Embargoja e Vetëvendosjes, përmbysja e kamionëve me mallra serbe

Lëvizja Vetëvendosje në vazhdë të aksioneve të saj ‘revolucionare’ ka gjetur një formë të tillë edhe për të shprehur kundërshtinë ndaj mallrave serbe që hyjnë në Kosovë: Aktivistët e saj i përmbysin mjetet me mallra që vijnë nga vendi fqinj. Vetëvendosja ka vazhduar aksionin kundër hyrjes së prodhimeve serbe në Republikën e Kosovës edhe dje, kur aktivistë të kësaj partie, njofton gazeta Bota Sot, kanë hedhur nën rrugë një maune me mallra serbe në fshatin Lupç të Podujevës. Akti ka qenë përsëritje e një skeme të mëparshme pasi më 21 shtator, në po të njëjtin vend, aktivistët e Vetëvendosjes ndërmorën një aksion kundër mauneve me mallra serbe. E gjitha në shenjë kundërshtimi për “tregtinë e lirë” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, rreth një muaj më parë, e patën shkarkuar mallin prodhim i kompanisë “Centro Proizvod” nga Beogradi duke e ‘çaktivizuar’ kamionin. E njëjta gjë ka ndodhur edhe dje. Aksionet e saj, Vetëvendosja i arsyeton me faktin se “nuk mund të ketë marrëdhënie tregtare me një vend agresor, i cili mban në jetë e në aktivitet struktura kriminale që kanë marrë peng një pjesë të territorit tonë, duke e shndërruar në fole të kontrabandës, krimit të organizuar dhe terrorit për vetë qytetarët e asaj pjese”.
H.B.
Add new comment