Prifti: Krisja me Metën? U bë xheloz për rolin tim si negociator i koalicionit me Berishën

Postuar në 22 Nëntor, 2011 02:29

Dritan Prifti i thirrur në gjykatë si dëshmitar në gjyqin ndaj Ilir Metës, ka zbuluar se krisja mes tyre ka filluar menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2009 dhe përzgjedhjes së tij si “krushku” i koalicionit LSI-PD. “Kam qenë i pari deputet i Kuvendit që isha pro kësaj aleance. Këtu nisën momentet e xhelozisë, mbase se unë mora rolin e protagonistit. Në atë kohë Berisha më kërkoi mua të isha negociator i kësaj qeverisjeje  dhe e përsëris, këtu filloi marrëdhënia xhelozore dhe e sëmurë”. Prifti, ish-nënkryetar i LSI-së dhe njëkohësisht ish-ministër i kësaj force në qeverinë e koalicionit, ka qenë në fakt i pari lajmëtar i aleancës së cuditshme mes një force të qendrës së djathtë dhe një tjetre që u pozicionua në ekstrem të forcave te majta në Shqipëri. Prifti, me anë të një deklarate për mediat ndërkohë që në Fier, në zonën ku ai ishte kandidat për deputet, vazhdonin votimet, u shpreh se do të ishte i pari që do të bashkohej me PD-në nëse kësaj partie i nevojiteshin numra. Kjo deklaratë e papritur ka çuar në një telefonatë mes tij e Berishës. Kur kryeministri e ka pyetur se ç’donte prej tij, Prifti i ka kërkuar që të mos prekeshin votat e partisë së tij në Fier. Ky ka shërbyer edhe si momenti i ngjizjes së koalicionit, pasi PD-së në fakt iu deshën numrat e LSI-së për të formuar shumicën qeverisës në Parlament. Me këtë e shpjegon krisjen mes tij e Metës, në një dëshmi para gjykatës, ish-miku i tij tani armik i përjetshëm, Dritan Prifti.

H.B.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.