Përpjekje e kotë për të mbuluar diellin me shoshë

Në fund të marsit të vitit 2008, Pieter Feith ishte shumë i qetë sa u përkiste detyrave që e prisnin në Kosovë. Sapo kishte marrë detyrën si shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) dhe i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovë. Sipas disa burimeve në Bruksel, të ardhurat e tij mujore silleshin rreth 20 mijë euro. I ulur në restorantin e një hoteli në Prishtinë, diplomati holandez gjatë bisedës vazhdimisht i ikte përgjigjes se kur ICO-ja dhe misioni i BE-së për sundimin e ligjit EULEX do ta marrin përgjegjësinë për drejtimin e punëve në Kosovë. Në Planin e Ahtisaarit thuhej se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës misioni i OKB-së (UNMIK) do t’ua dorëzonte kompetencat pushtetit lokal dhe misioneve të reja ndërkombëtare brenda 120 ditësh. Por kur fillonte kjo fazë e numërimit – ditën e proklamimit të mëvetësisë kosovare apo më vonë? Feith atëbotë me ironi tha: “Unë numëroj përherë. Por unë më së shumti i numëroj paratë dhe zaret e mia”. Megjithatë, shefi i ICO-s dikur bëri një premtim të fuqishëm: “Jemi duke e ndërtuar misionin tonë. Por një gjë është e qartë: ne do të veprojmë në mbarë territorin e Kosovës”.Çfarë i mbetet tani për të numëruar në Kosovë Pieter Feithit? Sukseset? Të arriturat në fushën e sundimit të ligjit? Prania e një administrate efikase në mbarë territorin e Kosovës? Luftimi i korrupsionit? Angazhimi për një televizion publik që e meriton këtë emër? Pas katër vjet e gjysmë në Kosovë, Feith mund t’i numërojë vetëm paratë që i ka fituar. Zyra Civile Ndërkombëtare po mbyllet, sepse pothuaj askush s’e vërejti praninë e saj. S’do të vërehet as mungesa e saj. ICO-ja e kishte për detyrë të mbikëqyrte zbatimin e Planit të Ahtisaarit. Kjo zyrë këtë e ka bërë vetëm në ato pjesë të Kosovës, ku plani do të ishte zbatuar edhe pa mbikëqyrjen e saj. Në veri, ndërkaq, atje ku prej vitesh është etabluar eldoradoja e krimit, lojës me zjarr dhe mesazheve nacionaliste, ICO-ja thjesht nuk qe e pranishme.
Kancelaria e Feithit e kishte për detyrë të ndihmonte që Kosova të bëhej shtet funksional. Si “autoritet i fundit” për mbikëqyrjen e Planit të Ahtisaarit, ICO-ja mund të merrte “masa korrigjuese” në pothuaj çdo çështje që do të vlerësohej e rëndësishme për ndërtimin e demokracisë në Kosovë, përfshirë anulimin e ligjeve, largimin e politikanëve të korruptuar, emërimin e zyrtarëve në poste të rëndësishme etj. A ka dhënë ndonjë kontribut Feith në këtë drejtim? Për aq sa shihet – jo. Por nuk duhet t’i ngarkohet krejt faji veteranit diplomatik nga Holanda. ICO-s i mungonte edhe mbështetja politike nga Brukseli. Në vend që publikisht ta thoshte këtë dhe t’ia bënte të qartë bashkësisë ndërkombëtare se misioni i ICO-s thjesht nuk po realizohet në Kosovë, Feith zgjodhi heshtjen. Për këtë heshtje njerëzit e Kosovës nuk i janë mirënjohës atij. “Ndoshta ky post (shef i ICO, v.j.) është dizajnuar tamam për dikë që gjendet para fundit të karrierës. Kështu unë s’duhet të bëhem merak për të ardhmen time”. Kështu kishte deklaruar Feith, atëbotë 63-vjeçar, në bisedën e lartpërmendur me një grup gazetarësh të mediumeve gjermane dhe zvicerane. Më 11 shtator 2012, lirisht mund të thuhet se Feith vërtet nuk duhet të bëhet merak për të ardhmen e tij, por gati dy milionë qytetarë të Kosovës kanë shumë arsye të jenë të shqetësuar për të tashmen dhe të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Feith do të shfajësohet si në fillim të mandatit të tij në Prishtinë, duke thënë se protektorët ndërkombëtarë në Kosovë nuk dëshironin t’i përsërisnin gabimet e Bosnjës, ku vendimet e vështira i merrte bashkësia ndërkombëtare, ndërsa vendorët merreshin me lojëra politike dhe korrupsion. Por dallimi mes Bosnjës dhe Kosovës është esencial: në Bosnjë përfaqësuesit e tri etnive nuk mund të pajtohen për pothuaj asgjë, në fakt serbët e kroatët më me qejf do t’i bashkoheshin Serbisë, përkatësisht Kroacisë. Në Kosovë mbi 90 për qind e popullsisë i përket një etnie (shqiptare) dhe pjesa tjetër janë pakica. Shumica e tyre e kanë pranuar realitetin e Kosovës së pavarur, por janë nja 50 mijë (ndoshta edhe më pak) serbë në veri që manipulohen dhe ushqehen me ëndrra e përralla nga një grusht politikanësh nacionalistë dhe kontrabandistë. A duhet Bashkimi Evropian, i cili ka ambicie të luajë rol të madh në politikën botërore, t’u nënshtrohet huqeve të tyre dhe shantazheve të Beogradit? BE-ja mund ta bëjë këtë, siç e ka bërë deri më tash – dhe kështu të tregojë se nuk mund të merret askund seriozisht si lojtar serioz për zgjidhjen e konflikteve.
Mbyllja e Zyrës Civile Ndërkombëtare nuk është kurrfarë zhvillimi që do të arsyetonte organizimin e spektakleve. Qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi në mungesë të rezultateve në ekonomi, sundim të ligjit, mbrojtje të ambientit, investimeve dhe privatizimeve serioze dhe fitimprurëse për vendin, po përpiqet me koncerte dhe ceremoni të kota t’i detyrojë njerëzit të gëzohen me zor, sepse, ja, tash “jemi plotësisht të pavarur”! Të pavarur për punë të hairit kemi qenë që nga 17 shkurti 2008, ndoshta edhe më parë. Problemi është se pjesa më e madhe e elitës sunduese të Kosovës ka prioritete të tjera – prioritete që në çdo raport të organizatave ndërkombëtare ilustrohen me epitete të errëta.
Fakt është se në Kosovë po mbesin edhe disa misione ndërkombëtare, në radhë të parë EULEX-i, UNMIK-u, OSBE-ja. Në mungesë të efikasitetit qeverisës do të sillen vërdallë nëpër Prishtinë edhe ortakë të dyshimtë privatizimi nga vende të ndryshme. Në disa raste Kosova duket si një pulë, të cilën bashkë me “çlirimtarët” vendorë e rrjepin “konsulentë” e “dashamirës”, aventurierë e misionarë të ekonomisë gllabëruese, e cila nuk merr parasysh asnjë komponentë sociale. Por problemi qenësor mbetet skena kaotike politike e Kosovës: pothuaj çdo e keqe burimin e ka te mendësia halabake vendore.
Përballë sundimtarëve të tanishëm, megjithatë tani për tani për Kosovën është e domosdoshme një prani ndërkombëtare; shpesh dhe me të drejtë mund të kritikohet EULEX-i, por a mos po kërkojmë shumë nga një prokuror i huaj, i cili në Kosovë ballafaqohet me një kulturë krejt tjetër të perceptimit të drejtësisë? Kulturë e cila problemet i zgjidh jashtë sallës së gjykimit dhe ku frikësimi i dëshmitarëve është sport i tmerrshëm popullor. Asnjë sistem i drejtësisë nuk mund të funksionojë pa dëshmitarë. Në mbrojtjen e tyre kanë dështuar të gjitha misionet e deritanishme ndërkombëtare në Kosovë, ndërsa prej “çlirimtarëve” as që duhet pritur mbrojtjen e dëshmitarëve – ata kanë vetëm një interes: t’i detyrojnë të heshtin me metodat e njohura të (pas)luftës.
Sot, kur po botohet ky tekst, pra më 11 shtator 2012, asgjë e veçantë nuk do të ndodhë sa i përket Kosovës. Vendi do të mbetet ndër më të varfrit në Evropë; papunësia do të vazhdojë t’i sillet rreth 40-përqindëshit; rroga mesatare do të jetë edhe më tutje 350 euro dhe ndoshta më e ulëta në kontinentin tonë; papunësia e të rinjve do të mbetet tmerrësisht e lartë dhe do të jetë problem me potencial shpërthyes, kur të merret parasysh se gati 50 për qind e 1,7 milionë kosovarëve janë të moshës së re (nën 25 vjeç); regjimi i vizave nuk do të hiqet në periudhën afatshkurtër. Por do të vazhdojë infiltrimi i administratës publike me milicë të shërbimeve sekrete partiake, do të mungojë kontrolli demokratik i institucioneve vitale dhe do të përparojë zgjerimi i rrjetit klientelist nëse ajo që quhet shumicë e heshtur e popullsisë nuk zgjohet për të hequr me votë nga pushteti një Qeveri thellësisht të papërgjegjshme; por kjo nuk mjafton: në fakt në Kosovë duhet të zhvillohet një mentalitet krejt tjetër shtetndërtues, i cili e ka parasysh të mirën e përgjithshme dhe angazhimin për mirëqenie të të gjithëve. Muzikë për të ardhmen? Po, por as shkrimi nuk do të kishte kuptim nëse nuk predikojmë ambicie të mëdha dhe synime të mira për një vend që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë.
Koha Ditore
Add new comment