Sokol Balla merret me probleme të medias në një libër të tijin

Gazetari Sokol Balla ka publikuar librin e tij me titull “Fjala e lirë, sfidë europiane” , i cili trajton problematikat e lirisë së shprehjes dhe të medias në Shqipëri. “Dikur, flas për ne gazetarët që e kemi nisur karrierën në fillim të viteve ’90, diku nga fundi i viteve ’90 kemi pasur një armik, një përbindësh dhe ai ishte qeveria apo autoritetet. Besoj se sot gjërat janë shumë më të komplikuara se aq, industria e medias është zhvilluar dhe është pjesë e një globalizimi që ka kapur të tërë sektorët dhe e ka bërë më të komplikuar çështjen e ndikimit në linjat editoriale”, u shpreh gazetari Sokol Balla gjatë ceremonisë së promovimit të librit, i cili bën pjesë në kolanën e botimeve UET Press.
Në libër ai ka përfshirë një anketim mbi 150 gazetarë shqiptarë dhe shqetësimet e shprehura nga ata janë shumë herë më të forta se ato të 20 viteve më parë. “Sot kemi pronarët e mediave; egjithatë unë mendoj që nuk janë e keqja më e madhe që i ndodhin industrisë së medias. Ndoshta pa pronarët e medias nuk do të kishim fare media në Shqipëri”, shtoi ai. Një nga problemet që Balla evidenton fort është vendosja e një raporti të drejtë të gazetarëve me pronarët e mediave, sidomos në kohën kur Raporti i fundit i BE-së per median ishte më kritik se herët e tjera dhe shikonte një përkeqësim të lehtë në raport me vitet e mëparshme.
Konsiderata e dytë që trajton libri vë në qendër të problematikës së lirisë së shtypit faktorin ekonomik. Sipas tij problemi kryesor është mënyra sesi financohet media në Shqipëri. Megjithëse ajo është kryesisht me humbje, paradoksalisht është një nga sektorët që nuk falimenton. Konsiderata e tretë lidhet me zhvillimet shumë të shpejta të teknologjive të komunikimit masiv dhe disiplinave si marrëdhëniet me publikun dhe marketingun, dhe këtu shtrohet çështja e dallimeve mes lajmit si produkt i interesit publik dhe lajmit si produkt i përpjekjeve marketing dhe atyre të marrëdhënieve me publikun.
Re.Pu.
Add new comment