Përse nuk (mund të) mbajmë përgjegjësi morale

Dy ministra francezë kanë reaguar të alarmuar ndaj shumës stratosferike që klubi Paris Saint Germaine i ka ofruar futbollistit suedez Ibrahimoviç, i cili do të paguhet me 16 milionë euro në sezon, ose 90 herë më shumë se presidenti i Francës. Ministrat kanë folur për krizën globale dhe shpenzimet e pafre të futbollit. Një temë e tillë vetëm sa u cek në Shqipëri, por pa u bërë pjesë e debatit të madh, kur një ‘denoncoi’ rrogën 60 mijë euro në muaj të shefit të CEZ-it. Ndërkohë që mund të argumentohet për ‘virtytet e tregut të lirë’ mund të argumentohet edhe për ‘cenet e shtrëngesave ekonomike globale’. Gjithashtu, për të mbipaguarit e të keqpaguarit. A shquani një problem etik apo financiar në këtë raport të zhdrejtë të pagave? A e hasim edhe në Shqipëri këtë problem? A është çdo trusni për njëfarë rivlerësimi apo rinivelimi të raportit të pagave, një barazitizëm i tejkaluar dhe i kërkuar, apo…?
Gilman Bakalli
Thua t’ia kenë bërë vetes shefi i CEZ dhe Ibrahimoviç pyetjet që shtroni ju si gazetë? A thua të ketë menduar drejtori çek për pensionistët e varfër shqiptarë, të cilëve kompania e tij u faturon herë pas here fatura që e tejkalojnë disafish pensionin e tyre mujor? Thua t’i shkojë nëpër mend Ibrahimoviç-it kriza globale apo milionat e të papunëve në Francë apo Europë? Nëse po, si ia dalin të jetojnë në dy botë totalisht të veçuara nga njëra tjetra: në një botë ndjesish personale edhe në një botë profesioni ku mbisundojnë ligjet e tregut ekonomik? Si ia dalin që, dy gjëra kaq të ndryshme, kaq kontradiktore, t’i arkivojnë në vetëdije në mënyrë që aty ato të mos takohen kurrë? Mendoj se ka më shumë të ngjarë që drejtori çek dhe futbollisti boshnjak të mos përjetojnë kurrfarë “dizonance konjitive”, kurrfarë “çarjeje” të brendshme. Imazhi i tyre për veten lëviz në këtë botë të dyzuar pa ndjenjë faji a pendese.
Shoqëria shqiptare, si të gjitha shoqëritë moderne, nuk funksionon më mbi bazë shtresash, por mbi bazë funksionesh: mësimdhënie në shkolla, mbajtje meshe në kishë, dhënie verdikti në gjykatë, dhënie huash nga banka, kujdes mjekësor për pacientët, pikturë, shkrim e të tjera. Të gjitha këto krijojnë sisteme relativisht të pavarura nga njëri-tjetri. Çfarëdo që bëjmë në jetë, e bëjmë brenda kornizash të qëndrueshme. Një lojë me rregullat e veta të lojës. Politika funksionon mbi rregulla të ndryshme nga ato të futbollit, ekonomia funksionon ndryshe nga arti, prej bashkëshortit pritet sjellje e ndryshme nga ajo e shefit, roli që luaj karshi fëmijëve të mi nuk është i njëjtë me atë që shfaq ndaj studentëve në auditor. Në të njëjtën logjikë, edhe drejtori i CEZ është i programuar për të nxjerrë fitime për kompaninë e tij, ndërsa Ibrahimoviç është programuar t’i falë emocione me golat e tij miliona tifozëve. Brenda logjikës së sistemit financiar paga e tyre është krejt normale dhe funksionale. Për këtë sistem nuk ka fort rëndësi se çfarë mendon a ndjen njëri për varfërinë e pensionistit shqiptar dhe tjetri për krizën globale. Pikëpamjet e tyre morale janë pjesë e sistemit të tyre personal dhe jo e profesionit. Keqardhjen e tij për pleqtë pensionistë shqiptarë shefi i CEZ mund ta diskutojë në familje me gruan dhe fëmijët, por jo në vendin e punës, sepse i bie ndesh strukturës funksionale të sistemit financiar.
“Nuk janë personat që veprojnë” – thotë Niklas Luhman – “por janë sistemet që funksionojnë”. Atë që ndodh në shoqëri, sistemet e vlerësojnë thjesht dhe vetëm mbi bazën e kriterit: “i pranueshëm/i papranueshëm”. Në ekonomi pranohet ajo që mua si person më alokohet përmes blerjes, trashëgimisë, fitimit, pronësisë etj. Në sistemin e jurisprudencës është e pranueshme ajo që është e drejtë. Në sistemin e shkencës vlen ajo që është e vërtetë. Në art vlen e bukura (dhe jo e shëmtuara). Vlefshmëria e të tilla kodeve bën që secili sistem të diferencohet dhe të krijojë rregulla, mbi bazën e të cilave funksionon.
Nuk mund të kemi pra një fokus të integruar të shoqërisë, por na duhet të mjaftohemi me perspektiva të shoqërisë. Nuk mund të aspirojmë dhe të aplikojmë, pra, një gjykim moral integral, totalitar, por të mjaftohemi vetëm me perspektiva të moralit. Sot në shoqërinë tonë nuk ekziston një nënsistem më vete me emrin “moral”. Ky nënsistem është një gjë personale, një çështje nderi, imazhi, ose një armë shoqërore për të diskredituar dikë. Për të gjykuar mënyrën se si funksionon ekonomia, politika, drejtësia e me radhë, morali nuk hyn fare në punë. Sigurisht, kolegu im i nderuar Dom Gjergj Meta, mund ta gjykojë moralisht çështjen, por duhet ta dijë se po operon me instrumente të huaja për sistemin ekonomik. Sistemi ekonomik mbahet përmes rregullave të lojës së pronësisë, shkëmbimit apo parasë dhe jo nga morali, çfarëdo qoftë ky. Mjeku im, mësuesja ime apo arkëtarja e bankës sime mund të jenë njerëz të mirë, por kjo s’ka kurrfarë lidhjeje me rolin e tyre. Qoftë në sistemin e drejtësisë, të ekonomisë, edukimit, qoftë në atë të artit, askush nuk mund të paguhet më shumë nisur nga fakti i të qenit njeri i mirë. (pavarësisht kësaj, jam i bindur se ia vlen të jesh njeri i mirë. Në një farë mënyre sistemi ta shpërblen. Por kjo është një temë tjetër!)
Drejtori çek i CEZ apo Ibrahimoviç në profesionin e tij nuk mbajnë përgjegjësi për moralin, sepse nuk munden. Nëse për arsye personale drejtori vendos të heqë dorë nga puna e tij sepse nuk e ndjen veten moralisht të aftë për të, kolegët e tij nga Çekia do gëzoheshin shumë. Shumë shpejt do gjendej dikush tjetër që do ishte i lumtur të fitonte 60 mijë euro në muaj. Dhe nëse – variant krejt utopik ky – nuk do gjendej më askush që të pranonte të fitonte 60 mijë euro në muaj në një vend me pleq pensionistë të varfër si Shqipëria, atëherë tregu i prodhimit energjetik mund të bllokohej.
Në jetën tonë, sa i takon moralit, ne përballemi me të paktën dy pyetje të qenësishme. E para: “pse duhet pikërisht unë të bëj diçka për ta bërë botën më të mirë?” dhe e dyta: “a mundem unë, nëse dua, ta bëj atë një vend më të mirë?” A nuk ju duken shprehje idiote këshillat e pasinqerta se secili prej nesh mund të kontribuojë për ta bërë më të mirë jetën në këtë planet? Në shoqëri të diferencuara funksionalisht si kjo e jona, receta të tilla ka pak gjasa të ngjisin.
Imagjinoni jetën tonë dhe mendoni pak se në sa shumë role sociale (burrë, pedagog, baba, bashkëshort, sportist, muzikant, besimtar, etj) “shpërbëhet” ajo. Përkatësia ime ndaj roleve të shumta sociale më ndihmon dukshëm të mos mbaj përgjegjësi për këtë botë në tërësinë e saj. Përgjegjës janë gjithmonë të tjerët, politikanët, p.sh. ose ekspertët e ekonomisë. Për fat të keq edhe këta të fundit “shpërbëhen” në role të ndryshme dhe nuk janë përgjegjës për të tërën, por vetëm për fitimet e sipërmarrjeve të tyre.
Për ta ndjerë përgjegjësinë morale duhen përmbushur disa kritere. Së pari, duhet ta perceptojmë personin, të cilin, ndoshta, duam ta ndihmojmë. Së dyti, duhet të vihemi në pozicionin dhe gjendjen e tij (aftësia për empati), të kuptojmë pra që ka nevojë për ndihmë. Së treti, vetëm në këtë rast mund ta ndjejmë përgjegjësinë, d.m.th që tjetri jo vetëm që ka nevojë për ndihmë, por ka nevojë pikërisht për ndihmën time. Por, kujdes!!!!! Mos po më ikën treni, furgoni, mos rrezikoj të humbas takimin me dentistin, apo me atë personin e rëndësishëm?????? Sa më shumë stres, sa më shumë trysni kohore, aq më pak vend ngelet për empati apo përgjegjësi morale. Kush është nën presionin e vazhdueshëm të vendimmarrjeve të shpejta, ka shumë pak kohë për të reflektuar apo medituar moralisht – prandaj politikanët, për shkak të detyrës, nuk mund të jenë qenie më morale se zgjedhësit e tyre. Sa më shumë largohen nga ai sistem (p.sh. ish kryeministri, apo ish-presidenti) i cili kërkonte prej tyre thjesht funksionim, aq më të lehtë e kanë të fokusohen tek problemet morale. Parashtesa “ish” e bën më të kollajtë moralizimin. Prandaj edhe pyetjet që shtroni ju, me shumë gjasa drejtori i CEZ apo futbollisti Ibrahimoviç, mund t’i reflektojnë vetëm pasi të kenë dalë në pension.
Një jubile “laik” për krizën
Dom Gjergj Meta
“Puna duhet të shpërblehet në një masë të tillë që t’i garantojë njeriut mundësinë të ketë një jetë të denjë materiale, sociale, kulturore dhe shpirtërore të veten dhe të të afërmve të tij, kjo duke u lidhur me detyrat dhe rendimentin e secilit, me kushtet e sipërmarrjes dhe të së mirës së përbashkët”. Kështu është shkruar në një ndër dokumentet më të rëndësishme të Kishës Katolike, Kushtetuta e Koncilit II Vatikan Gaudium et spes. Duke u nisur nga ky pohim, më shumë se sa të mendojmë “tavanin” e pagave, unë do të shikoja “dyshemenë”, e cila duhet të jetë e tillë që të garantojë dinjitetin e personit dhe të atyre që ai ka në përgjegjësi. Në bazë të kësaj jam i bindur se do rregullohej edhe pjesa tjetër. Kriza që ne po kalojmë, përveçse është shprehje sigurisht e vështirësive ekonomike, është e kuptueshme tashmë se nxit nevojën e një reflektimi më të thellë mbi aspektet antropologjike dhe shpirtërore të realitetit ekonomik. Një rishpërndarje e drejtë e pagës duhet të bëhet jo vetëm në sajë të një drejtësie komutative, por edhe të një drejtësie shoqërore duke konsideruar përtej vlerës objektive të rezultatit, dinjitetin njerëzor të atyre që punojnë. Ky dinjitet është dhe duhet të mbetet themeli i çdolloj strategjie ekonomike. Por ky dinjitet nuk mund të ruhet nëse zhvillimi ekonomik nuk njeh limite etike, të cilat nuk mund dhe nuk duhet t’i kapërcejë. Në fakt nuk është vetëm futbolli problem i superpagave, por edhe sektorë të tjerë të jetës dhe të shoqërisë kanë nevojë për një riformatim në mënyrë që të garantohet për të tjerët plotësimi i nevojave që lejojnë një jetë të denjë. Në rastin e sportit i shtohet edhe diçka tjetër negative, sepse loja që në vetvete është pjesë e rritjes integrale të njeriut si i tillë, është kthyer në një industri dhe lojtarët në një kapital.
Do të shtoja një element të veçantë në këtë reflektim duke u nisur nga koncepti i vitit jubilar biblik. Origjina e jubileut është biblike dhe fjala jubile rrjedh nga hebraishtja jobel e do të thotë bri dashi. Duke dhënë lajmin me anë të brisë së dashit fillonte viti jubilar në mbarim të vitit të 49-të. Pra viti i 50-të ishte vit jubilar. Çfarë ndodhte në këtë vit? Me pak fjalë secili që kishte humbur pronën apo lirinë në vitin jubilar kthehej në gjendjen e mëparshme, rimerrte pasuritë që kishte humbur, lirinë, shtëpinë etj. Ishte një lloj riformatimi i jetës sociale dhe asaj shpirtërore. Dy elementë janë themelorë në këtë proces: çlirimi (aktual) dhe ngushëllimi (perspektiva). Disa realitete, ndër të cilat edhe mjetet për të jetuar, nuk mund të qëndrojnë nën egoizmin e shfrenuar dhe arrivizmin e pangopur të disave. Ato duhet të çlirohen nga epshi i fitimit dhe i mbifitimit për arsye se toka është e Hyjit dhe ajo duhet t’i shërbejë njeriut, të gjithë njerëzve. Situatat e varfërisë që po kalon jo vetëm vendi ynë, por edhe shumë vende të tjera të zhytura në krizë, nxisin nevojën e një “riformatimi” shpirtëror, i domosdoshëm për një ripërtëritje të gjithëmbarshme. Një jubile “laik” i ekonomisë botërore (një utopi?) do të çonte në vend të vet shumë situata, sidomos për vende të botës së tretë që ende sot e kësaj dite janë vetëm lënda e parë për industritë e vendeve të zhvilluara e vetëm kaq. Nga ana tjetër mbipagimi p.sh. i muskujve të sportistëve, përveç kontratave të rregullta dhe transparente juridike, duhet të këtë parasysh edhe nevojën e një solidariteti të ri mes njerëzve dhe popujve. Ky solidaritet i ri është frut i një metanoia, kthim të mendjes, zemrës dhe shpirtit që jep sy të ri për të parë veten dhe të afërmin dhe vullnet të qëndrueshëm për t’i shërbyer atij që është në nevojë. Gjithashtu, ai ka nevojë për një drejtësi të marrëdhënieve ekonomike të bashkuar me dashurinë për të afërmin, duke krijuar kështu një shoqëri solidare dhe harmonike si një familje e madhe globale.
Mapo
Add new comment