Do ta marrim statusin e vendit kandidat?

Gjatë muajit tetor pritet të jepet opinioni i Komisionit Europian për përmbushjen nga Shqipëria të 12 rekomandimeve në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Gjasat janë që ky opinion të jetë negativ. Nuk ka ndodhur asgjë në harkun e muajve të fundit, në fakt, që t’i bëjë eurokratët e Brukselit të kenë një mendim të ndryshëm nga ai që kanë patur herën e fundit, kur bënë refuzimin e Shqipërisë. Po, është e vërtetë, ka hyrë opozita në parlament, por ky gjest nuk përkthehet domosdosmërisht me funksionimin e mirë të parlamentit, me miratimin automatik të disa ligjeve që kërkojnë 2/3 e votave të parlamentit, dhe me emërimin e do krerëve apo anëtarëve të institucioneve të rëndësishëm. Përsa i takon funksionimit normal të parlamentit, opozita ka dalë me një paketë propozimesh, të cilat duken të arsyeshme dhe korrekte, por Topalli, që mbahet si përgjegjësja nr. 1 e keqfunksionimit parlamentar (është përmendur në mënyrë nominale në raportet e BE-së mbi Shqipërinë), ka reaguar me shpejtësi të habitshme nga Washingtoni; dhe i ka thënë ‘jo’ propozimit kryesor të opozitës, atij që ka të bëjë me votimin e fshehtë në parlament. Është një reagim i ngutshëm i kryeparlamentares, që komprometon gatishmërinë e maxhorancës për dialog.
Por lista e rekomandimeve është shumë më e gjatë se sa kaq. Ajo përfshin depolitizimin e administratës publike, që përveç vullnetit të maxhorancës, kërkon dhe kohë në dispozicion, zgjedhjet e lira e të ndershme (sapo dogjëm brutalisht një rast të artë më 8 maj), pavarësinë e sistemit gjyqësor, luftën e suksesshme kundër korrupsionit, etj, etj. Mund të arrihen këto deri në tetor? Apo Komisioni Europian do të na shpërblejë veç për vullnetin e mirë të përbashkët, që premton zhvillime pozitive në perspektivë? Për ministren Majlinda Bregu (që ishte sot në Komisionin Parlamentar të Integrimit) duket se po, përderisa ajo fokusohet më së pari e më së shumti tek pjesëmarrja e opozitës në parlament. Por në fakt, nuk është kështu. Nuk ka se si të jetë kështu.
Re.Pu.
Add new comment