Sharës të liçensuar

Nën moton e Einstein-it “një stomak bosh është një këshilltar i keq”, Edi Rama dhe Ilir Meta darkuan privatisht në vilën e këtij të fundit. Për cilësinë e ushqimit nuk duhet të kemi dyshime. Aq më pak për cilësinë e verës, e cila me siguri duhet të jetë servirur e kulluar dhe e papërzier me të vërtetat e hidhura të së kaluarës së përbashkët politike. Një ditë më pas pinë publikisht edhe një kafe në ‘Sheraton’. Këtu mbyllet pjesa gastronomike e takimit, për t’i lënë vendin analizave dhe spekulimeve mbi implikimet që ky takim mund të ketë për të ardhmen politike të vendit. Pjesë e diskutimeve që ngjalli takimi gastropolitik i dy të mëdhenjve të familjes socialiste, është edhe habia (aspak filozofike) e popullit shqiptar – jo vetëm atij opozitar – se si është e mundur që dy armiq politikë për vdekje, si Rama e Meta, mund të hanin e pinin për orë të tëra pasi ishin sharë e mallkuar për vite të tëra. A mund të ketë dreka e darka pajtuese, shtrëngime duarsh e rrahje shpatullash pas sherrnajave verbale e fizike që dy politikanë kanë konsumuar me njëri-tjetrin e të tjerë faqebotës? Si është e mundur që politikanët, pasi i janë ndërsyer shoshojt me fjalor makabër, pasi ia kanë nxjerrë të palarat dhe intimitetet në publik, të darkojnë pikërisht në shtëpitë e atyre kolegëve, ku ushqimet dhe vera serviret pikërisht nga ato gra, të cilat nga foltorja parlamentare janë etiketuar si të përdala?
Politika është një veprimtari thellësisht njerëzore dhe, si e tillë, ajo u bindet ligjeve të natyrës njerëzore. Filmat e shumtë “action” që mbushin ekranet televizive kanë një sekuencë filmike klishé, gjatë së cilës dy aktorë zihen me grushte për ta zgjidhur debatin e tyre të stërzgjatur. Teksa të dy e kanë dërrmuar njëri-tjetrin në prag të eliminimit total – njërit i del gjak nga goja e bashkë me gjakun edhe dy dhëmbët e parë, tjetri zvarritet pa ia dalë të ngrihet në këmbë – të dy japin sinjale se, nëse dalin gjallë nga kjo meselè, nuk do ketë gjë në botë t’i ndajë nga njëri-tjetri, se do të jenë partnerë në luftën kundër së keqes derisa, në fund të filmit, njëri prej tyre vdes trimërisht duke i shpëtuar jetën tjetrit dhe duke dhënë frymën e fundit në krahët e atij njeriu, fytyrën e të cilit paradokohësh e kish bërë përshesh. Po kaq klishè është edhe ajo skena tjetër kur dy të dashuruarit, pasi kanë debatuar dhe vajza ka ngrënë ca grushta xhelozie, përfundojnë në krevat në një akt pasional dashurie.
Morali i kësaj fabule është se, mesa duket, një rival politik agresiv e “i nxehtë” është më i mirë se një mik i paqtë e “i ftohtë”. Është një lloj intimiteti agresiv, i cili, në masën e duhur, mund të prodhojë një lidhje të fortë midis dy antagonistëve. Ndoshta për këtë arsye Bamir Topi nuk arrin të “nxehë” dhe të ndjellë asnjërën palë për bashkëpunim apo pazar politik. Është tepër i largët, i përmbajtur dhe racional – tre tipare të vyera këto, por që nuk “ngjisin” aspak në terrenin moçalor të politikës shqiptare.
Fatkeqësisht sharjet midis politikanëve shqiptarë gjatë këtyre 20 viteve janë formalizuar si një lloj modeli që imiton luftën si “lojë”, luftën skenike. Fatkeqësisht politika shqiptare po kthehet gjithnjë e më tepër në një profesion teatral e skenik. Tamam si në një skenë teatri ku aktorët dhe aktoret, kërcimtarët dhe modelet profesioniste janë të licencuar nga shoqëria ta prekin erotikisht e seksualisht partnerin e partneren në një formë e cila do të ishte e papranueshme në jetën “reale”, tamam si në një film traumatik, ku aktorët dhe aktoret përkëdhelen e puthen, përqafohen dhe rrihen siç ua kërkon regjisori, edhe politika shqiptare kërkon të na imponohet me të njëjtët skenarë filmikë, në të cilët aktorët politikë rrihen e ofendohen e më pas bien në krahët e njëri-tjetrit, herë në emër të integrimit të vendit e herë për hir të shkatërrimit të rivalit.
Zoti na ruajttë nga ajo ditë kur, ashtu siç kemi licencuar dentistin të na i fusë gishtat e tij në gojë, ashtu siç kemi licencuar mjekun dhe gjinekologun të prekë profesionalisht nënat, motrat dhe bashkëshortet tona në pjesët e tyre më intime, në të njëjtën mënyrë të licencojmë politikanët tanë të penetrojnë me fjalorin e tyre agresiv e banal në shtëpitë tona, duke i kthyer ata në sharës profesionistë!!!
*Botuar fillimisht në revistën e përmuajshme MAPO, e pastaj në të përditshmen homonime.
Add new comment