Bjerrja e fjalës dhe llogaritë elektorale

Ditët e fundit, deputeti Berisha dhe deputetë të tjerë të opozitës kanë bërë akuza të forta publike për lidhje familjare të Ministrit Saimir Tahiri me Ilir Karçinin, i cili është i pandehur për porosi-vrasjen e një konkurenti të tij. Sipas akuzave të opozitarëve, ishin pikërisht këto lidhje që shkaktuan mosmarrjen parasysh të denoncimit që bëri një anëtar i bandës porosi-marrëse në lidhje me porosi-vrasjen për të cilën akuzohet Karçini.
Ndaj kësaj akuze reagoi Ministri Tahiri të enjten në Kuvend, duke thënë: “Gruaja e biznesmenit që paskërka porositur vrasjen me pagesë, sipas jush, qenkërka vajza e tezes sime. Gënjeshtër më qesharake nuk kam dëgjuar ndonjëherë. Dhe kush i thotë këto gënjeshtra? Njëri nga ta është gënjeshtar karriere, si Saliu për shembull, i cili nuk dinte se kë kishte baxhanak”
Dhe kujt t’i besojë njeriu i thjeshtë, Tahirit apo deputetëve opozitarë? Prirja natyrale do të ishte që t’u besohej deputetëve opozitarë, por problemi është se nga gojët e tyre kanë dalë edhe më parë akuza të rënda, të cilat kanë rezultuar të pavërteta.
Rasti më i fundit i një akuze të tillë ishte ai i kryedeputetit opozitar Paloka, i cili tregoi me një klip videoje se një zyrtar i lartë i policisë së Vlorës (Ardian Liçaj), i riemëruar atje rishtazi, kishte qenë ushtar i bandës së Zani Çaushit. Por gazetari investigues Artan Hoxha, në emisionin e tij “Xhungël” në News24, publikoi të plotë videon në fjalë, e cila tregonte qartë se Liçaj po i kundërvihej Zani Çaushit nga pozicioni i oficerit të policisë, i urdhëruar nga eprorët e tij, për të mundësuar kalimin e një veture me gazetarë vendas e të huaj. Pra, nuk ishte një “ushtar” i bandës së Zani Çaushit...
Para 6 javësh, deputeti opozitar Ristani deklaroi se kishin ndodhur 10 vrasje në nëntor, e jo 7, siç kishte deklaruar Ministria e Brendshme. Dhe ai dha datat, vendet dhe inicialet e tri të vrarëve të fshehur, sipas tij, nga Ministria. Por kjo e fundit sqaroi se dy prej tyre, sipas procesverbalit të mjeksisë ligjore, kishin vdekur të vetëm në shtëpi nga shkaqe natyrale, ndërsa i treti ishte vrarë në janar, por vrasësi ishte arrestuar në dhjetor...
Më parë, deputeti Ristani kishte deklaruar se vdekjet nga aksidentet rrugore kishin qenë 33, e jo 26, siç kishte deklaruar Ministria e Brendshme. Dhe kur kjo e fundit publikoi një për një inicialet e të vdekurve dhe vendet e aksidenteve rrugore, Ristani tha se në listën e Ministrisë nuk ishin përfshirë 7 të vdekur nga aksidentet minerare të ndodhura në galeritë e minierave të Prrenjasit...
Një akuzë edhe më të rëndë bëri deputeti Berisha para 8 javësh, kur u zbulua një bombë me telekomandë poshtë automjetit të Prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Ai akuzoi Kryeministrin Rama dhe Ministrin Tahiri se e kishin vënë vetë bombën, për të akuzuar opozitën si porositëse të vënies së saj. Por kapja e bandës porosi-marrëse tregoi se porosinë, me gjasa të mëdha, e ka bërë një biznesmen vlonjat që kishte konflikt me Prefektin Dervishi në lidhje me prishjen e një parkingu privat...
Po e mbyll me këta shembuj, për të mos shkuar prapa në kohë, kur Berisha dhe eksponentë të tjerë të PD-së, në mbrëmjen e 21 janarit 2011, bënin akuza për vrasje të protestuesve nga afër, me pistoleta që s’ishin në arsenalin e policisë apo të Gardës së Republikës (akuza që ranë poshtë po atë natë, për ironi të fatit, po nga gazetari investigues Artan Hoxha, i cili në emisionin e tij “Xhungël” në News24, demonstroi qartë se vrasja ishte bërë nga oficerët e Gardës së Republikës, dhe jo nga afër, ose nga vetë protestuesit).
Thirrja “Ujku!, Ujku!”, kur rezulton se nuk ka “ujk”, thjesht e bjerr fjalën e politikanëve. Pasuesit e tyre militantë i ndjekin ata, pavarësisht nëse bërtasin kot apo jo “Ujku!”. Por votuesit e lëkundur, pasi zhgënjehen disa herë, nuk ua vënë më veshin thirrmave “Ujku!”, edhe kur “ujku” mund të jetë i vërtetë (si në përrallën e bariut, të cilit nuk i erdhi njeri në ndihmë kur e sulmoi ujku, pasi kishte bërtitur disa herë kot “Ujku!”)
Këtë gjë duhet ta mbajë mirë parasysh opozita, e cila ka më shumë se kurrë nevojë ta dëgjojnë me vëmendje votuesit e lëkundur – në zgjedhjet e fundit, koalicioni i sotëm opozitar mori vetëm 680 mijë vota, ose 39.5% të totalit. Për t’u ngjitur tek 50-përqindëshi në zgjedhjet e rradhës, asaj do t’i duhet që, përveç mbajtjes së votuesve aktualë, të bindë edhe rreth 250 mijë votues të tjerë të votojnë për të...
Comments
n'dac ujk, n'dac dhelper
<p>n'dac ujk, n'dac dhelper t'gerthasi berishi, me pak se 680 mije vota do marre n'zgjedhjet e rradhes... kot lodhesh o zaloshnje t'ia ndrrosh menjen berishit</p>
Te ishte per merita te
<p>Te ishte per merita te opozites ne kete vend nuk nderrohej asnjehere pushteti. </p><p>Po ketu pushteti nderrohet se ai qe e ka ne dore abuzon deri aty sa nuk mban me. Kercini ka lidhje te qarta me njerez te PS-se, dhe ne policine aktuale. Prandaj eshte ndjere rehat te bej kete sulm qe kishte planifikuar. </p>
Add new comment