Nacionalizmi si pretekst në Ballkan

Postuar në 04 Shkurt, 2013 03:53

Ka nji nacionalizëm të “mirë” i cili shprehet në zhvillimin e vlerave të mirëfillta të nji kombi dhe nji nacionalizëm që ma shumë se me promovue nji komb mundohet me prozhmue dhe me sulmue kombet tjera, kryesisht ato fqinje. Ky i fundit përpiqet me shpluhnos edhe nji herë “shpirtin e popullit” (Volksgeist) në kuptimin e vet ma të keq, domethanë me shkue përtej procesit të integrimit të nji populli në nji formë politike, tue qenë se sot të gjithë e pranojnë se e ardhmja e Ballkanit asht në Europë dhe jo në izolimin nacionalist.

Studjues si H. Kohn, E. Gellner, M. Hroch kanë theksue lidhjen e randësishme mes elementit politik dhe sovranitetit popullor në lindjen e nacionalizmit. Tash vonë E. Hobsbawm (Nations and Nationalism since 1780, bot. 1990) ka dallue mes nacionalizmit pozitiv që ka formue shtetet europiane dhe nji nacionalizmi etno-linguistik, tipik i popujve “pa histori”.

Edhe pse gjendja e sotme ka ndryshue, përderisa bota vijon me qenë e ndame në kombe (nacione) do të ketë edhe nacionalizma. Çdo fenomen rrezikohet prej patologjisë përkatëse, në rastin konkret, nacionalizmi takohet ma shumë si sëmundje se si fenomen pozitiv, por kjo gja nuk asht normale. Në vetvete ai nuk asht nji sëmundje, nuk asht diçka negative, e ketë gja e ka ilustrue ma së mirit Anthony D. Smith, ish profesor në London School of Economics, rithemelues i studimeve të këtij fenomeni.

Siç u tha ma nalt nacionalizmi tue qenë se ka të bajnë me gjendjen shpirtnore të nji populli apo të nji grupi paraqitet si nji fenomen që mundet me u keqpërdorë lehtë. Nji kapital i çmueshëm mundet me u shpenzue dhe madje edhe me u djegë me marrina e me gjeste të çmenduna, ndërsa popuj që nuk e zotnojnë ketë kapital munden me u kalamendë tue jetue pa histori, pa të kalueme, pa vetëndërgjegjësim identitar. Problemi i madh i Ballkanit asht marrja e historisë me mbidoza. Mjafton me vërejt se me sa shpengesë flitet për pellazgët sot. As në ‘800 romantikët nuk kanë trajtue çeshtjen pellazge siç trajtohet sot prej do sharlatanëve që i referohen mitit të lashtësisë për me mbërrijt me kapërdi poshtnimet e njimbasnjishme që na servir e tashmja.

E njejta gja ndodh me grekët, të cilët i referohen Grekëve të lashtë sikur mes tyne mos të ngriheshin si nji mur i pakapërcyeshëm ndamës shekuj të pafund të sundimit romak, bizantin dhe otoman që e kanë tjetërsue përfundimisht shpirtin antik të grekëve të Sokratit e Aristotelit! Edhe serbët nuk janë ma pak thjeshtëzuesa sa herë mëtojnë se ku kanë banue serbë (për ta s’ka randësi as kush ka banue përpara tyne e as sa kohë kanë qëndrue serbët aty) në Mesjetë duhet të jetë Serbi.

Ky lloj nacionalizmi asht nji sëmundje infektive që lëviz prej Beogradit në Shkup, në Tiranë, Athinë e endet si ajr i qelbët ndër kamaret e errëta të mendjes së shumë politikanëve që dijnë me përdorë mjeshtrisht ndjenjat e masave.

Kohët e fundit Ballkani, i zhytun në nji krizë politike dhe ekonomike, po evokon fantazmën e nacionalizmit, deri atje sa politikanë (jo burra shteti!) si Sali Berisha, që për dekada nuk kanë tregue asnji ndjeshmëní nacionaliste nji ditë zgjohen papritë me nji dell aq të fortë patriotik sa me u paraqitë si destabilizues të rajonit.

Edhe fëmijët e dijnë se nji nacionalist i ndershëm tregohet i kujdesshëm mos me i shitë karburant ose armë atyne që kanë rrezikue kombin e tij ndër shekuj, nji nacionalist mendjefreskët nuk shpallë idile me ish pushtuesin shekullor tue deklarue gramaturat e përbashkëta të gjakut, nji nacionalist jo tutkun nuk tenton me i falë kilometra hapsine detare nji shteti fqinj, prandaj nacionalizmi i Berishës – për me e thanë shkurt – asht funksional e i referohet vetëm 23 qershorit të ardhshëm. Personi që ka detyrue Berishën me u paraqitë si nacionalist asht Kreshnik Spahiu, nji leader pa ide dhe pa vizion politik që ka dijtë me luejt e po luen deri në fund kartën e nacionalizmit. Mungesën e vizionit politik Spahiu e ekuilibron mjaft mirë me nji nacionalizëm për konsum të gjanë, diçka e ndërmjetme mes entuaziazmit të gjimnazistit dhe etheve të stadiumit, por gjithsesi nji shirup i kotë për kancerin që ka mbërthye politikën shqiptare.

Nji tjetër figurë e dalun prej teatrit të kukullave të politikës shqiptare që e degradon nacionalizmin në nji palaçollek të pashoq asht edhe Idrizi i PDIU-së. Rezoluta e tij çame që i kërkon Greqisë 10 miliard euro damshpërblim për pronat e çamëve të shpërngulun asht shprehje e delirit dhe e papërgjegjsisë së nji demagogu. Ky delir që përdor çeshtjen çame për qëllime elektorale po e djeg përfundimisht shpresën me ua njohtë çamëve të drejtat e tyne. Sot Greqia ka në zverk shqelmin e nji krize që e ka çue shtetin drejt falimentimit e rrezikon mos me pasë pare me pague pensionet e rrogat, prandaj as BE-ja dhe as shteti grek s’kanë për ta marrë seriozisht atë rezolutë qesharake. Konsumimi i çështjes çame sot dhe dështimi i saj janë të barabartë me shkatërrimin përfundimtar të çdo shprese të arsyeshme për me ua njohtë të drejtat asaj popullate të keqtrajtueme padrejtësisht. Mbas përdorimit që po i ban Idrizi për qëllime elektorale kësaj çështje, askush nuk do të ketë nesër forcë morale dhe rast politik me çue zanin në Europë për çamët dhe gjithçka do të arkivohet përfundimisht.

Poshtnimi 20 vjeçar i Shqipnisë dhe i shqiptarëve, kryesisht për shkak të politikës së Berishës, Nanos, Metës etj. ka krijue kushtet për lindjen e nji nacionalizmi kallp që AKZ-ja po e përdorë për me u katapultue në zgjedhjet e ardhshme.

Në fundin e nandorit të kaluem provokimet e Berishës shkaktuen shqetsim dhe bezdi tek aleatët tanë dhe ma gjanë. Berisha s’e kupton se ato fjalë dhe sllogane që bota i toleron në gojën e Spahiut, janë të papranueshme në gojën e kryeministrit të vendit.

Përtej vendit tonë, vetë situata në Ballkan paraqitet e paqartë: dështimet e sistemit demokratik, korrupsioni, aferat e pista, mbrapambetja e shoqnisë civile, kriza ekonomike, papunësia – krijojnë kushtet për lindjen e nacionalizmit si pretekst i zgjidhjes së këtyne problemeve.

Megjithatë ka shumë pak gjasa që edhe në rastin ma ekstrem, atë të fitores politike të forcave ultranacionaliste në Ballkan, doktrinat e tyne të bahen operative. Ketë gja e tregon për shembull zgjedhja e linjës disi të moderueme nga ana e Tomisllav Nikoliqit mbas ndamjes së tij në vitin 2008 prej Partisë Radikale Serbe dhe mbështetja nga ana e tij e idesë së hymjes së Serbisë në BE.

Politikanët që shesin kausha me nacionalizëm në udhëkryqet politike të Ballkanit i përkasin së njejtës racë të atyne që mbajnë pushtetin, dhe nesër ultranacionalistat që sot vjellin flakë prej gojet do të tregohen po aq të gatshëm për me u përkul nën presionin e ndërkombtarëve, kur këta t’u kërkojnë me moderue termat, zanin dhe idetë e tyne.

Nacionalizmi kallp i Berishës, Spahiut, Idrizit asht vetëm nji pretekst politik në ketë prag zgjedhjesh në Shqipní. Në mungesë të risive tjera, edhe ky lloj nacionalizmit, në rastin e Spahiut, asht përkohsisht i tolerueshëm, mjaft që të shporret sulltani i vogël i Viçidolit dhe klani i tij. Kumti i vdekjes së PD-së si parti politike asht shpallë tashma gradualisht në këto vitet e fundit, asaj partie ka kohë që i vjen era e tash nuk mbetet veçse nji varrim solemn në zgjedhjet e ardhshme. Me sa duket himnin funebër do t’a shoqnojë edhe zani jo shumë kumbues i leader-it të AKZ-së!

Nderim i merituem: njerëz pa ide varrosin nji ide pa njerëz të denjë. MAPO

Comments

Submitted by Anonimi (not verified) on

Nacionalizmi eshte ne themel te shtet kombit, qe te krijohet nje shtet kombetar duhet te kete nje forme nacionalizmi. Llogjike qe kur shteti eshte ne krize dhe kriza nxit shperberjen e shtetit, do kete ringritje te nacionalizmit per te ruajtur e ringritur shtet kombin.

Pse shtohen leukocitet kur trupi eshte semure ? Jo pse leukocitet gjeten ambjent te pershtatshem per t'u shumuar e te shkaterrojne trupin, por pse trupi ka nevoje per leukocitet qe te munde semundjen.

Kur ka krize ne shtetin kombetar eshte logjike qe nacionalizmi do fuqizohet, por jo pse eshte virus, si e nxjerr diagnozen qesharake ky artikull, por pse eshte leukocit.

Sa here do kete krize shteti, nga esenca e tij nacionaliste, se nacionalizmi e krijoi, do te prodhohet politike nacionaliste per te ristabilizuar shtetin.

Nqs do kete krize shteti teokratik, nga esenca teokratike, do prodhohet politike fetare per te ristabilizuar shtetin.

Problemi i krizes ekonomike eshte se jep pasoja e perhap krizen ne çdo qelize te shoqerise, krize morale, krize sociale deri ne krize familjare, krize ne politiken e jashtme, krize besimi tek e ardhmja etj.

Pra kriza ekonomike e shkund shtetin e shoqerine nga themelet, rrjedhimisht fuqizohet nacionalizmi politik per te ristabilizuar gjendjen. Rendom pas stabilizimit dobesohet por pa u zhdukur asnjehere, ashtu si leukocitet qe pas sherimit ulen ndjeshem ne numer, pa u zhdukur asnjehere.

Submitted by Stefan H (not verified) on

Autori ve paralelizma te cilat nuk qendrojne.

Nuk ka ndonje prove historike te vazhdimesise pellazgo- shqiptare. Por edhe sikur te pranohet si e mirreqene kjo teze, pellazget nuk kane lene ndonje treshegimi kulturore me te cilen do te mund te mburrej dikush, ne rastin tone perkrahesit e prejardhjes pellazge te Shqipetareve.

Kurse nuk mund te mohet se pamvaresisht nga ndryshimet historike, greket e soten jane ata qe trasheguan  pasurine kulturore qofte te Greqise se lashte, Bizantit apo edhe ato qe solli pushtimi turk. Madje rrezatimi i kesaj trashegimie eshte aq  i madh sa ajo konsiderohet si trashegimi kulurore e gjithe Botes. Mos valle duhet te themi se gjithe bota ka perfituar nga kjo trashegimi, duke perfshire dhe Shqiperine, kurse pikerisht ata qe flasin e shkruajne ate gjuhe te lashtesise, qofte edhe ne forme te evoluar, nuk kane asnje lidhje me parardhesit e tyre? Pikepamje te tilla jane shume foshnjarake.

shenim: pse perdoret nje shqipe jashte standartit dhe e veshtire per tu kuptuar?

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.