Sindroma e komplotit apo mungesa e përmbajtjes

Jo më larg se dje, m’u desh të dëgjoja një deklaratë për shtyp të Aleancës Kuq e Zi. Deklarata nuk kishte as më shumë e as më pak se notat e zakonshme ofenduese-sulmuese ndaj qeverisë dhe kryeministrit, mbuluar me ngjyrat e komplotit hipotetik për aksidentin e ndodhur te ‘Qershiat’ e Qafë-Kërrabës. Incidenti në vetvete mbetet për t’u verifikuar, ndonëse përfaqësuesit e kësaj partie e paraqitën atë nën dritën e komplotit kundër një force të re, e cila ka për qëllim të ‘fshijë’ njëherë e mirë sistemin e ‘vjetër’ të partive politike në Shqipëri. Në të dilte në pah pasiguria e lexueses (dhe dyshimi apo rëndomtësia) mbi përmbajtjen e deklaratës. Më së shumti ajo reflekton formatin politik apo mungesën e risisë që kjo forcë politike po sjell në sistemin e partive politike në Shqipëri. AK, ashtu si edhe disa parti të reja politike që po i qasen sistemit, ka lindur e vjetër si në përmbajtje, ashtu edhe në formë. Ajo është një shëmbëlltyrë e formateve tashmë të konsoliduara nga dy formacionet e mëdha politike në vend, PS e PD. Po të njëjtat fjalë e shprehje (të ngjyrosura nga doza të larta patetizmi stilistik), po të njëjtat struktura dhe forma komunikimi të stërpërdorura nga PD, PS e LSI ndër vite. AK ka organizatën e gruas Kuq e Zi , atë të rinisë e tjera.
Po i njëjti autobus dhe mitingje nëpër salla të mbyllura, bash si PD e PS me mbështetësit e saj. Po i njëjti patetizëm rinor sikur të rinjtë e PD në fushatën e Ngjelës në vitin 2003, apo ata të PS në zgjedhjet e fundit. E vetmja risi komunikative është zëri i liderit, që në mungesë (apo me telefon) transmetohet në ndonjë nga aktivitetet rutinë, kjo ide e kopjuar nga Berluskoni, gjë që e shton akoma më tepër listën e gjërave të vjetra në repertorin e kësaj force të re politike.
Si e tillë, AK nuk sjell ndonjë gjë të re në sistem. Në këtë kuptim ajo po sillet si partitë tradicionale shqiptare (pa harruar edhe këngën me pak nota folk-tallava), duke përforcuar akoma e më tepër faktin se përveç emrit dhe ngjyrave (dhe ato të abuzuara), kjo parti nuk ka shanse të thyejë sado pak duopolin PS-PD. Butaforikisht, AK nuk i lë gjë mangut mbledhjeve masive (rigorozisht në salla të mbyllura) të PS, PD apo LSI, dhe duket që deri në zgjedhje mjetet financiare nuk do t’i mungojnë për të bërë fushata spektakolare, me të cilat publiku shqiptar është mësuar tashmë.
Në këtë reflektim të shkurtër nuk po i kushtoj rëndësi mesazhit apo frymës, sepse edhe ajo është e vjetër, jo ideja por fryma. Theksoj frymën, sepse ideja kombëtare sado e vjetër, ka baza të forta e solide për t’u deklamuar. Ne si popull kemi ndjerë gjithmonë peshën e atyre që sot cilësohen padrejtësi politike dhe padyshim që rikthimi në politikë i problemeve kombëtare është gjithmonë një ngasje e fortë, por nacionalizmi patetik i AK nuk ka gjasa që të materializohet në vendime apo politika konkrete. Më shumë se përmbajtje, mesazhi politik është pjesë e një butaforie të keqorkestruar e më shumë i stisur nga pikëpamja organizative. AK është më shumë një krijesë mediatike, nevoja për të cilën bëhet më eminente në kushtet kur i kundërvihet më shumë mazhorancës se sistemit politik aktual. Paradoksalisht, lëvizja politike ekziston në formë dhe në përmbajtje vetëm në faqet e shtypit se sa në terren. Si shumë nga partitë e tjera fiktive shqiptare Tirana mbetet i vetmi vend (më tepër për arsye logjistike), baza nga e cila kjo forcë politike parashtron peshën e saj. Pelegrinazhet e shumta në vende simbol si Prishtina në 28 nëntor apo Kruja në 17 janar, mbeten si të tilla pasi është vështirë që kjo forcë të ruajë praninë fizike si strukturë e organizuar në terren. Si forcë me aspirata mbarëkombëtare, AK mbetet Tirano-centrike, duke ruajtur varësinë mediatike për ekspozimin e mesazhit politik. Po si shumë (dhe akoma më shumë) parti të tjera, AK-së i duhet të mobilizojë autobusë me mbështetës itinerantë për të mbushur sallat me kuqezinj të rastësishëm pa lënë gjurmë faktike në territor. Si e tillë, kjo forcë nuk do të arrijë të ruajë një prani të fortë territoriale, të tillë për të justifikuar qëllimin me të cilin është krijuar.
Pak ditë më parë mora vesh se një prej studentëve të mi ishte koordinator rinie i kësaj force të një qyteti të vogël, por me simbolikë të madhe për AK. Me çiltërsi e pyeta për format e organizimit të partisë, për të marrë vesh më pas se studenti jetonte jo në atë qytet, por në Tiranë!!!! E si mund një parti të mbijetojë politikisht (aq më tepër AK) pa një prani të fortë e të justifikuar territoriale?? Vështirë t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje pa u përballur me provën elektorale. Sistemi i sotëm elektoral në fakt i detyron partitë shqiptare të përqendrohen në ato zona apo qarqe elektorale me numër më të madh deputetësh dhe kryesisht në qytete, duke patur parasysh se zonat rurale nuk janë lehtësisht të tunduara nga partitë e reja. AK është kështu e destinuar të mbetet një parti Tirano-centrike, me prani të fortë mediatike dhe organizim të kushtëzuar nga detyrimet e sistemit elektoral në betejën e vështirë për t’u përfaqësuar në zgjedhjet e ardhshme. Beteja politike e AK do të kthehet kështu në një betejë lokale, për nxjerrjen e të paktën një përfaqësuesi në parlament, duke i hequr kësaj force aparencën mbarëkombëtare me të cilën kërkon të mvishet. Aksidenti i Krrabës mbetet në këtë kuptim domethënës, në të njëjtën logjikë si rasti i ‘bombës’ në kazanin e plehrave pranë çadrës së PS në zgjedhjet lokale, apo incidenti me ‘të dashurën/gruan’ e kryetarit të Bashkisë së Kavajës verën e kaluar. Mbetet për t’u parë nëse ky do të mbetet argumenti i vetëm i madh i AK në këto ditë të nxehta vere dhe nëse kjo do të jetë natyra e përballjes publike së kësaj force politike në të ardhmen.
Mapo
Add new comment