Funeralet "e majta" të viteve '80

Postuar në 09 Maj, 2026 17:03
Skerdilajd Zaimi

 

Këto ditë në mediat sociale kanë qarkulluar shpesh pamje nga funerali i Josip Broz Titos. I cili u nda nga jeta më 4 maj 1980 dhe u varros me ceremoni shtetërore më 8 maj të atij viti.

Ceremonia e risjellë në pamje pas 46 vjetësh ka shumë interes për të kuptuar në dritën e pamjeve origjinale, sizmikën e një ndryshimi me të vërtetë epokal që provokoi ikja nga jeta e Titos. Që ishte një ngjarje me më shumë pasoja se vetë jeta e tij.

Jugosllavia, që për nga emri sot tingëllon si një lloj antikuari perandorak i së majtës ideo-militariste, nuk ekziston më. Ajo vdiq dhe u varros në në një mënyërë krejt të ndryshme nga varrimi madhështor dhe gati surreal i Titos. Ajo u shpërbë dhunshëm, përgjakshëm, në mënyrë çnjerëzore dhe me një egërsi që ende nuk kuptohet mirë.

Në dy vdekjet e Jugosllavisë – atë të Titos dhe të vetë shtetit, ka megjithatë dy të vërteta. Titon mbase nuk e donin ashtu siç duket në pamje, por ai mesa duket ishte i aftë të bënte këdo që ta donte. Karizma unike e liderit jugosllav, prodhoi edhe një nomenklaturë estetike të posaçme që lidhej te Tito përmes shumë fijeve: të liderit, heroit, monarkut, komunistit, jugosllavit, aristokratit. Sepse Tito duhet thënë që ishte e vetmi që u soll si aristokrat mes spartanëve të komunizmit lindor.

Ceremonia e tij e varrimit reflekton deri diku edhe këto cilësi: 500 mijë njerëz në marshim funebër, thuajse të gjithë liderët e njohur politikë të botës të pranishëm, një protokoll kirurgjikal për të përcjellë dikë që në fund, nuk ndjehet si diktator, autokrat. Madje as komunist dhe as ndonjë fanatik. Kompleksiteti i Jugosllavisë dhe komplekstieti i personit, me gjasë shndërruan edhe natyrën e pushtetit që duhet të ishte në stil dhe përmbajtje sovjetik.

Skena e ceremonisë reflektonte edhe peshën e vendit; atë ndërkombëtare gjeopolitike dhe peshën specifike të titizmit.

Si mund të shihet sot kjo skenë nga një serb, kroat, apo boshnjak? Çfarë mbetet ende si mundësi në atë eksperiment që mori fund më 1980? Kjo mbetet një pyetje pa përgjigje të qartë. Por e sigurtë është se ajo tundon dhe provokon ende sot, duke na kujtuar me këtë rast forcën ndikuese të ritualeve, ceremonialit që i bashkëngjiten një epoke.

Ka së paku dy ceremoni të afërta që mund të na ndihmojnë disi për ta kuptuar këtë. E para është ceremonia e varrimit të Enriko Berlinguer më 13 qershor 1984 dhe ajo e Enver Hoxhës në Tiranë në prill të 1985.

Vdekja e Berlinguer u përcoll si një ngjarje edhe për intelektualët apo një pjesë të rinisë në Itali, si një ngjarje masash aktive dhe të integruar në debatin politik. Ajo ishte një ndjesi boshllëku intelektual dhe simbolik, moral që u provua me kohën, pasi për shumë arsye, historike dhe individuale, Berlinguer që arriti të dilte mbi trashëgiminë e një figure legjendare mes komunistëve si Togliati, nuk u pasua dot më nga një tjetër I barabartë me të. Komunizmi italian, që ishte më vibranti në botën perëndimore, nuk arriti dot më të evidentohej me një figurë aq të ndërkombëtarizuar sa Berlinguer, “sardi memec” siç edhe e ironizonin shpesh.

Duhet të themi se ceremoni si këto që përmendim ka rëndësi fakti se ato vijnë në vitet ’80, kur pjesa më e madhe e aderuesve në to me gjasë janë të lindur pas luftës së Dytë, ata nuk janë bashkëluftëtarë të një kauze dhe janë aty si pjesë jo vetëm e një repertori shtetëror apo ideologjik, por edhe si pjesë e një gjenerate që e përcjell politikën përmes një komunikimi të ri: televizionit. Në vitet ’80 televizioni nisi të ishte masiv duke ruajtur një autoritet të lartë, çka ushqente një solemnitet të politikës të cilin sot vështirë se mund ta kuptojmë më.

Në dallim nga ceremonia e Titos, ajo e Berlinguer ka diçka edhe festive, demonstrative dhe të gjallë, për shkak të lirisë që jep të qenit aktivist idesh përundër burgut protokollar të të qenit shtetar.

Ceremonia e tretë, të cilën në një mënyrë apo tjetër, e kemi dëshmuar në një pjesë të madhe, ajo e Enver Hoxhës, na vjen sot si një material origjinal që pajton kulturën tonë për vdekjen me faktin historik dhe propagandistik se Enver Hoxha ishte në fakt lideri i parë i Shqipërisë i varrosur në ceremoni shtetërore. Për rrethana që i dimë mirë, njerëzit e tjerë të politikës që nga shpallja e Pavarësisë e mandej, as patën kohë dhe ndoshta qëllimin për atë lloj pushteti, por një pjesë u diskredituan, emigruan, mandej erdhi lufta duke lënë kështu një terren pjellor për mitologjinë e re të pushtetit politik.

Në aspekt skenik, ceremonia e Hoxhës ka ngjashmëri me atë të Titos, shembull ky i dukshëm i kompleksit të inferioritetit që shoqëronte elitën e Tiranës ndaj Jugosllavisë, por në rezonim, ceremonia e Hoxhës ishte dhe donte të shfaqej si ngjarje kombëtare. Jo më shumë se aq, pasi nuk mundej të ishte më tepër. Në një mënyrë logjike, Hoxha vdiq vetëm, siç edhe jetoi dhe sundoi. Ajo ishte nje ceremoni edhe shqiptare, me kujën dhe vajin karakteristik tonin që është në përgjithësi një hipokrizi shekullore dhe e ngulitur në një kulturë që kujdeset për dukjen.

Dhe si e tillë, kjo ceremoni sërish ngre pyetjen e madhe që edhe sot mbetet: a ka të vërtetë tek ata lotë, tek ato skena dhe tek ajo zi që mbuloi çdo zë në atë vit të largët 1985? Ne ende nuk e dimë me siguri se çfarë ndodhi, e me gjasë askush nuk do të dojë të thotë të vërtetën. Aq sa duke njohur veten se cilët jemi, mund të dyshojmë sa të zëri i dridhur I Ramiz Alisë, aq edhe te shkuljet e flokëve të njerëzve që kalojnë. E sigurtë në atë që shohim është vetëm se Enver Hoxha vdiq, e me të shumëçka. Vdiq edhe një lloj Shqipërie që nuk përsëritet më, por në dallim nga Tito dhe Berlinguer, me Hoxhën nuk vdiq një lloj shqiptari siç vdiq një jugosllav apo një komunist italian.

Me gjasë u ringjall shqiptari i vërtetë, që ka qenë aty përgjithnjë, nën lëkurën e zakonit për të lëvizur kokën sipas hijes së pushtetit. Me prizmin e të cilit mund të mundohemi të kuptojmë ndonjë grimcë të vërtete. Fatkeqësisht!

Sikurse duhet të kuptojmë se ciladoqofshin regjimet, idetë, mendimet dhe ndikimet, Vdekja mbetet ngjarja më konservatore në histori. Takimi me të nuk mund të jetë veçse solemn sepse është frika që sundon.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.