Zgjedhjet, protesta kundër Putin në Moskë

Disa mijëra njerëz kanë protestuar në rrugët e Moskës duke bërtitur "Poshtë Putin", “Rusia pa Putin” apo “Revolucion”, pasi vëzhguesit ndërkombëtarë folën për shkelje flagrante në zgjedhjet parlamentare në Rusi.
Disa përleshje u raportuan dhe policia ruse tha se ka arrestuar më shumë se 300 protestues.
OSBE-ja deklaroi më parë se votimi ishte manipuluar në favor të partisë së kryeministrit Vladimir Putin, “Rusia e Bashkuar”.
Ndërsa në deklaratën e tij Presidenti Dmitry Medvjedev këmbënguli se zgjedhjet ishin të drejta dhe demokratike.
Megjithatë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, shprehu "shqetësime serioze" për këtë çështje.
”Rusia e Bashkuar” fitoi zgjedhjet, por me një rënie të dukshme të mbështetjes së popullit. Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se partia kishte nën 50% të votave, nga 64% në vitin 2007. ”Rusia e Bashkuar” ka humbur 77 vende në Parlament, në një proces zgjedhor i cili shihej si një provë për popullaritetin e Putin.
OSBE-ja vuri në dukje manipulimet flagrante në zhvillimin e zgjedhjeve, të tilla si mbushja e kutive të votimit.
top-channel.tv
Add new comment