Toksinat mediatike dhe çështje të tjera

Postuar në 06 Mars, 2013 03:43

Përmasat e humbjeve që pësoi industria e qumështit, pas atyre rezultateve mbi aflatoksinën janë dhe rrezikojnë të mbeten të paqarta. Sigurisht, pakkush prej nesh, përfshi edhe veten time, që u skandalizuam në fillim prej pohimeve të analizave, nuk është se do kemi atak në zemër për miliona eurot që rrezikohen sipas Konfindustrisë. Mirëpo edhe pse ka kaluar shkarazi si lajm i parëndësishëm, sigurisht duhet të kemi brerje ndërgjegjeje për 200 fermerët e fshatit Agim, diku në Fier, që thonë se po e derdhin qumështin dhe se lopët e tyre jetojnë në kullota. Ata mbajnë frymën me ato pak qindarka që fitohen prej shitjes me shumicë të qumështit dhe rrezikojnë ta humbasin këtë të ardhur prej zullumit dhe ngutit mediatik për të pohuar që kemi një SKANDAL.

 

Mund të duket sikur po marrin krah dhe dalim kundër interesit të madh: “Më mirë të derdhet ca qumësht se të shtohen të sëmurët me kancer”. Sigurisht që po. Unë jam në listën e konsumuesve të qumështit të dyshuar dhe të them të drejtën më zuri fillimisht paniku. Gjëja e parë që bëra ishte të shfletoja duzina faqesh me materiale prej studiuesve të BE dhe atyre të FDA (Food and Drugs Administration) në SHBA. E gjithë kjo më shumë për të hequr frikën (dhe fajin) prej vetes, se kisha ushqyer fëmijën me qumësht toksik dhe gjithë sa mësova dhe ishte çuditërisht qetësuese është se askush nuk na shpëton dot prej aflatoksinës. E pimë, e hamë, e nuhasim. Është e pamundur të ikim prej saj, të paktën edhe për disa vite. Kur shkruam këtu e një javë më parë: “Kemi pirë qumësht kancerogjen, por s’ka vend për alarm”, ishim pikërisht me këtë bindje.

 

Më tej fakti që FDA (0.5) dhe agjencia homologe e BE (0.05) kanë qëndrim të ndryshëm rreth aflatoksinës dhe nivelit që kjo mund të ketë në një litër qumësht, edhe pse nuk i lehtëson prodhuesit shqiptarë që e kanë shkelur rregullin, minimalisht duhej të lehtësonte titujt prej skandalit që nuk ishte aq i madh. D.m.th. kishim kapërcyer vetëm njërin prag e tjetri ishte larg. Sikur kjo të kishte qenë e pamjaftueshme. vendimi i fqinjëve serbë për ta hequr kufirin e BE për aflatoksinën, ishte një tjetër sinjal për t’i zbutur pakëz tonet. Mirëpo media që vdes për SKANDAL, duket se e ka të vështirë të gëlltisë atë që ka bërë dhe ndërkohë fermerët e fshatit Agim duhet të jenë ende duke derdhur qumështin, ndoshta dhe ata të trembur si shumë të tjerë nga helmatisja mediatike që iu bë prodhimit të tyre, që përndryshe është i pastër. MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.