Retorika e mobilizimit të prapësive

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha mund të jetë i pari dhe i fundit kryeministër në botën demokratike që ka festuar dhe vazhdon të festojë ditën e ardhjes së tij në pushtet me 22 mars 1992. Jo me paratë e veta- me paratë e veta dhe më njerëzit e tij të afërt mund ta festojë sa herë të dojë-por me paratë e taksapaguesve shqiptarë, duke e organizuar si një festë tipike të regjimit.
T’i japim Çezarit çfarë i përket Çezarit: 22 marsi i vitit 1992 ka vendin e vet në historinë e re të demokracisë shqiptare për faktin se në zgjedhjet parlamentare të asaj date PD fitoi për herë të parë dhe të fundit me shumicë të thellë dhe erdhi në pushtet. Por 22 marsi nuk është as dita e shpalljes së pluralizmit, as dita e krijimit të PD-së, as dita e krijimit të shtypit të lirë, as dita e rrëzimit të monumenteve të Enver Hoxhës , as dita e zgjedhjeve të para shumëpartiake në Shqipëri, madje as dita e rrotacionit politik të pushtetit në kuptimin klasik të fjalës, pasi fitorja e PD-së në 22 mars 1992 erdhi jo vetëm në kushtet e një renoncimi të justifikuar të Partisë Socialiste të Fatos Nanos nga beteja për fitore, por edhe nëpërmjet një tranzicioni që kishte njohur dy qeveri të njëpasnjëshme ndërpartiake dhe jashtëpartiake, qeverinë “Bufi” të stabilitetit ( Qershor 1991-dhjetor 1991) dhe qeverinë teknike të Vilson Ahmetit ( Dhjetor 1991- prill 1992).
Në kuptimin e rëndësisë historike dhe interesit të gjerë publik vlera më e madhe e zgjedhjeve të 22 marsit është se ato ishin shumë më afër standardeve demokratike se sa zgjedhjet që janë zhvilluar në Shqipëri më vonë nga viti 1996 e këndej. Madje mund të themi se ato ishin zgjedhjet më të lira e me të ndershme të tranzicionit 22 vjeçar. Si të tilla, zgjedhjet e 22 marsit mund të përkujtohen vërtetë me respekt e nderim, por në këtë rast ato nderojnë pikësëpari ata që i organizuan, domethënë qeverinë “Ahmeti’. Festimet e Berishës për këtë datë nuk kanë pasur e nuk kanë këtë qasje, këtë qëllim.
Ai nuk e lartëson 22 marsin si datë të zgjedhjeve të lira, pasi përballë këtij standardi e sheh veten si rrënues dhe jo si ndërtues. Ai kërkon të evokojë te kjo datë një moment kulmor të karrierës së tij politike, duke dashur ta lexojë e paraqesë fitoren e tij si festë të popullit. Në këtë mënyrë e padit veten si megaloman. Por kjo nuk ka shumë rëndësi. Megalomania mund të konsiderohet një sëmundje e aspektit burlesk të personalitetit të tij.
Në fakt 22 marsi i ka pasur letrat në rregull për të lidhur dorë për dorë në histori një festë të popullit me një triumf personal të një njeriu, që ishte kryetari i PD-së, zoti Berisha. Populli në shumicë kishte arsye të gëzohej sepse për herë të parë do të qeverisej nga një elitë e re antikomuniste-demokratike. Mirëpo për ta prishur këtë lidhje dhe për ta ulur 22 marsin nga piedestali i një feste të përhershme popullore mendoi herët, sapo mori votat, vetë zoti Berisha.
Ai e lexoi fitoren si triumfin e tij personal , mënjanoi shumicën e bashkëthemeluesve të orëve të para dhe unisme pushtetin e tij arbitrar në rrugën që do ta çonte pashmangshëm në greminën e vitit 1997. Për ketë shkak Berisha u godit me disfatë në zgjedhjet lokale të qershorit 1992, vetëm tre muaj pas fitores madhështore të 22 marsit. Dhe si për ta shëruar nga çdo iluzion se zgjedhjet lokale i kishte humbur ngaqë njerëzit nuk paskëshin kuptuar politikat e liberalizimit të çmimeve erdhi referendumi kushtetues i nëntorit 1994, të cilin Berisha e humbi personalisht po aq thellë sa ç’kishte fituar me shokë në 22 mars 1992.
Mjaftojnë këto dy shembuj për të kuptuar se shumica e zgjedhësve shqiptarë kanë ikur herët, kanë ikur që atëherë, kanë ikur pas pak javësh dhe pas pak muajsh nga 22 marsi i Berishës, pasi e patën kuptuan se ai e kishte demagogji retorikën e shërbimit dhe shërbesave, se interesi i tij i vetëm madhor ishte pushteti me çdo çmim.
Pas 20 vjetësh këtë datë mund ta shohim të gjithë si një film të cilit ia dimë vazhdimin. Nuk ka nevojë ta ritregojmë. Unë çuditëm nga një anë se si kryeministri mendon ta festojë në funksion të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, duke deklaruar madje se do të përsërisë në vitin 2013 fitoren e vitit 1992! Politika e përmban vërtetë elementin e retorikës apo optimizmit të kërkuar , por me masë dhe në suazën e logjikës elementare. PD me Berishën në krye nuk ka fituar ndonjëherë pas 22 marsit 1992. Në zgjedhjet e vitit 2005 shumë faktorë dhe aktorë u mblodhën rreth PD-së në kushtet e degradimit të pushtetit të Fatis Nanos.
Ata centruan një sipërmarrje të jashtëzakonshme- rikthimin e kryetarit të saj në pushtet. Dhe prapëseprapë, po të mos ishte faktori LSI i Ilir Metës, PD nuk do t’ja kishte dalë. Momentin më të lavdishëm Berisha mendoj se e ka pasur në zgjedhjet e vitit 2009, kur erdhi me një bilanc të pazakontë arritjesh, me hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe me iluzionet e një mrekullie të vogël ekonomike që nuk i kishte ndier apo treguar ende sëmundjet që e brenin nga brenda. Prapëseprapë nuk fitoi. Prapëseprapë iu desh Ilir Meta dhe kushedi sa kuti të manipuluara si ajo e Ruzhdijes në Fier apo e Dajçit në Lezhë për të mbajtur pushtetin, duke e ndarë me ata që ishin votuar për ta larguar nga pushteti.
Si do të fitojë atëherë si me 22 mars 1992 në zgjedhjet e vitit 2013, në përfundim të një mandati krize dhe stanjacioni të gjithanshëm, pa karta politike nepër duar, pa asnjë propozim të ri politik frymëzues për vendin, me një mal dështimesh spektakolare, që fillojmë me luftën kundër korrupsionit e përfundojnë me ngrirjen e procesit të integrimit në BE? Kartat e vjetra të këtij kryeministri- antikomunizmi, nacionalizmi, europianizmi dhe antikorrupsioni- nuk japin më pasi janë shpërdoruar e kompromentuar prej tij në aleanca, interesa dhe skema politike të diktuara nga nevoja e mbajtjes me çdo kusht të pushtetit. Me sa duket në oborrin e Berishës llogarisin të fitojnë jo me program, por me aritmetikë të thjeshtë. Në këtë rast optimizmi i tyre llogarit një popull të çalë nga trutë që voton më shumë për qeverinë kur s’ka se sa kur ka- çfarë nuk më rrezulton se është populli shqiptar.
Nga ana tjetër nuk të habisin shumë këto lloj lajthitjesh që janë karakteristike e drejtuesve të tipit shelbues, të shkëputur plotësisht nga realiteti dhe populli i tyre. Ata ndoshta kanë fatkeqësinë të besojnë deri në fund në deliret e tyre. Ndoshta duan të mbajnë me shpresë dhe gajret militantët e thjeshtë. Dhe njëri tjetrin. Mund të jetë kështu. E keqja e madhe retorikës së fryrë pa pa asnjë bazë, si kjo e Berishës, qëndron në faktin se ajo mobilizon prapësitë e reja, abuzimet e reja, shkeljet e reja dhe përfitimet e reja të zyrtarëve të korruptuar apo edhe të atyre që janë në tundimin për tu korruptuar. Duke besuar se Shefi do ta gjejë në minutën e fundit zgjidhjen magjike, këta nuk kanë të ndalur t’i bien me top. Shefi i inkurajon, ndërkohë që është votuar pikërisht për t’i ndalur. Qoftë edhe duke u larguar bashkë me ta nga pushteti.
Shekulli
Comments
Panem et circenses - thoshin
<p><span dir="auto">Panem et circenses</span> - thoshin latinet.</p><p> </p>
Add new comment