Totozani: Nuk kemi pasur ankesa për shkarkime në administratë. Raportet tona nuk merren parasysh nga Kuvendi

Postuar në 20 Nëntor, 2013 08:19

Komisioni i Ligjeve ka zhvilluar sot një seancë dëgjimore me Avokatin e Popullit Igli Totozani në lidhje me rekomandimet e progres-raportit të Bashkimit Europian.

Në fjalën e tij, Avokati i Popullit ka kritikuar Parlamentin se nuk merr në shqyrtim raportet e këtij institucioni.

“Kemi depozituar shumë raporte në Kuvend, asnjëri nuk është marrë në shqyrtim. Së shpejti në Kuvend do të depozitohet një raport, që do kërkojë hapjen e dosjeve të komunizmit” , tha Totozani. Ai ka theksuar më tej se institucioni i Avokatit të Popullit i ka ndjekur me kujdes shqetësimet e ngritura me shkarkimet në administratë, por ende nuk ka pasur asnjë ankesë të depozituar.

“Ndjekim median, pasi tek Avokati i Popullit nuk ka asnjë ankesë për largime nga puna. Kemi kërkuar informacione konkrete për rekrutimet dhe shkarkimet nga administrate. Së shpejti do të çojmë një raport në Parlament për këtë çështje. Kemi një ankesë për pallatin në Vlorë dhe i kemi bërë rekomandim ministrit Tahiri. Policia gjendet në shkelje të ligjit me aksionin e pallatit në Vlorë”, u shpreh Totozani.

Ndërsa deputeti demokrat Edi Paloka ka theksuar se Avokati i Popullit nuk foli për çështjen e armëve kimike dhe vjedhjen e votave në Korçë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Avokatit të Popullit i cili ka theksuar se nuk ka pasur asnjë ankesë në lidhje me çështjen e armëve kimike.

“Ne merremi me rastet kur ka shkelje të të drejtave të njeriut dhe veprojmë mbi ankesa. Për votat në Korçë, ne nuk merremi me çështjet në lidhje me mbarëvajtjen ose jo të procesit zgjedhor”,- ka theksuar ai.

I pyetur në lidhje me vendimin e qeverisë për prishjen e ndërtimeve me ose pa leje, Totozani theksoi se qeveria nuk është konsultuar me institucionin e Avokatit të Popullit për vendimin e kompetencave të INUK për prishjen e ndërtimeve.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.