A do të bëhet Parti ‘partia e Topit’?

Ndoshta ka trembëdhjetë, a më shumë mënyra, për ta parë një send, ngjarje apo fenomen, por më të sigurtat mbeten dy: paragjykimi dhe entuziazmi. Meqenëse ngjarja e cila shtjellohet në këto radhë ka të bëjë me politikën, mund të thuhet lirisht se entuziazmi është mall tashmë i konsumuar brenda tollovisë së spirales 21-vjeçare të postkomunizmit. Mbetet paragjykimi, dhe me të gjithsesi, mund ta fitosh më lehtë çdo bast. Kështuqë le t’ia nisim me një paragjykim.
Dje në Tiranë, në një ndërtesë disakatëshe në rrugën “George Bush”, diku mes Komitetit të ish-të Përndjekurve, monumentit të Sulejman Pashës me shpatën që i çik tokën, Partisë Demokratike dhe Parlamentit, ngriti perden dhe u ngjit në skenë një parti tjetër: Fryma e Re Demokratike, shkurt FRD. Perdja ishte blu dhe ia kemi parë disa herë edhe ngjyrën edhe ngritjet edhe simbolet, të cilat gjithherë kanë pasur një D në të: te Partia Aleanca Demokratike, te Partia Demokrate e Reformuar e të tjera edhe më të vogla, edhe më pak skizmatike.
Frymës së re Demokratike, për t’u dëshmuar paragjykues të shëndetshëm deri në fund, në fillim i duhet të ndahet prej emrit të pagëzuar nga mjediset urbano-mediatike: partia e Topit. Sado shkëlqimtar të jetë themeluesi i një partie, asociimi me emra të përveçëm ia zbeh kreditet, por edhe kredon.
Sfidë e dytë, që e ka një lidhje të lehtë me të parën, ka të bëjë me identitetin. Në rastin e Partisë Aleanca Demokratike, për shembull, identiteti mbeti vetëm intelektual, pa u bërë kurrë politik. Zogaj, Pashko, Ceka e kompani, më shumë se operatorë politikë, në një kohë kur kërkoheshin sidomos të tillë, u shndërruan në misionarë. Me këtë gabim e nën këtë shenjë fillon me sa duket edhe partia e re. Në një intervistë të paradokohëve, presidenti Topi, fati politik i të cilit shihet i lidhur pazgjidhshmërisht me atë të FRD-së, shpalli se do të kthehej në politikën aktive si misionar.
Por ky është një gabim i mesëm në krahasim me një më të madh; me gabimin e gabimeve, le të themi. I tillë mund të cilësohet përpjekja e FRD për të ‘minuar’ Partinë Demokratike me aleanca fluide e okulte, në skenë apo prapaskenë. E dështuara e madhe e këtyre përpjekjeve ka qenë PDR e Genc Pollos e të tijve, e cila as nuk krijoi profilin e saj dhe as nuk e brejti dot Partinë Demokratike. Partia Demokratike i mbetet veç Sali Berishës për ta rrënuar. Paradoksalisht, forcimi i FDR-së, nëse ata nuk kthehen si ‘djem plangprishës’ nën sqetullën e Berishës, do të ndodhë kur ky i fundit të jetë tërhequr nga partia. Kur vakuumi i lënë pas nga berishizmi të mos mbushet dot nga krerët e mbetur në PD, publiku i djathtë mund të kërkojë Frymën e re ndër parti të tjera. Por edhe ky është një bast i paragjykuar. Berisha e ka shpallur se nuk i shkon ndër mend të tërhiqet derikur ta thërrasë i Plotfuqishmi dhe deri atëherë Frymës mund t’i jetë marrë fryma.
Edhe një paragjykim të fundit: tryeza e djeshme e prezantimit të Komisionit Nismëtar digjej në të vakët. Kishte më shumë rishtarë se templarë dhe nuk dihet se pse, qoftë edhe për marketing, nuk është siguruar një rreshtim mbresëlënës. Nuk dihet se ku ishin të përfolurit e kahershëm Mustafaj, Selami e Meksi.
Comments
z. Lela, duke lexuar shkrimin
<p>z. Lela, duke lexuar shkrimin tuaj ne fakt qe ne krye te heres ju grishni me titullin, por me pas duket si nje lavjerres retorik. Per me teper rrafshi i mendim analizes, nuk sjell nje shtjellim as konceptual as analitik dhe as krahasues. Duke prirur veten ne nje nga keto pritshmeri nuk u perballa me asnjeren. Partia eshte parti ose jo mbi cfare perceptimi? Interesash te nje bashkesie politike-intelektuale, juridike-ekonomike, social-kulturore, apo skizmatiko-ideologjik? Interesash biznesi, pervetesim burimesh te kapitalizmit te mendjes, te shtresave pushtetkerkuese apo? Cfare eshte nje parti qe nuk eshte kjo e FRD? Cfare eshte FRD qe i duhet akoma per t’u bere parti? Pyetja qe duhet bere eshte c'lloji natyre kane gjithe kjo lukuni "partish" tek ne, per si na pergjigjen neve keto parti me veten e tyre nepermjet njerezeve, programeve, frymes, ideve, votave, vendit, karrigeve, harreses, apo nulizimit te jetes politikberese per nevojat tona? A i pergjigjet te qenit parti FRD kuptimit elektoral, perfaqesues, apo shenjues? A jane parti PD dhe PS si FRD, apo FRD s’eshte parti si PS dhe PD? Te pakten perzgjidhni pjaten qe donin te sherbenin perpara se te uleni ne tavoline.</p>
Add new comment