Bode i shmanget një pyetjeje të nxehtë

Parashikimi i rrtijes ekonomike është gjëja më e rëndësishme që duhet bërë para se të nisë hartimi i një projekt-buxheti shtetëror. Kjo, sepse rritja ekonomike vihet në themel të parashikimit të të ardhurave buxhetore (sa më e lartë rritja ekonomike, aq më të mëdha të ardhurat buxhetore, kur taksat nuk ndryshohen). Ka tre vjet që buxheti i shtetit shqiptar rishikohet me ulje në mes të vitit, sepse parashikimi i rritjes ekonomike nga qeveria ka qenë më optimist se realiteti.
Mbrëmë në Top Story të Sokol Ballës, Ministri i Finacave Bode u sfidua disa herë nga një panel gazetarësh rreth këtij optimizmi të përsëritur dhe pati një pytje të nxehtë rreth parashikimit të rrijes ekonomike për vitin e ardhshëm, të cilës iu shmang. Pyetja ishte: “Ndërkohë që konsumatorët shqiptarë kanë ulur blerjet e mallrave dhe shëbimeve gjatë këtij viti me rreth 7%, krahasuar me një vit më parë, pse parashikoni një rritje ekonomike me 4.3% për vitin që vjen?” (Gazetarja që bëri këtë pyetje iu referua indeksit të shitjeve me pakicë të publikuar nga INSTAT-i http://www.instat.gov.al/graphics/doc/tabelat/TRPnew/3Mujori_II_2011/t2.xls). Përgjigjia e Bodes ishte thjesht një shmangie e predhës që i lëshoi gazetarja. “Konsumi i mallrave dhe shërbimeve ndikohet kryesisht nga rritja e pagave dhe pensioneve,” tha Bode. Dhe më tej, ai shtoi se qeveria ka parashikuar rritjen e pagave dhe pensioneve. Gazetarja nuk vazhdoi ta sfidonte më Boden rreth kësaj çështje, por në qoftë se do të kishte vazhduar, mund t’i kishte thënë se rritja e pagave dhe pensioneve nuk arrin të ndjekë as rritjen e inflacionit, e jo të mbulojë shtimin e blerjeve të mallrave e shërbimeve. Së dyti, ajo mund t’i kishte kujtuar Bodes se është rritja e vendeve të punës faktori kryesor për rritjen e konsumit, e jo rritja e pagave (dikush që shkon nga 0 lekë rrogë në 250 mijë lekë rrogë e shton konsumin shumë më tepër sesa një tjetër që shkon nga 250 mijë në 260 mijë) Dhe INSTAT-i raporton se numri i vendeve të punës nuk ka patur tendencë rritje gjatë dy viteve të fundit. Së treti, gazetarja mund t’i kishte vënë Bodes në dukje faktin se qeveria i rriti rrogat edhe këtë vit, por konsumi ra me 7%...
E.Zaloshnja
Add new comment