“Occupy Wall Street” po merret seriozisht

Lëvizja Occupy Wall Street nuk është më ajo e para dy javësh, kur shumica ose e injoronin, ose e përqeshnin. Ajo ka marrë përmasa të tjera, tanimë. Askush nuk e injoron. Edhe agjencitë më konservatore të informacionit kanë zënë të flasin për të. Sigurisht, ndonjëra sosh mund ta etiketojë këtë protestë edhe si “luftë klasash” (kandidati republikan për postin e Presidentit, Mitt Romney, iu bashkua këtij kori këto ditë), ndonjë tjetër edhe mund ta denigrojë, por nuk mund ta injorojnë si ngjarje.
Edhe liberalët amerikanë, sidomos “kremi” i tyre, nuk është se i kushtuan shumë vëmendje kësaj proteste fillimisht. Mirëpo, tani punët janë ndryshe. Deri dhe nobelisti Paul Krugman, opinionist i së përditshmes New York Times, ishte vënë sot në mbështetje të protestuesve. Zërave që janë dëgjuar kundër protestuesve të veshur në mënyrë të çuditshme e joserioze, e sidomos kundër disa sloganeve të tyre tepër folklorike apo tepër të majta, Krugman u thotë, se “kjo është e natyrshme dhe e pashmangshme në një ngjarje të këtij lloji”. Dhe më tej mban një qëndrim të fortë: “Mua më shumë më ofendojnë plutokratët e klientët e qeverive me kostume të bëra me porosi në atelje famëmëdha, se sa protestuesit e veshur allasoj (oddly)”.
Dhe pastaj bën një nënvizim më të fortë: “Historia ka treguar që burrat me kostume nuk kanë monopolin e mençurisë; përkundrazi, ata janë më pak të mençurit e kësaj bote. Ata që flasin nga studiot e televizionit CNBC, dhe thonë se këta protestues nuk janë seriozë, duhet t’i përgjigjen pyetjes: “Sa seriozë ishin ata njerëz që na garantuan se nuk do të kishim ndonjë krizë në sektorin imobiliar, ose sesa serioz ishte Alan Greenspan që na tha se nuk do të ketë ndonjë problem me deficitin publik?”
E.G.
Add new comment