Shkarkimi i Mateusit? Disiplina gjermane dhe toka ballkanase nuk shkojnë bashkë

Ish-futbollisti i kombëtares gjermane Lotar Mateus u pushua nga puna si trajner i përfaqësueses bullgare të futbollit për shkak të atyre që federate bullgare i cilësoi si rezultate të dobëta dhe moskualifikim të ekipit për në finalet e Euro 2012. Megjithatë, e përditëshmja bullgare 24 Chasa i del në mbrojtje trajnerit gjerman duke shkruar se askush, në fakt, nuk besonte se skuadra do të kualifikohej.
“Nocionet gjermane të rregullit dhe disiplinës thjesht nuk zënë vend në tokë ballkanike”, shkruante e përditshmja. Më tej gazeta shkruan se mosrinovimi i kontratës së ish-futbollistit gjerman nuk kishte të bënte dhe aq me rezultatet e këqija, por me atë se lojtarët bullgarë filluan të ankoheshin rreth stërvitjes së fortë si dhe për vendimin e trajnerit që ua ndaloi pirjen e birrës pas humbjes së ndeshjes me Bjellorusinë. “Për t’iu shtuar edhe më këtyre problemeve, portieri dhe qendërsulmuesi shkëmbyen të dashurat dhe tani nuk e shohin do më me sy njëri-tjetrin”, rrëfen 24 Chasa. E përditshmja vazhdon me tezën e saj duke shkruar se trajneri nuk është problemi më i madh i futbollit bullgar. “Në të kundërt, futbolli bullgar është problemi më i madh i trajnerit. Pavarësisht se kush e merr postin”, e përmbyll arsyetimin e përditëshmja bullgare.
L.A.
Add new comment