Grupi Oasis, Liam hedh në gjyq të vëllanë Noel

Vëllezërit Gallagher, dikur anëtarë të rock-band Oasis, tani do të jenë përballë njëri-tjetrit në gjykatë. Liam Gallagher, vokalisti i grupit, ka paditur të vëllanë Noel pasi ky ka thënë muajin e shkuar se atyre iu desh të anulonin një koncert dy vite më parë për shkak se Liam ishte i dehur. Sipas Associated Press, Liam ka bërë një deklaratë ku kërkon falje publike nga i vëllai dhe që tifozët e Oasis të dinë të vërtetën rreth asaj që ka ndodhur: nuk isha i dehur por kisha laringit dhe ky ishte shkaku që më ndaloi të performoja në 2009 V Festival. Ai gjithashtu kundërshtoi pretendimet e të vëllait se “shpërbërja e Oasis erdhi pas një përplasjeje të fortë lidhur me atë se unë kërkova që gjatë turit të grupit t’i bëja reklamë linjës time të veshjeve Pretty Green”. Sipas së njëjtës deklaratë për AP nuk ka patur një sherr me këtë motiv mes dy vëllezërve. Ai shton se ka shumë arsye se pse Oasis u nda, por linja e veshjeve nuk kishte të bënte me të. Liam ka theksuar se padia nuk bëhej për arsye financiare dhe gjithë çka donte nga i vëllai ishte një “më fal”. Oasis është po aq i njohur për zënkat mes dy vëllezërve sa edhe për muzikën e ngjashme me të Beatles-ave. Bashkëpunimi mes tyre mori fund dy vjet më parë kur Liam tha se nuk mund të punonte “as edhe një ditë më shumë” me të vëllanë.
L. A.
Add new comment