Ndryshon skema e taksimit të makinave

Pas datës 24 gusht, do të quhet e shfuqizuar taksa e përvitshme e qarkullimit dhe ajo e regjistrimit. Aktualisht, taksa e qarkullimit është 7500 lekë për një makinë me benzinë dhe 10 mijë lekë për një makinë me naftë. Ndërsa taksa e regjistrimit është 2400 lekë për të gjitha llojet e veturave. Të dyja taksat kanë qenë vjetore, pra janë paguar një herë në vit. Pas 24 gushtit, makinat nuk do të paguajnë më taksën e regjistrimit. Edhe taksa e qarkullimit ndryshon. Ajo nuk do të paguhet 7400 lekë në vit për makinat me benzinë dhe 10 mijë lekë në vit për makinat me naftë, por do të paguhet sa herë që makinat furnizohen me karburant. Në ligjin e ri, që hyn në fuqi më 24 gusht, thuhet: “Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin caktohet në masën 5 lekë për litër deri më 31.12.2011; pas kësaj date taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin caktohet në masën 7 lekë për litër. Kjo taksë zbatohet si për benzinën e gazoilin e importuar, ashtu edhe për ato të prodhuara në vend.” Pra, taksa e re e qarkullimit do të paguhet me karburantin. Kjo do të shpërndajë në mënyrë të barabartë taksën e qarkullimit. Sidoqoftë, pas datës 24 gusht nuk do të paguhen taksa në sportelet e agjencive, aty ku bëhet kolaudimi. Taksa e re e qarkullimit do të paguhet në pikat e karburantit indirekt, sa herë që furnizojmë makinën. Nuk do ketë më kokëçarje fizike, por kokëçarja financiare mbetet, sidomos për ata që lëvizin më shumë me makinë.
Përveç kësaj, pas datës 24 gusht, kush importon një makinë, nuk do të paguajë më doganë. Po ashtu, kush blen/shet një makinë brenda vendit, nuk do të paguajë taksë shtesë. Ligji i ri vendos, megjithatë, një taksë të re vjetore për makinat e përdorura, që do të quhet taksë e përdorimit të makinës. Aplikimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura penalizon më shumë makinat e vjetra. Sa më e vjetër të jetë makina, aq më shumë taksë vjetore paguan. Gjithashtu, paguajnë më shumë makinat me naftë sesa ato me benzinë.
Add new comment