Toka me 8.7 milion specie. Lista e specieve ende të pazbuluara shqiptare

Revista amerikane Vanity Fair, duke iu referuar radios britanike BBC, shkruan se planeti Tokë ka rreth 8.7 milion specie. Ky numër është bazuar te një përllogaritje e re që, sipas shkencëtarëve që e kanë bërë, është më e sakta e të gjitha kohëve. Revista duke iu referuar studimit shënon se shumica e këtyre specieve nuk është identifikuar ende, dhe se katalogimi i të gjithave do të kërkonte më shumë se 1 mijë vjet. Këtu Vanity Fair (si ka mundësi që këta amerikanët kanë revista kaq hatashëm të mira!) i shkëputet studimit, të cilit i është referuar BBC-ja, dhe bën atë që mund të quhet parodi e lajmit. Në interes të shkencës, shkruan autori, kemi hartuar një listë me këto “specie ende ta pazbuluara” ekzistenca e të cilave është thjesht teorike. Bazuar në realitetin dhe përthyerjet e përditshmërisë amerikane Vanity Fair vazhdon me një listë të “specieve të pazbuluara”. Sipas së njëjtës logjikë, por mbështetur në përthyerjet e realiteteve të këtushme, ja edhe një listë shqiptare “speciesh ende të pazbuluara”. Sugjerimet tuaja për të tjera specie do të ishin sigurisht të mirëpritura.
-Një zyrtar i pakorruptuar.
-Një anëtar apo simpatizant i LSI-ë që nuk i mbaron fjalitë me “vlla” për të imituar Ilir Metën.
-Një tifoz i Partizanit që, po të ndeshej me Albert Xhanin, nuk do donte t’i gjuante.
-Një shkodran që blen gazetën Tema.
-Një gazetashitës në Shkodër që e pranon gazetën Tema.
-Një shkodran të terun.
-Një lezhjan të krehun.
-Një krutan që del nga shtëpia në mëngjes pa “trastë” në xhepin e pasëm.
-Një jugor me shtëpi në Bathore.
-Një jugor i ardhur në kryeqytet që nuk e urren faktin që Tirana është sipër Shkumbinit.
-Një skraparlli që nuk identifikohet me LSI-në (përjashto këtu Much Nanon).
-Një “bjonde” që nuk i duken rrënjët e zeza.
-Dikush që përzien verë të bardhë me Sprite dhe e kupton se kjo nuk është “aristokratike”.
-Një burrë që lan duart, pasi përdor tualetin.
-Dikë që ka abonim në një gazetë apo revistë.
-Dikë që është krenar se ka këngëtare të preferuar Rovena Stefën.
-Dikë që nuk e di këngën e grupit Elita 5 “Nuk jam Al Kapone”.
-Një banor të rretheve që nuk e përdor Tajvanin si pikëpjekje, siç përdorej dikur shatërvani.
-Një demokrat që përligj përzgjedhjen e Çiljetës në Këshillin Kombëtar të PD-së.
-Dikë që të thotë “makina ime e preferuar nuk është Benz”.
-Një mekanik që të rregullon një defekt pa të shkaktuar dy të tjerë.
-Një banor të shtëpisë Big Brother që nuk flet në vetë të tretë.
-Një banor të Big Brother që e di se ç’është veta e tretë.
-Dikë që ka parë nga fillimi në fund një telenovelë shqiptare.
-Dikë që, pasi është refuzuar nga një vajzë apo grua, nuk e ka etiketuar “kurvë”.
-Dikë që e pi kafenë me më pak se dy sheqerë.
-Një gazetë shqiptare që nuk boton lista.
-Një gazetë shqiptare që, një ditë të vetme, nuk boton dossier për komunizmin.
L.A.
Add new comment