Përtej emocionit të një shikimi

Vrasja e një vajze me emrin Mari dhe e gjyshit të saj me origjinë prej Kirit të Dukagjinit, por banuese në Boriç të Shkodrës, ka ngjallur shumë debat dhe opinion në media. Kësaj here debatin e gjallëroi në mënyrë të veçantë botimi i portretit të vajzës së vrarë, i cili përcillte te ne që e shikonim një farë ndjenje dashurie dhe butësie. Shikimi dhe fytyra e saj ngjallën të shumë njerëz rebelim emocional. Anatemime, mallkime, sharje, shfryrje dëgjoheshin nëpër ekrane e lexoheshin nëpër faqe gazetash. Por ama shumë nga opinionistët dhe gazetarët në fund të fundit jetojnë në Tiranë dhe nuk jetojnë përditë me këto probleme. Mallkimet dhe linçimet vijnë nga lart më shumë si një reagim i çastit sesa si një reagim qytetar. Edhe Maria u kthye në një lajm, në një opinion, në një subjekt mediatik, në një reagim emocional. Janë nga ato raste kur fjalët e komentet e tepërta nuk të lënë të jetosh as dhimbjen e jo më të ta lehtësojnë atë.
Janë thënë e dëgjuar shumë gjëra në këto ditë: kanuni, gjakmarrja, instinkte mesjetare etj. Te rrallë janë ata që ua dinë domethënien këtyre fjalëve, se ndryshe nuk do të shkruanin ashtu. E vërteta deri tani është se ne jemi përballë faktit të një vrasjeje, të një krimi, autorët e së cilës ende nuk janë gjetur, sikurse të shumë vrasjeve të tjera deri më sot. Ka alibi dhe një nga këto, e me sa duket jo e vetmja, është gjakmarrja. Derisa të vërtetohet, ende nuk mund të merret për e vërtetë me gjithë sentencat mediatike apo marshimet paqësore. Por gjithsesi jemi përballë një fakti: u vranë dy persona që faj nuk kishin dhe po punonin në punë të tyre. E një problem tjetër që doli sërish në pah, ishte edhe raporti ndërmjet ligjit juridik pozitiv dhe atij zakonor apo dokësor.
Në listën e mallkimeve të shkrimit të Blendi Fevziut në gazetën “Panorama” të para disa ditëve, njëri meritonte të merrej seriozisht në vlerësim: ai mbi gjykatat. Të themi më në kompleks ai mbi pushtetin gjyqësor në Shqipëri, i cili është më i korruptuari dhe më problematiku. Duhet thënë pa pikë mëdyshjeje se në një sistem demokratik modern nuk ka vend, të paktën sa i përket ligjit penal, për atë dokësor. Kjo duhet të hiqet njëherë e mirë nga mendja dhe ndaj kësaj nuk mund të ekzistojë tolerancë. Pushteti gjyqësor duhet të veprojë me të gjithë forcën e tij që në këto raste t’i marrë vetë kompetencat në mënyrën më absolute. Sa u përket çështjeve të tjera, asgjë nuk pengon që të zgjidhen edhe në mënyrat e së drejtës dokësore (zakonore, consuetudo). Madje, shpesh kjo edhe duhet këshilluar si një lloj forme paraligjore zgjidhjeje konfliktesh, e cila shpesh rezulton e frytshme. Por në rastin e të drejtës penale, nëse pushteti gjyqësor nuk vepron me të gjithë fuqinë e tij e nëse “shkopi i drejtësisë i shtrembërohet në dorë nga pesha e peshqesheve”, atëherë merr hov (pa)drejtësia dokësore.
Gabimi i një shoqërie si e jona orvatet ndërmjet dy skajeve që duket sikur përjashtojnë njëra-tjetrën, por ama të ndërthurura mirë mund të ndihmojnë. Ka nga ata që, pa ditur se me çfarë realiteti kanë të bëjnë, reklamojnë veprimin e ligjit me të gjithë ashpërsinë e tij. Kjo del në pah mjaft qartë për faktin që mendësia e shumë donatorëve të huaj është se nuk financojnë proceset e pajtimit midis familjeve në gjak pasi janë antiligjore. Që ata nuk i financojnë sipas meje bëjnë mirë, por motivi pse nuk i financojnë nuk është i mjaftueshëm. Ka ligje të shkruara, por ka edhe ligje të pashkruara dhe jo të gjitha ligjet e shkruara mund të përmbajnë dhe parashikojnë gjithçka. Një shkollë e mirë për këtë gjë janë relacionet e misioneve fluturuese të jezuitëve në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme, në kapërcyell ndërmjet shek XIX e XX. Pa u zgjatur shumë në përmbajtjen e tyre, ata janë një shkollë se si shumë konflikte kanë nevojë për më shumë ndërhyrje dhe punë, sesa vetëm thjesht zbatimi i ligjit. Ligji maksimalisht shtie dikë në burg, por qetësimi i shpirtrave nuk është punë e ligjit pozitiv. Ajo është një çështje ligjësish të tjera që kanë të bëjnë me ndjenjat njerëzore dhe religjioze, me besimin në Hyjin, me edukimin sistematik me vlerën e jetës, me paqen në shoqëri, me harmoninë sociale, me zbutjen e konflikteve etj. E në këtë pikë, të gjithë, përfshirë institucionet fetare e sidomos ata, duhet të angazhohen maksimalisht.
Një gabim tjetër është e kundërta. Ka nga ata që zgjidhjen e problemeve ia besojnë vetëm ligjit dokësor. Kjo do të thotë se gjithçka lihet në vullnetin e lirë të njeriut dhe në aftësinë bindëse të burrave të mençur. Kjo rrugë është e limituar pa një shtrëngim ligjor. Dikur burrat e mençur kishin me vete djelmninë e nëse dikush nuk i rrinte fjalës së dhënë (ne e quajmë besë, kurse latinët e quanin pacta nuda), shtrëngohej ta bënte atë me anë të kësaj strukture. Sot nuk mund të jetë kështu. Sot ligji nuk mund t’ia delegojë pushtetin e vet askujt. Jo rrallë pajtuesit e gjaqeve janë të paguar ose thjesht më shumë ngatërrojnë punë sesa zgjidhin. Këto punë më së miri mund t’i bëjnë vetëm njerëz me një vokacion shpirtëror, qofshin këta laikë apo klerikë që janë të paqtuar me Hyjin, me veten e me të tjerët. Vetëm ata do të jenë të aftë të punojnë në pajtimin e shpirtrave të ndezur për gjakmarrje.
Megjithatë, në shoqërinë tonë shqiptare problemi është pak më i thellë dhe më i shtrirë. Si mund t’i kërkojmë një shoqërie si e jona, e cila pjell konflikte dhe urrejtje patologjike në majat e saj d.m.th. politika, në përleshjen nganjëherë të pamëshirshme të opioninbërësve, të bëjë paqe ndërmjet familjeve në gjak? Si mund t’i kërkojmë një shoqërie që ka një vlerësim për jetën shumë të ulët, e këtë e tregon numri i madh i aborteve (vrasje edhe këto si ajo e Marisë), të vlerësojë jetën e Marisë e të shumë të tjerëve? Si mund t’u kërkojmë (e këtu të më ndjejnë miqtë e mi gazetarë) mediave të përçojnë mesazhe paqeje, kur jo vetëm nuk informojnë mirë, por shpesh edhe dezinformojnë apo përqendrojnë fokusin e tyre ekskluzivisht te kronika e zezë?
Për fat të keq, kemi një shoqëri shumë konfliktuale të shtrirë në të gjitha hallkat e saj e kjo nuk bën mirë. Po presim pasivisht që këto probleme t’i zgjidhim në mënyrë deus ex machina, me modele të importuara. Ne kemi mundësi të punojmë dhe të gjejmë zgjidhjet këtu nga vetja jonë se nuk kanë mbaruar djemtë e vajzat, burrat dhe gratë, liderët (pa parti mundësisht) që t’i japin jetë një fryme për një ripërtëritje shpirtërore të vendit tonë duke marrë nga gurrat e bjeshkëve tona, pa pasur nevojë domosdoshmërisht për burime alternative. Pa këtë ripërtëritje që vjen nga brendësia e shpirtit shqiptar, të jemi të sigurt se Maria do ketë shumë shoqe e shokë.
Panorama
Comments
Ne nuk kemi SHTET i dashur
<p>Ne nuk kemi SHTET i dashur gazetar, shteti yne i dhjere eshte i mbushur me horra e te paafte. ne kemi krimineli sali berisha qe prej 20 e kusur vitesh ne krye. Ky kriminel, ky hajdut ky edepsez i dha jete gjakmarrjes perseri e na ktheu shekuj mbrapa. Kemi hajdutin e dhjamosur Meta qe i jep tonin ketij shteti qesharak, kemi nje tufe debilash qe quhen ministra por qe te rrjepin e te vjedhin si bandite ordinere e qe e katandisen vendin ne kete dehrexhe. Keto te vrasin, te vjedhin te poshterojne e nuk i hyn gjemb ne kembe sepse shteti ka vdekur me kohe. Mjere ky populll e ky vend ....une mendoj qe para se gjithash ju duhet te shkruani e t'i beni thirrje shqiptareve te heqin qafe keto monstra hibride komunisto-idiote e pastaj te vendosin shtetin e vertete dhe ligjin. kur te zbatohet ligji per se mbari do t'i vije fundi edhe fenomenit fondamentalist tipik shqiptar gjakmarrjes.</p>
Add new comment