Masakra e shqiptareve të palinduna

Postuar në 10 Shkurt, 2013 07:04

Quhet “abort selektiv” dhe ka për qëllim me ia pre fillin e jetës krijesave që kanë fatin e keq me i përkit seksit femnor. Tashma kjo praktikë në Shqipní po përcakton nga pikëpamja sociologjike nji të ardhme të zymtë ku për nji femën mbas disa vitesh do të ketë tre ose ma shumë meshkuj.

Fenomeni quhet gendercide, ai specifik i vrasjes së fetusit të krijesave që i përkasin seksit femnor quhet femicide, dhe praktikohet kryesisht për arsye kulturale, jo vetëm në vende si Kina e India por tash së fundi edhe në Shqipni, ku ekziston nji shoqni tejet anmiqsore ndaj femnave.

Tek ne femnat janë krijesat ma të shtypuna e ma të shfrytzueme, ma të pambrojtunat prej ngjizjes e deri në fundin e jetës, e për me e ndryshue ketë gjendje as politika dhe as shoqnia civile shqiptare nuk kanë ba në këto vite ma të voglën përpjekje.

Shpërpjestimi mes meshkujve dhe femnave në Shqipni, siç del prej nji studimi të paraqitun kohët e fundit prej organizatave World Vision dhe United Nations Population Fund (UNPF), në periudhën 2008-2010 ka shkue në 7%, tepër nalt mbi cakun e tolerueshëm. Shqipnia asht vendi i parë në rajon për numrin e aborteve, dhe të gjitha abortet përzgjedhëse verifikohen menjiherë mbas muejit të tretë të shtatzanisë, pse vetëm atëherë asht e mundun me dijtë seksin e fetusit.

S’mund të heshtet as përpara problemit shëndetsor të nanës që detyrohet me abortue në atë fazë të shtatzanisë, por s’mund të heshtet as përpara faktit se kjo plagë do të ketë pasoja shoqnore për bashkësinë tonë në vitet e ardhshme. Shtimi i krimeve me sfond seksual, dhuna ndaj grave, si edhe nji seri fenomenesh tjera negative janë të lidhuna ngusht me shpërpjestimin mes meshkujve dhe femnave në shoqni.

Rranjët e problemit janë pikësëpari kulturore dhe mvaren prej trashëgimisë negative që ekziston tek ne, simbas së cilës vlera e nji mashkulli asht shumë ma e naltë se ajo e nji femne. Së dyti në fenomenin e abortit përzgjedhës ndikon edhe gjendja e mjerueshme ekonomike në të cilën ndodhet vendi ynë. Në këto vite polarizimi i shoqnisë vetëm asht rritë, UNPF deklaron se Shqipnia asht nji prej vendeve ma të vorfna në Europë dhe nji e katërta e popullsisë jeton nën nivelin e vorfnisë. Injoranca dhe analfabetizmi në rritje sjellin me vete moskuptimin e vlerës së jetës, pamvarsisht prej seksit të cilit i përket fëmija. Nga ana tjetër sistemi shëndetsor dhe korrupsioni i thellë i bluzave të bardha ndikojnë negativisht, këto të fundit në vend që me informue dhe me dekurajue abortin selektiv, përfitojnë prej kësaj gjendje të mjerë dhe nxjerrin fitime të majme prej aborteve selektive, që tue qenë se kryhen mbas muejit të tretë të shtatzanisë nuk janë të lejueshme prej legjislacionit shqiptar.

Prej qeverisë Berisha nuk mund të presim asgja, pse mbrojtja e jetës së shqiptarëve, përfshi shqiptaret e pambrojtuna dhe të pafajshme, siç janë ato krijesa të mjera që dështohen dhe hidhen ndër plehna, nuk përban nji prioritet të sajin.

Do të kishim pritë nji reagim sado të vogël prej speakeres së Parlamentit, e cila tue qenë grue dhe tue qenë me përkatësi nominale katolike, mund t’i kishte shpenzue dy fjalë, (sigurisht, mbasi të kishte shprazë retorikën e neveritshme për Sali Berishën që paska fillue me lëvizë edhe malet), në favor të jetës së atyne krijesave! Nji fjalë do ta kishim pritë edhe prej do partive gjoja me frymzim të krishtenë, por edhe ato s’përfaqsojnë asnji ideal përveç etjes për pushtet. Ndoshta edhe grupimet nacionaliste duhet ta kishin çue zanin, meqë aborti selektiv asht nji krim kundër kombit shqiptar dhe ven në rrezik, si fenomen negativ afatgjatë, të ardhmen e tij.

Tejet zhgënjyes asht edhe qëndrimi i klerikëve të të gjitha besimeve fetare në Shqipni. Kleri katolik ka humbë pak nga pak çdo vizibilitet në mbrojtjen e vlerave, po ashtu edhe kleri ortodoks, i përpimë në do diatriba me sfond politik dhe personal. Ndërsa paria e klerit sunit ndihet vetëm kur bahet fjalë me marrë pronat, sa për bektashinjtë ata janë shumë larg ndjeshmënisë patriotike dhe qytetare të figurave emblematike si Baba Rexhepi i Teqesë së Detroitit, mistik dhe dijetar i mirëfilltë.

Aborti selektiv asht ploja (masakra) e të pafajshëmve. Shpresojmë që të paktën ato gra që janë në parlament të reagojnë e ta çojnë zanin kundër këtij krimi të ulët që po komprometon të ardhmen e Shqipnisë.

Botuar në MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.