Kriza greke zhvendoset në panairin e Frankfurtit

Postuar në 14 Tetor, 2011 02:55

Panairi i librit në Frankfurt është një nga më të famshmit në botë; e nga më të vjetrit. Ka rreth 500 vjet që ekziston. Pjesëmarrja në të është një arsye krenarie për një shtëpi botuese. Kanë zënë të shkojnë atje dhe shtëpi botuese nga Shqipëria. Ka kohë që e bëjnë. Nuk ka ndonjë logjikë biznesi në këtë mes, pasi çmimet e kripura të stendave janë ku e ku më të mëdha se sa fitimet që mund t’u vinin nga shitjet e librave apo nga kontratat që mund të lidhin (nëse u qëllon të lidhin).

Nuk dihet nëse kanë shkuar sërish në këtë periudhë krize. Grekët, fjala vjen, nuk kanë qenë të bujshëm me praninë  e tyre. Vite të shkuara stendat e libarve grekë binin në sy që larg, ndërsa këtë herë është vetëm një stendë e vogël kolektive, e cila është marrë me çmim më të vogël. Është një favor që u është bërë për shkak të krizës, gjë që i ka bërë përshtypje gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Kjo e fundit hapte sot faqet e kulturës me një shkrim mbi krizën greke që ish zhvendosur në mënyrë melo-dramatike edhe në pavionet e panairit të Frankfurtit.

Paradoksi është se librat e paktë grekë janë ndër më të shiturit. Letërsia e një vendi në krizë ndjell, me sa duket, për motive jo thjesht letrare.

E.G.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.