Vdekja e ambasadorit Bushati Nishani: Humbje e thellë për vendin.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, përmes një mesazhi të dërguar, i ka shprehur ngushëllimet e tij familjarëve për ndarjen nga jeta të ambasadorit shqiptar në Maqedoni Petrit Bushati.
Në mesazh e tij Presidenti Nishani, teksa shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta në mënyrë të parakohshme të Bushatit, thekson se kjo është një humbje e thellë edhe për trupën tonë diplomatike.
Nishani nënvizon se ambasadori shqiptar do të kujtohet me respekt, për punën dhe shërbimin me profesionalizëm që ai ka kryer në detyrën e tij.
“Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të Ambasadorit Petrit Bushati. Sëmundja e rëndë e ndau atë në mënyrë të parakohshme nga të dashurit i tij, fëmijët, të afërmit, miqtë dhe kolegët, të cilëve u shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera e të sinqerta. Në këto çaste hidhërimi, jam pranë dhe lutem së bashku me fëmijët dhe të afërmit e tij që, i ndjeri Ambasador Petrit Bushati, të gjejë paqen dhe prehjen e merituar. Ndarja nga jeta e Ambasadorit Bushati është një humbje e thellë edhe për trupën tonë diplomatike dhe shërbimin e jashtëm shqiptar, ku ka shërbyer e kontribuar me devocion dhe profesionalizëm prej dekadash. Ai do të kujtohet me respekt edhe nga diplomatët e rinj shqiptarë, mentor i shumë prej të cilëve gjatë këtyre viteve, ai ka qenë. Ngushëllime!” mbyllet mesazhi i Kreut të Shtetit.
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni Petrit Bushati u nda nga jeta ditën e djeshme, si pasojë e një sëmundje të rëndë kronike. Ndërkaq, ditën e sotme në orën 12:00-14:00 në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme do të zhvillohet ceremonia e homazheve në nder të diplomatit Bushati.
Add new comment