Askush nuk është i përkryer

Këto ditë, në redaksi, më vizitoi një diplomat i pensionuar amerikan, i cili prej fillimit të viteve ’90 ka pasur punë me të gjithë në hapësirat e ish-Jugosllavisë.Sot ligjërues në një universitet me renome dhe ende vëzhgues aktiv i zhvillimit të situatës në rajonin tonë, ky diplomat i sofistikuar më foli pozitivisht për progresin që e sheh në Kosovë, por edhe në tërë rajonin, duke kujtuar si ishte situata në vitin 1999, kur ai ende shërbente në Administratën amerikane, e cila asokohe ishte shumë më tepër e ngarkuar me ngjarjet në Ballkan se që është sot.
Kështu, në një bisedë skajshmërisht të lirë dhe joformale, miku im diplomat më flet si Kosova sot nuk e kujton aspak në Kosovën e vitit 1999, dhe se është i lumtur që sheh se kemi arritur të ndërtojmë infrastrukturë të re, që sot kemi institucione të cilat funksionojnë, se është viti i pestë që nga Shpallja e Pavarësisë dhe shtetit dhe ai çdo ditë e më shumë bëhet më i fortë e më funksional.
Po – më thotë miku amerikan – ka shumë probleme, por nuk mundet gjithçka të zgjidhet brenda natës, dhe shton se për shumë prej problemeve dhe çështjeve (sikur që janë, për shembull, veriu i Kosovës, raportet me Serbinë dhe pozita ndërkombëtare e Kosovës) është e nevojshme bashkësia ndërkombëtare, e cila gjithsesi do të ndihmojë, sepse, nëse asgjë tjetër, Kosova shtet edhe është krijuar bashkë me të, ndërsa Amerika patjetër se do të jetë me ne!
Pajtohem me të se situata në shumë aspekte ka ndryshuar, për të mirë, posaçërisht nëse njeriu e krahason të sotmen me vitin 1999. Por shtoj se, megjithatë, nuk është gjithçka ashtu si duket, sepse njerëzit presin shumë më tepër sesa kjo që u ofrohet nga pushteti dhe politikanët, se korrupsioni po na ngulfat dhe njerëzit janë të dëshpëruar me liderët dhe mosgatishmërinë e tyre që të kryejnë punën e vet ashtu si duhet dhe me adetin e tyre që të mendojnë vetëm për vete!
***
- Duhet të keni më shumë durim dhe besim – më thotë amerikani dhe shton se ndryshimet gjithmonë janë të ngadalshme, por se rrota e historisë nuk mund të kthehet mbrapsht, dhe se i tërë rajoni tashmë është nisur drejt rrugës prej së cilës nuk ka kthim – rrugës së ndryshimeve demokratike dhe integrimit në Evropë.
Më thotë të shikoj pamjen më të gjerë dhe do të shoh se si e tërë bota jonë ballkanike po ndryshon. Vetëm një qind vjet prej rënies së Perandorisë Osmane, të gjitha vendet e Evropës Juglindore janë aty diku, pak a shumë, në prag të Bashkimit Evropian, që do të thotë se më në fund e kemi kaluar rubikonin historik që na ndante nga Perëndimi.
Më pas më thotë të shikoj se çka ndodh jo vetëm në Kosovë, por edhe në fqinjësi.
Dhe shton: “Asgjë nuk është siç ka qenë. Kush do të kishte thënë para ca vitesh se Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq do të ulen në të njëjtën tavolinë, do ta lënë të kaluarën prapa vetes dhe do të bisedojnë për të ardhmen”.
Mua ky shembull nuk më tingëlloi shumë bindës, andaj miku amerikan ma përmendi suksesin e fundit zgjedhor të Milo Gjukanoviqit, si një shembull edhe më të mirë se si forcat progresive po e fitojnë betejën politike në Ballkan!
Po, them – edhe këtu në Kosovë njerëzit janë të lumtur për fitoren e Milos, meqë e vlerësojmë si njeri që ka sjellë ndryshimin historik në raportet mes shqiptarëve dhe malaziasve. Gjithmonë kujtojmë se ai ishte në krye të Malit të Zi, i cili hapi dyert për refugjatët kosovarë gjatë bombardimeve të vitit 1999 dhe i ndihmoi popullatës shqiptare të Kosovës që të mbijetojë momentet ndoshta më të rënda në historinë e shekullit të kaluar. E çmojmë si njeriun që e kundërshtoi Milosheviqin, regjimin dhe politikën e tij kur këtë pakkush guxonte ta bënte, andaj edhe është më meritori për shkatërrimin e asaj politike. Sikur që është më meritori pse Mali i Zi – përkundër të gjitha rrethanave – e njohu Kosovën si shtet të pavarur.
- Na ka futur në borxh ne, shqiptarët e Kosovës – i them mikut amerikan, duke shtuar se ne dhe liderët tanë nuk arritëm ta kthejmë atë borxh në këto 13 vite prej fundit të luftës, dhe se, në disa momente, lejuam që malaziasve në Kosovë t’u ndodhnin gjëra të tmerrshme andaj është edhe koha e fundit që Kosova ta shpaguajë Malin e Zi ashtu që malaziasve do t’u japë pozitën kushtetuese-juridike si një bashkësi autoktone, e pavarur nga bashkësia serbe, dhe t’u sigurojë të gjitha të drejtat kolektive e individuale që u takojnë si të tillë.
***
Por, i them mikut tim, e kam një problem me shembullin që na jep Milo Gjukoanviqi, dhe jo vetëm ai. Çfarë demokracie na qenka kjo kur një njeri mund të mbetet në pushtet përgjithmonë?
Kur Milo Gjukanoviqi për herë të parë u bë kryeministër i Malit të Zi, më 1991, në Amerikë president ishte George Bush i vjetri. Bushin e trashëgoi Clintoni me dy mandate nga katër vite, Clintonin Bushi i riu me tetë vitet maksimale në Shtëpinë e Bardhë, e këtë të fundit Barack Obama, i cili së shpejti duhet të nisë mandatin e dytë në ulësen e presidentit të SHBA-së.
Atëherë ia përmend edhe emra të tjerë të ballkanasve të cilët duan të mbeten në majë me dekada: Janez Jansha në Slloveni, Milorad Dodiku në Bosnjë-Hercegovinë, Ivica Daçiqi në Serbi, Hashim Thaçi në Kosovë, Nikola Gruevski në Maqedoni, Sali Berisha në Shqipëri…
Në Kosovë, madje, është rregull që edhe partitë politike të mos i ndërrojnë kryetarët e vet me dekada.
Shtoj edhe se shoh një ndërlidhje mes sundimit shumëvjeçar të njerëzve të njëjtë dhe vendosjes së trendëve negativë në shoqëri, sikur që janë korrupsioni, klientelizmi, mungesa e demokracisë, dobësimi i institucioneve të pavarura…
Sado që dikush të jetë meritor, shoqëritë kanë nevojë për ndryshim jo vetëm të pushtetit, por edhe të pushtetarëve. Aq më pare që ne, në fund të fundit, jemi – njerëz. Mall që prishet. Andaj edhe nuk e kemi të huaj që demokracinë ta zëvendësojmë me diktaturë, nëse kështu na përshtatet. Historia është dëshmitari më i mirë!
Miku im amerikan pajtohet.
Por, më rikujton edhe diçka: në Amerikë është e vërtetë se një njeri nuk mund të jetë president më shumë se tetë vite, por disa të tjerë mund të mbeten në pushtet edhe sa të jenë gjallë – për shembull senatorët – me kusht që t’i fitojnë zgjedhjet. Më pas më tregon se në Senatin amerikan ka një senator që është aty prej vitit 1963, ndërsa disa janë prej viteve 1970-të. Nënkryetari i tanishëm i Amerikës, Joe Biden, ka qenë senator prej vitit 1973 deri më 2009, kur u zgjodh nënkryetar i Obamas.
Dhe shton, me buzëqeshje: askush nuk është i përkryer!
Po – pajtohem – askush nuk është i përkryer.
Dhe kjo duhet të jetë njëfarë ngushëllimi për ne!
(Kjo kolumne e kryeredaktorit të “Kohës Ditore” është botuar në gazetën malazese, “Vijesti”)
Add new comment