Vazhdon saga e protestës së minatorëve

Postuar në 12 Gusht, 2011 03:41

Saga e protestës së minatorëve nuk po jep shenja se mund të marrë fund. Përkundrazi, situata bëhet gjithnjë e më e tensionuar. Kompania ka dështuar në përpjekjet për të organizuar takime në vende, që nuk quhen Bulqizë (Tiranë, Peshkopi, etj). Minatorët e grevës nën tokë dhe përfaqësuesit e tyre mbi tokë, në kundërshtim me atë që është pritur, nuk kanë demonstruar deri në këtë moment asnjë shenjë dobësie apo tërheqjeje, megjithë presionet e natyrave të ndryshme, që bien mbi ta. Në vend të tërheqjes, kanë përshkallëzuar protestën duke bllokuar për disa orë rrugën nacionale.

Ndërkohë, është shtuar numri i “aktorëve në skenë”. Bëhet e gjallë pas një sehiri të gjatë ministria (METE), por jo për të ulur gjakrat e për të ndërmjetësuar një negocjim më të lehtë; ministria i ka bërë thirrje policisë, që të nxjerrë minatorët me forcë. RISHM-i (Reparti i shpëtimit të Minierave) ecën në të njëjtën linjë me ministrinë; ndryshe, thonë ata, rrezikohet miniera, dhe jeta e minatorëve. Në ca negocjata të zhvilluara në Peshkopi kanë marrë pjesë përfaqësues të sindikatave të kontrolluara nga qeveria (!!!), dhe kjo, nga grevistët, është marrë si një provokim. Kryetari i Bashkisë së Bulqizës është konvertuar papritur në aleat i kompanisë ACR; deri dje ka qenë në mbwshtetje të grevistëve. Një sindikatë tjetër, Konfindustria, bën për herë të parë një deklaratatë mbi këtë protestë, por prapa toneve të balancuara të saj maskohet një solidaritet me kompaninë ACR. Opozita, me zërin e Arben Ahmetajt, ka hequr dorë nga heshtja, apo qëndrimet ndërdyshëse. “Mbështesim minatorët”, kanë thënë më në fund.

Greva ka hyrë në ditën e 19-të, dhe gjendja e minatorëve është shumë e rënduar.

E.G.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.