Ana e padukshme e konfliktit serbo-shqiptar në veri të Kosovës

Postuar në 27 Tetor, 2011 05:55
Koha Ditore

Për tre muaj me radhë Mitrovica, një qytet minierash, është bërë vatër e tensioneve etnike në Ballkan, duke shkaktuar mjaft probleme, sa për të nxitur angazhimin e paqeruajtësve të NATO-s dhe aksione nga Bashkimi Evropian për ngadalësimin e përpjekjeve të Serbisë për anëtarësim në këtë bllok.
Gjatë rrethimit në barrikadat e improvizuara të zhavorrit, serbët etnikë kanë gjuajtur me gurë shqiptarët në anën tjetër të lumit Ibër, derisa në fillim të verës njerëz me maska ia vunë flakën kampit- pikës së kontrollit kufitar, duke ua futur frikën fuqive perëndimore për përplasje të reja etnike në Kosovën veriore.
Mirëpo, siç ndodh shpesh në këtë rajon të varfër, e vërteta është më e komplikuar. Në këtë rast, pohojnë autoritetet, ajo zbulon se si përpjekjet e mëdha për mbrojtjen e dallavereve fitimprurëse të kontrabandës së naftës mund të shndërrohen në incident ndërkombëtar, po qe se këtu merren parasysh edhe kujtimet trazuese të përplasjeve etnike ballkanase të viteve nëntëdhjetë.
Me një fitim që mund të arrijë deri në 100 milionë dollarë në vit, shumë vëzhgues pohojnë se trafikimi ka dhënë rezultate të kundërta – një harmoni të rrallë etnike për gjetjen e rrugëve të përshtatshme të trafikimit nëpër territorin e ndarë.
“Përkatësia etnike nuk ka rol, kur është fjala për paratë”, thotë Johannes van Vreeswijk, që ishte prokurori kryesor i BE-së në Kosovë për tre vjet e që u largua në qershor. “Po qe se serbët dhe shqiptarët mund të përfitojnë para nga krimi, atëherë ata do të bashkëpunojnë”.
Urrejtja është gjithnjë e pranishme në Mitrovicën e ndarë, mirëpo, sipas dhjetëra policëve lokalë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, arsyeja kryesore e protestave kufitare është Zvonko Veselinoviq (në foto në të majtë), një serb në të tridhjetat me kokë të rruar, shikim përçmues dhe nam aq të keq, saqë disa njerëz nuk guxojnë t’ia pëshpëritin as emrin nëpër restorantet lokale serbe.
Ai e ka cilësuar veten nëpër mediet serbe si importues i ndershëm i lëndëve djegëse dhe pronar i një kompanie ndërtimi, që kurrë nuk ka bërë kontrabandë madje as një “litër benzinë”. Përkrahësit e tij insistojnë se ai është kurban i Perëndimit, i cili, sipas tyre, është duke punuar kundër protestuesve serbë, të cilët nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe kanë ngritur barrikada të mëdha nëpër pikëkalimet kufitare në korrik, pasi që Qeveria e Kosovës mori kontrollin mbi inspektimet doganore.
“Ashtu si të gjithë serbët në Kosovën veriore, unë nuk e pranoj asnjë institucion të Republikës së Kosovës”, është përgjigjur Veselinoviq përmes e-mailit. “Nuk ka rrjet trafikimi. Qytetarët po protestojnë për të mbrojtur veten dhe të drejtat e tyre, shtëpitë e tyre”.
Megjithatë, policët lokalë të Kosovës, diplomatët perëndimorë dhe autoritetet doganore pohojnë se Veselinoviq është figura kryesore e biznesit të nëntokës, që është vënë në rrezik nga kontrollet doganore dhe se ai ishte organizatori kryesor i dhjetëra barrikadave, të cilat NATO-ja filloi t’i demolojë të enjten, duke shpërndarë demonstruesit e zemëruar me sprej.
Prokurorët e misionit paqeruajtës të BE-së në Kosovë lëshuan një fletarrestim kundër tij, duke e akuzuar për trafikim dhe shmangie të tatimit në fillim të këtij viti dhe duke thënë se duan që ta marrin në pyetje për sulmet në pikëkalime dhe vrasjen me snajper të një polici të Kosovës, ka bërë të ditur një hetues i lartë ndërkombëtar, që nuk deshi ta japë emrin për shkak të konfidencialitetit të hetimeve.
“Ata po bëjnë zhurmë për shkak se janë duke i humbur përfitimet e tyre të paligjshme”, tha Van Vreeswijk. “Ata flasin për politikë, mirëpo arsyeja e vërtetë është krimi në një territor ku nuk mbretëron ligji”.
Kulmi në kaosin e luftës
Trafikimi, një traditë në terrenin malor të Ballkanit, arriti kulmin në vitet nëntëdhjetë, kur trafikantët e heroinës dhe të qenieve njerëzore e shfrytëzuan kaosin e luftës për ta krijuar atë që njihet nga banorët lokalë si “biznes i egër”.
Në tre vjetët që kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, për ta formuar një shtet të ri me përkrahjen e Perëndimit, nafta ka dominuar në tregtinë e paligjshme.
Shqiptarët janë shumicë e popullsisë dymilionëshe të Kosovës, mirëpo në veri 55.000 serbët janë më të numërt se shqiptarët dhe protestuan kur Kosova shpalli pavarësinë, më 2008. Disa serbë shkatërruan dy pika doganore, dhe kontrolli nuk u kthye kurrë në tërësi, me gjithë inspektimet vetëm në letër nga autoritetet ndërkombëtare.
Trafikantët e shfrytëzuan rastin, duke transportuar naftë të padoganuar nga një rafineri serbe, duke e blerë naftën me gjysmën e çmimit për eksport dhe duke ua shitur konsumatorëve me një zbritje prej 40 për qind, apo 0.75 centë për litër. Sipas zyrtarëve policorë, bandat serbe, shpesh në bashkëpunim me shqiptarët, futën naftën nëpër Kosovë, duke e përzier me ujë dhe duke e shitur në pompat e improvizuara të benzinës.
“Të rinjtë mund ta shohin se si të vjetrit fitojnë para. Kjo është mënyra më e shpejtë për të siguruar më shumë dhe pikërisht kjo e solli Zvonkon”, tha Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Ngritja e një lideri
Sipas banorëve lokalë dhe hetuesve, Veselinoviq filloi si “rojë e urës”, pjesë e një grupi që ruan urën kryesore në Ibër dhe që njihet për rrahjet publike, të quajtura “puthjet e Kosovës”, të gazetarëve dhe të tjerëve.
Me ngritjen e tij si lider i nëntokës, kanë vazhduar burimet, arrestimi nga policët e Kosovës më 2005, nën akuzat për vjedhje veturash, rezultoi me demonstrata nëpër rrugë.
Sipas një vëzhguesi ndërkombëtar, që nuk ka dashur ta japë emrin, Veselinoviq u lidh me partitë lokale politike dhe politikanët.
Hetuesit thonë se për ta mbrojtur biznesin e kontrabandës, Veselinoviq u angazhua në ndërtimin e barrikadave, duke i paguar protestuesit deri në 50 euro në ditë – një akuzë kjo të cilën vetë ai e ka quajtur “rrena më e madhe që e kam dëgjuar ndonjëherë”.
Katër kamionë të tij, të shënjuar me emrin “Eurokop”, janë vërejtur duke prishur kamerat e vëzhgimit në urën kryesore, kanë thënë hetuesit. Në fund të shtatorit, një kamion tjetër bllokoi një rrugë malore që shfrytëzohej si shteg alternativ i trafikimit dhe roja u lejonte vetëm të përzgjedhurve të hynin.
“Unë jam Zoti këtu”, bërtiste kjo rojë, duke e urdhëruar të largohej një veturë, e cila tentoi të hynte.
Liderët serbë e mbrojnë Veselinoviqin, duke thënë se fuqitë perëndimore e kanë ekzagjeruar trafikimin për përfitime të tyre politike dhe po ashtu për të njollosur prijësit e demonstratave,
“Ata thonë se unë jam lider i mafisë në Kosovën veriore”, tha Milan Ivanoviq, mjek, që udhëheq një parti politike të quajtur Këshilli Nacional Serb dhe është pjesë e liderëve lokalë që po ndihmojnë për organizimin e demonstratave paqësore. “Ata po mundohen që të na diskreditojnë”.

Nga ana e tij, Veselinoviq insiston se ai me familje kishin qenë për pushime në Mal të Zi gjatë vrasjes dhe trazirave të dhunshme dhe se ai kishte pasur rol minimal. “Unë vetëm kujdesem për dhe, dhe përkrah barrikadat”.
Ulja e tensioneve etnike
Autoritetet perëndimore dhe paqeruajtësit e NATO-s e pranojnë se Veselinoviq paraqet model për nxitjen e formimit të njëfarë solidariteti etnik.
Autoritetet thonë se ai bashkëpunoi me një person, të cilin policia e ka identifikuar si homologun e tij shqiptar me më pak ndikim, Mentor Beqiri (32)(në foto në të djathtë), i cili u arrestua me 2009, nga policia e Kosovës, nën akuzat për trafikim nafte, akuza këto që u hodhën poshtë më vonë, për shkak të dëshmive të pamjaftueshme.
Sipas hetuesve, këta të dytë kanë bashkëpunuar për shpërndarjen e naftës së trafikuar nëpër Mitrovicën e ndarë. Beqiri, që është pronar i një zinxhiri të pompave të benzinës, ka refuzuar, përmes njërit prej menaxherëve të tij që të intervistohej. Nga ana tjetër, Veselinoviq insiston se bashkëpunimi nuk ka ekzistuar. “Kurrë nuk kam pasur kontakt me këtë zotëri”, ka thënë ai.
Mirëpo, sipas një hetuesi, kur Veselinoviq kishte nevojë të fliste me Beqirin, ata zakonisht takoheshin në pjesën pyjore të enklavës serbe, në afërsi të “Hanit të Banditëve”. Ishte kjo një zonë e izoluar, pa rrjet telefonie mobile – e përsosur për shmangien e përgjimeve policore.
Një qasje e kujdesshme
Fuqitë perëndimore janë skeptike që të veprojnë kundër Veselinoviqit, ndonëse ai insiston se “jam në dispozicion në çdo kohë dhe jam i gatshëm ta mbroj pafajësinë time”.
Bashkimi Evropian dhe paqeruajtësit e NATO-s, me ushtarë nga Franca, Gjermania, Italia dhe SHBA-ja, kanë arsye të ndryshme që të tregohen të kujdesshëm në këtë aspekt. Përkrahësit e tij janë të armatosur deri në dhëmbë, dëshmitarët frikësohen dhe ai është i lidhur me zyrtarë policorë serbë, që morën pjesë në pagëzimin e të birit të tij vitin e kaluar, kanë thënë vëzhguesit ndërkombëtarë.
Presioni merr forma të tjera, si arrestimi i trembëdhjetë shoferëve të “Eurokopit”, muajin e kaluar, nën dyshimet për hyrjen e paligjshme në shtet dhe ndihmën për ngritje të barrikadave.
Po ashtu, ata shpresojnë se edhe pse në mënyrën e vet të pazakonshme, trafikimi të nxjerrë leksione në Ballkan. “Ka shumë kontakte midis shqiptarëve dhe serbëve kur vjen puna te krimi”, tha Andy Sparkes, zëvendës i misionit të BE-së. “Ne duhet të shohim që bashkëpunimi të zhvillohet në vend të kësaj në fusha prej të cilave do të mund të përfitonte shoqëria”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.