Qeveria shqiptare nuk e mat borxhin; e përcakton aq sa i duhet

Gazetari i Shqip-it Gjergj Erebara, i cili është nga të paktët gazetarë që duhen marrë seriozisht kur flasin apo japin informacion për ekonominë, ka shkruar një dyfaqësh në numrin e sotëm të gazetës së tij lidhur me borxhin publik të Shqipërisë. Dhe aty gjendet një gjë interesante, që ka shijen e një scoop-i. Gazetari tregon në mënyrë të dokumentuar se qeveria ka trukuar shifrat financiare në mënyrë që borxhi publik të rezultojë poshtë nivelit të 60%-ëshit të GDP-së. Erebera thotë: “Në gusht 2009, qeveria miratoi vendimin nr 915, ku deklarohej se për vitin 2008 Shqipëria pati rritje ekonomike 8 për qind dhe PBB nominale prej 1,086 miliardë lekësh. Por nëse shikon dokumentin e Ministrisë së Financave me të njëjtin titull dhe të përditësuar në prill 2009, rritja ekonomike e vitit 2008 është 7.2 për qind, ndërsa PBB-ja nominale është 1,090 miliardë lekë. Shkurt, ballafaqimi i dy dokumenteve vë në pah se ndërsa rritja ekonomike reale e vitit 2008 u shtua nga 7.2 për qind në 8 për qind, PBB-ja nominale u ul nga 1090 miliardë lekë në 1,086 miliardë. I njëjti fenomen u përsërit edhe në shifrat e publikuara për Produktin e Brendshëm Bruto për vitin 2009. Ministria e Financave pati parashikuar rritje ekonomike 4.8 për qind dhe PBB nominale prej 1,174 miliardësh në prill, por në gusht e rishikoi, duke thënë se ekonomia pritej të rritej me 5.8 për qind, ndërsa PBB nominale pritej 1,176 miliardë.”
Me fjalë të varfëra, i bie që qeveria nuk e mat nivelin e PBB-së. Jo, ajo e përcakton aq sa i duhet në mënyrë që borxhi publik të mos e kalojë shifrën 60% të PBB-së, gjë që do të alarmonte dynjanë. Mirëpo trukimi i të dhënave është më alarmant akoma.
E.G.
Add new comment