Dinosauri i fundit

Postuar në 23 Dhjetor, 2012 11:41

Kryeministri italian Mario Monti dha dorëheqjen nga mandati qeverisës vetëm pak muaj para përfundimit normal të legjislaturës. Pasi u emërua në krye të ekzekutivit një vit më parë për ti dalë zot krizës financiare që po zhyste shtetin drejt falimentimit, Monti u detyrua të largohej sepse Partia e Popullit të Lirisë tërhoqi mbështetjen parlamentare.

“Qeveria po përfundon, por nuk është faji i Maya-ve”, u shpreh Monti me ironinë e tij anglosaksone. Zgjedhjet e parakohshme (data më e mundur do jetë 27 shkurti i 2013), janë dhurata e Krishtlindjeve të dinosaurit të fundit të Europës, Silvio Berluskonit.                                                           

Mbreti Silvio, pasi shpërdoroi shumicën parlamentare më të thellë në historinë e Republikës, pasi katranosi pak e nga pak reputacionin e vet me historira të mjerueshme prostitucioni, rikthehet në fushëbetejën politike dhe garon si kandidat kryeministër për zgjedhjet e ardhshme. Prej disa ditësh ka pushtuar rrjetet televizive me një buzëqeshje të stërmadhe dhe po përsërit të njëjtat fraza dhe shprehje që e kanë karakterizuar që nga viti i largët 1994.

Në thelb Berluskoni është një shitës i klasit të parë. Qofshin tenxhere, dyshekë apo ëndrra, Silvio është i paarritshëm edhe në moshën e pleqërisë. Duke shpresuar që një vit e gjysmë larg arenës politike të kenë mjaftuar për të mjegulluar kujtesën e italianëve, Silvio çeli fushatën elektorale me premtimet e kahershme. Taksa më të ulëta, më pak kontrolle të policisë tatimore, sulme të vazhdueshme kundër Bashkimit Europian dhe Gjermanisë. Nuk mund të mungonin edhe sharjet ndaj “gjykatësve komunistë që po më persekutojnë”, dhe kundër reformave të Montit që “po e çojnë Italinë drejt depresionit”.

Repertori i yllit televiziv Silvio është i kompletuar dhe do vazhdojë në rritje derisa të arrijnë pikun me ndonjë premtim apo deklaratë magjepsëse: tamam si në cirk. Lind natyrshëm pyetja: si është e mundur që e djathta italiane të varet akoma nga tekat e një miliarderi plak, besueshmëria e së cilit është e njëjtë me parashikimin e fundit të botës të fisit Maya? Si është e mundur që krahu kryesor i klasës politike italiane nuk arriti të nxirrte një lider të ri karizmatik dhe të pakompromentuar dhe të dergonte në pension kartën e djegur me emër Berluskoni?

“U rikthye mumja”, titullonte francezja Liberation, “erdhi bunga-bunga”, ja priste gjermania Bild duke ironizuar festat seksuale të Silvios, “kujdes, rrezik në Itali”, vazhdonte zviceriania Le Temps, “mamma mia, erdhi përsëri!” shkruante The Economist . Reputacioni ndërkombëtar i Silvios është shumë afër zeros, ndërkohë që partnerët e Bashkimit Europian janë trembur nga tigri anti-euro që Sulltani milanez po kalëron për të rifituar votat e humbura. Mario Monti dhe ministrat e qeverisë teknike i iniektuan pacientit me emër Itali një ilaç të thartë që përbëhej nga rritje taksash dhe shtrëngim rripi. Kjo kurë e rreptë u bë e nevojshme edhe për shkak të politikës frymëshkurtër të dekadës berluskoniane. Rikthimi i sëmundjes nuk është ilaçi: ndoshta ka ardhur momenti që nëpërmjet votës së lirë të dalë jashtë skene edhe dinosauri i fundit i Europës.

 

*DITA

 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.