjese të mirë të së majtës, sidomos asaj ekstreme, në Europë. Është simbolika që e ka mbajtur gjallë këtë hit të muzikës politike, s’ka gjë se dy dekadat e fundit, më saktë qysh nga rënia e Murit të Berlinit, të majtët i janë rikthyer pak si me drojë – nëse i janë kthyer – kësaj kënge. Madje, as në Itali nuk kish ndodhur këto kohët e fundit që të rikuperohej me kaq bujë simbolika e kësaj kënge (ngaqë e majta ekstreme atje ka mbështetje të vogël elektorale e të majtët ish-komunistë kanë marrë distancë tanimë nga “Bella Ciao …”).

Është edhe kjo një nga arsyet që fitorja e Syriza-s në Greqi ka provokuar nëpër Europë nga njëra anë një lloj ekzaltimi (jo vetëm te të majtët, por edhe të djathtët, që në këtë rast puqen tok në betejën kundër austeritetit si një mënyrë për të dalë nga kriza; deri dhe kolumnisti i gazetës New York Times, nobelisti Paul Krugman nuk e fshihte gëzimin prej ngjarjes greke), e nga ana tjetër një lloj bezdie, në mos shqetësimi (te të majtët e të djathtët që komandojnë apo që përfaqësojnë mainstream-in, në Europën e sotme). Për sa u takon këtyre të fundit, duhet thënë se shqetësimi i tyre nuk e ka burimin te frika prej efekteve elektorale e përthyerjeve politike që mund të ketë kjo ngjarje edhe në vende të tjera (grekët, kryesisht për shkak të përmasave të vogla, nuk kanë këllqe të bëhen promotorë lëvizjesh e “revolucionesh” në Europë). Arsyeja kryesore e kësaj bezdie, a shqetësimi, ka të bëjë me rrugën që do të marrë Greqia nën komandën e Ciprasit. Ky i fundit nuk është se thjesht ia ka dalë të mposhtë klasën e vjetër drejtuese në politikën greke. Si model (bazuar në ato që thotë), Ciprasi vë në diskutim edhe elitën tekniko-politike të Brukselit, sidomos sjelljen e recetat e kësaj elite në këtë kohë krize, dhe është ky fakt që i ka bërë të shumtit t’i japin munxët, ku haptazi e ku mes rreshtave, njeriut që do të qeverisë Greqinë në vitet e ardhshme.

Ciprasi nuk duket se është antieuropian. Ai nuk ka ndonjë projekt për ta nxjerrë vendin e vet nga zona Euro. Të paktën, këto gjëra nuk i ka premtuar. Përkundrazi, nuk ka munguar të japë garanci se e do Europën e Bashkuar dhe Greqinë si pjesë të saj, por një Europë tjetër amá, d.m.th. jo këtë lloj Europe të ftohtë e cinike, jo këtë lloj Europe që po kërkon nga grekët sakrifica të pafundme në këmbim të një rigjallërimi ekonomik që nuk po duket në horizont. “Ne ju japim para”, u ka thënë grekëve në thelb Trojka (BE+BQE+FMN) deri më sot, “por me kushtin që ju të ulni rrogat, të ulni pensionet, të shkurtoni vendet e punës në administratë, të luftoni korrupsionin, e në përgjithësi të ulni në maksimum shpenzimet publike; shkurt, me kushtin që ta hiqni mendjen nga luksi e nga jeta shkapërdare që keni bërë për një kohë të gjatë”. Ndërsa Ciprasi është bërë gjatë fushatës interpret i grekëve të lodhur e të dëshpëruar prej këtyre kushteve që ka vënë Europa e institucionet financiare të saj e të botës. Ai ka premtuar se Trojka nuk do të ketë më pushtet në politikën greke, se pas zgjedhjeve do të marrë fund politika e austeritetit, ose thënë shqip e “rripit të shtrënguar”, se ai nuk do të njohë e nuk do të respektojë termat e marrëveshjes mes qeverisë greke e Trojkës, se ai do të ringrejë rrogat, do të rimarrë në punë ata që janë pushuar në kuadrin e austeritetit, se do t’i ndihmojë të varfrit me shërbimin shëndetësor falas etj., etj.

Gjasat janë që edhe hareja e një pale, edhe shqetësimi i palës tjetër të jenë më të mëdha sesa duhet. Ciprasi nuk është as simboli i një të majte që ka nevojë të këndellet në këtë periudhë të sundimit neoliberist të botës, e as Davidi që lufton kundër Goliathit “BE”. Ai ka qenë gjithë këto kohë thjesht një populist i zakonshëm, me fjalë të tjera një politikan që, për të fituar sa më shumë vota, ka nxjerrë nga goja ato gjëra që votuesit kanë dashur të dëgjojnë. Mirëpo, qysh nga dita e pardjeshme, votuesit nuk presin më që ai të thotë gjëra. Presin që ai të bëjë. Të bëjë çfarë ai ka premtuar. Pikërisht në këtë pikë do t’i ngatërrohen gjërat. Ai nuk ka as fuqi që të përmbushë premtimet, e as këllqe që t’i kundërvihet Trojkës, të cilën ua ka vizatuar si një monstër grekëve gjatë fushatës. E prandaj, Ciprasit do t’i duhet të zbresë me këmbë në tokë. Është ai i pari që e di këtë. Jo më kot, një nga gjërat e para që tha pas zgjedhjeve ishte që “ai vetë do të provojë se Kasandrat që janë dëgjuar deri më sot e kanë pasur gabim”. Kush kanë qenë Kasandrat? Kasandrat kanë qenë ata që, bazuar në premtimet e Ciprasit, kanë parashikuar një përplasje të fortë të Greqisë me BE-në. “Kjo nuk ka për të ndodhur”, garanton Ciprasi. Dhe ka vetëm një rrugë që kjo të mos ndodhë: Greqia t’u përmbahet termave të marrëveshjes që ekziston mes saj e Trojkës; ose, në rastin më të mirë, të kërkojë një zbutje të lehtë të këtyre termave.

Me Ciprasin pra do të ndodhë ajo që ndodh me pothuaj të gjithë politikanët që fitojnë një garë elektorale kundër establishmentit, ose me ata politikanë që, për shkak të rrethanave a premtimeve, arrijnë një fitore spektakolare: Revolucioni i premtuar do të mbetet në letër, dhe ai do të bëhet realist shumë shpejt (sikur të mos mjaftojnë të tjerat, ai është i detyruar të bëjë një koalicion të çuditshëm me “grekët indipendentë”, që i përkasin ekstremit të djathtë!). Për rrjedhojë, do të gjejë telat me Trojkën, me Brukselin, me Merkelin etj., e për këtë do t’i duhet të prishë idilin me grekët që sapo e kanë votuar. Në mos, nëse ai pra do t’u mbahet premtimeve që ka bërë, një dreq e di se ç’mund të ndodhë në fqinjin tonë të Jugut.
"Shqip"

Comments

Submitted by Stefan H (not verified) on

<p>Sipas Nanos, cdo gje eshte e paracaktuar, dmth qe te fortet dhe te pasurit do sundojne te dobetit dhe te varferit, kjo nuk ndryshohet dot nga asnje revolucionar. Po ja qe egziston dhe nje filosofi tjeter, edhe sklleverit qe bene ushtrine e Spartakut ishin lidhur me zinxhira, por nje dite ata u ngriten kunder skllaverise. Sot nuk ka me skllaveri ne formatin e Romes se lashte, por ne formatin e skllaverise ekonomike, kur shtete te fuqishme si puna e Gjermanise e Frances e detyrojne Greqine te bleje tankse dhe aeroplane ne shuma marramendese per te ruajtur vendin nga nje sulm i mundshem i Turqise te cilen nuk e pengon dot NATO. Ajo e ka bere kete gje njehere me Qipron.&nbsp; Dhe ne kete lemsh, nga njera ane ndonse shtete antare te NATO, ato duhet te jene vazhdimisht te kerecenuara qe te mund tu shiten aeroplane nga e cila varet mireqenia e vendeve shitese, nga ana tjeter kompanite e ketyre vendeve shitese kane korruptuar deri ne palce autoritet e vendeve blerese qe keto blerje armesh te behen me cmimin me te larte te mundshem, duke u dhene edhe atyre hisen e tyre. Dhe kjo klase e korruptuar politike nuk eshte aspak e interesuar per nje administrim antikorruptiv, prandaj mbeshtet nga vendet e pasura, ne vend qe ta denoncojne kete klase politike te korruptuar. Per Merkel me mire nje Samara qe ka qene minister qe ne 1992 apo Venizello qe ka 40 vjet ne politike dhe nuk e ka ngritur asnjehere zerin kundra ketij sistemi korruptiv sesa nje &quot;revolucionar&quot; si puna e Cipres. Madje Samara ishte ai qe rrezoi ne 1993 qeverine Micotaki sepse do te merrte disa masa te cilat per ironi te fatit ishte Samara qe do ti merrte pas 20 vjetesh me gerbac te trojkes. Eshte e habiteshme se si per te krijuar nje shtet pa korrupsion dhe shembur eliten klienteliste te shtetit grek, EU mbeshtet tek shtyllat e njohura te korrupsionit-klasa e vjeter politike e Greqise</p><p>Nje verejte rreth shqiptimit te emrave Greke ne Shqip: nuk ka kuptim qe nje emer ne rasen emnore&nbsp; (&quot; Cipras&quot;) te meret dhe te lakohet.Mbase do jete mire qe ti merret mendimi katedres se gjuhes greke ne universitetin e Tiranes per te mesuar sesi te shqiptohen emrat greke te cilet ne shume raste jane dhe ne shqip. Cipa ose Cipra ka dhe ne shqip dhe nuk thuhet &quot; A. Cipasi&quot; por &quot;A. Cipa&quot; apo &quot;A. Cipra&quot; pa e rilakuar emrin</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.